Ballkani shkruan historinë, në “play off” përballë FC Shkupit

Ballkani shkruan historinë, në “play off” përballë FC Shkupit

Ballkani shkruan historinë, arrin të kualifikohet në “play off”-in e Conference League, ku do të përplaset me Shkupin e shqiptarëve, skuadrën kampione të Maqedonisë së Veriut. Skuadra e Ilir Dajës arrin një sukses dramatik, pas goditjeje të 11-metërshave, pasi koha e rregullt dhe shtesa përfundoi 2-1 në favor të Klasvikut.

Për vendësit shënoi Mikkelsen në minutën e 56-të, për të ardhur më pas te goli i Krasniqit në të 86-tën. Një minutë para fundit të kohës së rregullt, skuadra nga Ishujt Faroe shënoi golin e dytë me Da Silvan, duke e çuar ndeshjen ne shtesë. Të dyja skuadrat u treguan të kujdesshme në shtesë, por në goditjet e penalltive futbollistët e Ballkanit gabuan vetëm në serinë e katër (Zyba), ndërsa për vendësit “dolën huq” Holvad dhe Danielsen në serinë e dytë dhe të katërt. Penalltinë e fundit për skuadrën e Ilir Dajës e realizoi Emerllahu. Më kualifikimin e Ballkanit në “play off” do të kemi një skuadër shqiptare në fazën e grupeve, pas një përballje të dyfishtë dhe emocionuese me Shkupin.