“Ballkani i Hapur”, kujdes nga Rusia!

“Ballkani i Hapur”, kujdes nga Rusia!

Editorial i Revistës SHENJA

Në vitin 1902, pra fiks 120 vjet më parë, Abdulhamidi II i shkruan kujtimet. Shtetin e ka në krizë të thellë. Sulme gjithandej. Përpiqet me çdo kusht ta shpëtojë. Por, më kot. Sikur e ndjen se të vërtetën duhet shkruar në mënyrë që brezat e ardhshëm, kushdo qofshin, ta dinë se më kë kanë punë. Ai flet hapur për të gjitha shtetet e perandoritë me të cilat është në hasmëri. Vjen radha te Rusia cariste. Në atë kohë ende nuk ka ndodhur Revolucioni i Proletariatit me në krye Leninin. Ai i përshkruan politikat e këtij shteti, edhe në atë kohë shumë të madh e me ambicie shumëfish më të mëdha.

“Programi i shkruar gati njëqindvjeçar, i përgatitur nga Rusia për Lindjen, është gjetur midis ‘Udhëzimeve të fshehta’, përgatitur nga ana e Carit Aleksandar I më 19 prill të vitit 1812. Në shkrimin e tij, cari u ka dhënë këtë udhëzim politikanëve dhe nëpunësve të tij: ‘Ne duhet të përhapim në Ballkan dashurinë për Rusinë; duhet të nxisim popullin në përpjekje për të themeluar mbretërinë serbo-sllave në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë, Dalmaci dhe Mal të Zi; si dhe duhet t’i bëjmë popujt e Ballkanit aleatë të Rusisë, ngaqë ata do t’ia kenë nevojën vendit tonë për shkak të luftës së tyre me Turqinë dhe Austrinë’”. Kështu na alarmon Abdulhamidi II para më shumë se një shekulli për politikat ruse ndaj Ballkanit, të ngjizura që para 210 vjetëve.

Viti 2022, 6 qershor. Në skenë është njëri nga “ujqit më të vjetër” të diplomacisë botërore, Sergej Lavrov. Në qendër të vëmendjes është “Ballkani i Hapur”. Deklarata e tij, sa ndjellëse e nxitëse, aq edhe e thellë. Lavrovi, para kamerave, në thotë se iniciativa për Ballkanin e Hapur është serbe, por që e gëzon edhe mbështetjen e Rusisë. “Ne vlerësojmë nisjet kurajoze të ndërmarra nga Serbia dhe Presidentit Vuçiq, i cili ka theksuar se nuk do të angazhohet në veprime kundër Rusisë, edhe pse BE do që vendet kandidate të rreshtohen në veprime rusofobike”, tha Lavrovi, ndërkohë që shtoi: “Siç duket qartë, ata që i lëvizin fijet në Bruksel, nuk e duan këtë. Ata nuk duan që ne të mbështesim Beogradin, përfshi Ballkanin e Hapur”. Kjo deklaratë sa është sarkastike aq është edhe trishtuese. Aq më tepër kur e marrim parasysh se “fanatiku” më i madh i nismës “Ballkani i Hapur”, nuk është cilido, por kryeministri shqiptar.

Viti 2022, 22 qershor. Bie Qeveria e Bullgarisë. Kryeministri në dorëheqje, Kiril Petkov, krahas oponentëve, për rrëzimin e qeverisë e akuzon drejtpërdrejt, me emër dhe mbiemër, ambasadoren ruse në Sofje, Eleonora Mitrofanova. “Ishte nder për mua të drejtoja një qeveri që u rrëzua nga Peevski, Borisovi, Trifonovi dhe Mitrofanova, ambasadorja e Rusisë në Bullgari”, tha Petkovi. Rajoni futet edhe më thellë në krizë gjeopolitike. Ndalet procesi i euro-integrimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në përkthim, kjo i bie se rritet forca e Rusisë në Ballkan.

Në Ukrainë, si kurrë më parë, po vërehet cinizmi i shteteve perëndimore që i lanë ukrainasit në baltë. Përkthyer me terma më konkretë, Rusia po hapëron fuqishëm. Bashkë me përparimin, asaj po i shtohen edhe apetitet.

Në Ballkan flitet për idenë e Ramës, Vuçiqit dhe Zaevit për hapjen e kufijve. Opinioni tashmë është ndarë në dysh. Ca flasin për benefitet ekonomike, ca për të kaluarën e trishtë. “Ballkani i Hapur”, kështu siç është projektuar, sipas shumicës së analistëve, i leverdisë vetëm Serbisë, sepse ajo i ka kapacitetet më të fuqishme ekonomike me të cilat i eklipson të gjitha vendet anëtare. Shkëmbimi tregtar, i cili trumbetohet, vërtetë ndoshta edhe do të rritet, por, shikuar pak më gjerë, kur e kemi parasysh prezencën ruse, por edhe kineze në Serbi, atëherë ne si shqiptarë duhet të jemi më syçelë.

Eskobari, i Dërguari i Posaçëm Amerikan thotë se, “e mbështesin nismën ekonomike të Ballkanit të Hapur”, gjermanët e parapëlqejnë më shumë Procesin e Berlinit, si një paradhomë për të hyrë në BE, kurse Bashkimi Europian, në përgjithësi, është shndërruar në një orkestër pa dirigjent, ku secili e luan melodinë e tij.

Aktualisht, askush nuk mund të flasë me precizitet se ç’po ndodhë. Megjithatë, politikanët e mençur është mirë ta kenë parasysh idenë e kahershme ruse për dalje në Adriatik. Domosdoshmërisht duhet ta kuptojnë edhe faktin se Bashkimi Europian tani po futet në një spirale të krizave. Duhet ta kuptojnë se shtetet e G7-tës nuk e kanë më fuqinë e diktimit të influencës së tyre si para 20 vjetësh. Duhet ta kuptojnë se në G20 gjendet edhe 13 shtete të tjera, GDP-ja e të cilave është me madhe se e G7-tës.

Koha është për të reflektuar. Nëse Noli dhe Konica kanë mundur të bashkëpunojnë, patjetër e kanë të bashkëpunojnë edhe Kurti dhe Rama. Qëndrimet e pamatura kundrejt këtij procesi historik, do të na kushtojë të gjithëve shtrenjtë. Aq më tepër kur e shohim se problemet e së ardhmes nuk do të jenë vetëm të natyrës gjeopolitike e ekonomike, por edhe të NEOLIBERALIZMIT DOGMATIK, i cili nuk njeh as shtete, as kombe e as fe, nuk njeh as nënë e as babë, e nuk njeh as FAMILJE!

Ismail SINANI