Barcelona vs Frenkie de Jong, nis “përleshja”, ja ku ndahen palët

Barcelona vs Frenkie de Jong, nis “përleshja”, ja ku ndahen palët

Frenkie de Jong është tashmë në Barcelonë. Pushimet e holandezit kanë përfunduar dhe këtë të hënë ai u rikthehet stërvitjeve të ekipit të parë si pjesa tjetër e lojtarëve që kanë luajtur në qershor me kombëtaret respektive. Nuk do të jetë një kthim i qetë. Barcelona dëshiron ta shesë dhe në fakt ka nisur bisedimet me Manchester United. Nga ana tjetër, lojtari është pro qëndrimit.

Do të ketë një takim mes dy palëve tani që Frenkie është kthyer në Barcelonë. Lojtari dhe përfaqësuesi i tij, Ali Dursun, duan të dinë se cili është pozicioni i klubit. Ata janë të zemëruar për mënyrën se si Bordi po e trajton çështjen. Atyre nuk u pëlqeu që u zbulua lajmi i negociatave me Man. United dhe kontrata e futbollistit. Ata besojnë se ka një fushatë kundër lojtarit.

Drejtuesit e Barcelonës do t’i kërkojnë që të “tulipani” të ulë ndjeshëm pagën, pasi do të marrë 21 milionë euro sezonin e ardhshëm dhe pothuajse 28 milionë në tjetrin, pa përfshirë bonuset. Klubi po bën ristrukturimin e pagave dhe nuk mund të përballojë kontrata si ajo De Jong.

Nëse Frenkie nuk e pranon këtë propozim, do të vijë plani i dytë, që është shitja e mesfushorit. Manchester United është shumë i interesuar për lojtarin. Ten Hag, trajneri i tij i ri i “Djajve të Kuq”, dëshiron ta bëjë atë dirigjent të ekipit anglez.

Megjithatë, nuk do të jetë e lehtë. Lojtari nuk dëshiron të largohet nga Barcelona. Objektivi i tij kryesor është të vazhdojë në “Camp Nou”. Ai sapo ka blerë një shtëpi të re dhe partnerja e tij është e kënaqur që jeton në Barcelonë. Ditë shumë të komplikuara janë përpara për sa i përket marrëdhënies mes Barcelonës dhe De Jong. /SS/