` . Banderola si dëshmi e një gënjeshtre - TV SHENJA

Banderola si dëshmi e një gënjeshtre

A është momenti të konstatojmë se LSDM dhe BDI, gjithnjë duke luajtur rolin se nuk gëzojnë një bashkëqeverisje dhe marrëdhënie, siç u ka hije dy partnerëve politikë, në fakt po lozin njësoj në një lojë të përbashkët?!

Shkruan: Valon ELEZI, Kumanovë

Në arterien kryesore të lagjes sime, të lagjes ku u zhvilluan ngjarjet e 9 majit të vitit 2015, pra në Lagjen e Trimave, për ironi të fatit tonë, diku dyqind metra më poshtë qëndron një banderolë ku shkruan “Është koha për kryeministrin e parë shqiptar” dhe në të është numri 9, që ishte numri rendor në fletëvotim i Bashkimit Demokratik për Integrim në zgjedhjet e 15 korrikut. Edhe premtimi ishte i po kësaj partie politike, pra “kryeministër shqiptar për herë të parë në Maqedoninë e Veriut”. Është premtimi që mbeti vetëm premtim, ashtu siç nuk u largua dhe mbeti edhe banderola, edhe pse ka disa ditë që partia pronare e kësaj banderole, së bashku me gënjeshtrën në të, ka arritur marrëveshje për formimin e qeverisë me LSDM-në e Zoran Zaevit, por duke u bërë kryeministër ky i fundit. E në Lagjen e Trimave, për të qenë agonia më e madhe, përderisa një grup njerëzish, ithtarë të partisë tani në pushtet, nuk gjejnë dot motivimin që ta largojnë banderolën e një premtimi që paraqet premtim të parealizuar dhe gënjeshtër elektorale, kjo dëshmon se gënjeshtra është bërë një gjë normale që nuk e shqetëson atë që e synon pushtetin. Rëndësi ka, siç thonë, “të futemi në qeveri”. Ndërsa në Lagjen e Trimave, në orët e paraditës, arterien kryesore të saj, dikur të gjallë dhe me shumë njerëz, sot e sheh gjithnjë e më të zbrazur, ndërsa rinia e kësaj lagje po merr rrugët e Perëndimit. Të rinjtë le të ikin, ndërsa banderola e premtimit të rrejshëm do të qëndrojë! Që ta dëshmojë gënjeshtrën. Zaten, këto gënjeshtra tani e njëzetë vjet po e detyrojnë rininë tonë të marrë rrugët e mërgimit.

Tryeza e përbashkët si katapultë e fajit

Pak ditë para shënimit të nëntëmbëdhjetë vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, bëri ftesë për të gjitha partitë politike shqiptare, në një nga hotelet e Shkupit, pikërisht në ditën e shënimit të Marrëveshjes së Ohrit, me 13 gusht, në atë çfarë e quajnë Tryeza e Përbashkët e Partive Politike Shqiptare. Përderisa Tryeza e parë e realizuar me thirrjen asokohe të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, më shumë dukej si nxjerrje nga situata e vështirë pas zgjedhjeve të dhjetorit të vitit 2016, kësaj here, thirrja ishte disi më ndryshe. Por, tani, nëse jo rezultati, pozitë të vështirë liderit të BDI-së i kishte krijuar vet premtimi i tij për kryeministër shqiptar, premtim me të cilin ata me çdo kusht donin të fitonin zgjedhjet parlamentare. Dhe, ngjan që, meqë një gjë e tillë ishte e papranueshme nga Zoran Zaev që doli fitues në kampin politik maqedonas, BDI-ja u gjet në pozicion të tentimit të shpërndarjes së përgjegjësisë për një premtim që ajo e vetme e bëri në dobi të fushatës së saj, e jo në dobi të realizimit të këtij premtimi, aq më pak në dobi të shqiptarëve. Madje, BDI-ja jo vetëm që deshi të shpërndante përgjegjësinë, por në pamundësi të realizimit të premtimit të saj, deshi të bëjë shpërndarjen e fajit te të gjitha partitë politike shqiptare dhe kështu të vendosë themelet e akuzave ndaj opozitës shqiptare për mosrealizimin e kryeministrit shqiptar. BDI-ja, e cila nuk ta fal suksesin për çfarëdo ndihmese në dobi të proceseve, nuk ka asnjë dozë shqetësimi nëse duhet të ta vulosë fajin, qoftë edhe nëse faji është kryekëput i saj. Në fund del që tryeza e përbashkët (që kësaj here mbeti tryezë me vetëm një protagonist), me ose pa prezencën e liderëve të partive politike opozitare shqiptare, të ketë qenë vetëm katapultë për hedhjen e fajit për mosrealizimin e kryeministrit shqiptar. E meqë katapulta gjuan larg, atëherë faji të mbetet edhe nëse nuk prezantojnë të ftuarit në takim. Por, opozita shqiptare e Koalicionit “Tash është koha” (Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa), me dymbëdhjetë deputetët e saj, e dhanë me sukses provimin, duke kërkuar fillimisht një datë tjetër për takimin në Tryezën e përbashkët dhe pastaj duke ofruar të gjithë deputetët në mbështetje të realizimit dhe të arritjes së kryeministrit shqiptar me mandat katërvjeçar, edhe atë Naser Zyberin, emrin që ishte kandidat i BDI-së për këtë pozicion. Por, gatishmërisë së opozitës për këtë hap, sa të pjekur aq edhe kombëtar, BDI-ja nuk u përgjigj asnjëherë, për të dëshmuar kështu përfundimisht se ky premtim ishte i rrejshëm dhe me të vetmin qëllim – arritjen e numrave për zgjedhjet e 15 korrikut.

Miqësitë e reja dhe prapavijat e vjetra

Në periudhën 2008-2016 ishim mësuar dhe zbuluam “grindjet” që bënin asokohe VMRO-ja dhe BDI-ja. Secila me shfaqjet e planifikuara mirë lozte me emocionin e elektoratit të saj dhe dukej se thirrjet populiste me karakter nacionalist ishin faktorë për të arritur një numër të konsiderueshëm votash. A është momenti të konstatojmë se LSDM-ja dhe BDI-ja, gjithnjë duke luajtur rolin se nuk gëzojnë një bashkëqeverisje dhe marrëdhënie siç i ka hije dy partnerëve politik, në fakt po lozin njësoj në një lojë të përbashkët?! Përderisa Zaevi zotohej se BDI-ja do të jetë në opozitë dhe e mohonte kategorikisht se një shqiptar do të bëhet kryeministër, në anën tjetër fushata e BDI-së ishte më populiste se asnjëherë më parë, duke e prekur po ashtu elementin nacionalist. Siç duket, LSDM-ja donte ta rikuperonte veten e saj te elektorati maqedonas për shkak të epitetit si subjekt politik që “lëshon pe” ndaj kërkesave shqiptare dhe kërkesave të tjera me karakter qenësor për maqedonasit, siç është ndërrimi i emrit të shtetit, ndërsa BDI-ja këtë e bënte me një premtim madhor – kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Të dyja subjektet kundërshtoheshin. Kështu, të dyja subjektet duhej të dukeshin luftëtare të kampit të tyre me karakter nacionalist. E, në fakt, qëllimi i vetëm ishin arritjet e numrave dhe rezultateve të favorshme në zgjedhje. Ajo që dëshmon se këto dy parti politike kanë mundur ta lozin me trikun e vjetër siç loznin dikur VMRO-ja dhe BDI-ja, është se megjithatë nuk dukej se marrëveshja për qeverisje edhe katër vite kishte vështirësi. Zgjatja e bisedimeve disa ditë ishte vetëm spektakël për të krijuar fotografinë se vështirë po dakordohen në bisedime dhe se kërkesat e tyre janë parimore dhe në dobi të qytetarëve. Deklarata e eksponentëve të BDI-së se rëndësi ka respektimi i Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe, madje, edhe asaj me Bullgarinë, dëshmon hilenë e premtimit për kryeministrin shqiptar! Arritja e kryeministrit shqiptar për 100 ditët e fundit lë hapësirë të kuptohet komunikimi i mirë mes Zaevit dhe Ahmetit dhe me gjasë kërkesës së këtij të fundit që të paktën “të fitojë” kryeministrin në 100 ditët e fundit, që të mos dalë i dështuar para elektoratit shqiptar. Se a do të arrijmë te ato 100 ditë dhe a do të zgjasë kjo qeverisje katër vite, kjo mbetet të shihet. Por, këtu del në pah edhe një fakt, e që ndërlidhet me strategjinë parazgjedhore, se BDI-së në masë të madhe u intereson që në periudhën para zgjedhjeve ata ta kenë një kryeministër shqiptar, që me këtë ta ndërtojnë shtyllën e propagandës zgjedhore e që do të mund të ndërtohet me moton e stilit të zakonshëm dhe propagandues të kësaj partie: E realizuam kryeministrin! Dhe, që nga tani BDI-ja ka mjet propagandues për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, nëse vërtet realizohen 100 ditët e kryeministrit shqiptar! Dhe, që nga tani, po ashtu, çdo shfaqje ose problem në bashkëqeverisje mes LSDM-së dhe BDI-së duhet ta merrni me mjaft skepticizëm. Teatri i tyre nuk do të mungojë!

Fenomeni i harresës

Në vitin 2016, një bashkëpunim i atëhershëm opozitar, do ta sillte BDI-në para humbjes. Megjithatë, në hapat që bën opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut ajo nuk është pa gabime dhe pa fajet e saj. Është evidente se leksioni u mësua, por evident është edhe fakti i prezencës së harresës. Nëse ngjarjet e majit të vitit 2015 në Kumanovë dhe shumë elemente të tjera të menaxhimit të dobët dhe të keq të pushtetit nga ana e BDI-së ndikuan në rezultatin më të dobët deri atëherë të kësaj partie politike, tani shohim që pluhuri i harresës i ka dhënë një mundësi më tepër këtij subjekti. Dhe, padyshim, me të gjitha mekanizmat që kanë në duar, BDI-ja e shfrytëzon këtë mundësi! Pra, shohim që te ne ndodh një falje e mëkateve pa pendim, falje të cilën – për shkak të harresës – ta ofron një pjesë e konsiderueshme e elektoratit. Falje dhe amnisti që iu dha edhe BDI-së. Pa u futur në manipulimet zgjedhore, ky element, pra elementi i harresës është njëri ndër faktorët kryesorë për gjendjen tonë jo të lakmueshme. Dhe, kush garanton se edhe gënjeshtrën dhe mëkatin e mosrealizimit të kryeministrit shqiptar, elektorati jonë nuk do ta harrojë dhe si mëkat nuk do ta amnistojë dhe falë?! Për të mos ndodhur kjo, opozita shqiptare duhet të hartojë një strategji të shëndoshë, të frytshme dhe parimore opozitare, të bëjë një politikë proaktive me elemente të reja dhe inovacione politike. Pos elementit të reagimit të vazhdueshëm nuk duhet harruar që lëshimet dhe gabimet, e sidomos premtimi i parealizuar i kryeministrit shqiptar, të jetë një ndër elementet kryesore të opozitës për demaskimin e partisë shqiptare në pushtet. Zgjedhjet e ardhshme lokale në vitin tjetër janë një motiv shtesë për opozitën që ta ruajë të gjallë frymën e 82 mijë votuesve nga zgjedhjet parlamentare. Dhe, për ta dëshmuar opozita fuqinë e numrave dhe fuqinë e dymbëdhjetë të deleguarve në parlament, nuk duhet lënë asgjë rastit por duhet t’i përvishen punës dhe politikës aktive, në mënyrë që fenomeni i harresës të luftohet dhe elektorati jonë ta mësojë traditën e ndëshkimit. Pra, opozita le të japë mundësinë, ndërsa elektorati do ta konkretizojë mundësinë. Përndryshe, po vazhdoi harresa për të bëmat e të ligat të jetë prezente, gjithë rinia do të ikë nga ky vend. Por, me gjasë, banderola me premtimin e rrejshëm “Është koha për kryeministrin e parë shqiptar” nuk do të largohet! Atëherë le të mbetet aty. Ta ruajmë të freskët kujtesën për gënjeshtrën, në mënyrë që mos të harrojmë!