Ballkani i Hapur dhe mendja e mbyllur

Ballkani i Hapur dhe mendja e mbyllur

Të gjitha analizat serioze tregojnë se po të mos fillojë njëfarë integrimi rajonal, veçanërisht në kushte të bllokadës integruese në BE, rajoni jo vetëm që s’do të qetësohet e zhvillohet, por më e pakta  që mund t’i ndodhë është që ai të zbrazet. Këtu shqiptarët e mbajnë rekordin.

Shkruan: Mersel BILALLI, Gostivar

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor ekzistojnë dhjetëra iniciativa integruese – Zona Rajonale Ekonomike (REA), Këshilli Rajonal për Bashkëpunim (RCC), CEFTA, Procesi i Berlinit dhe, së fundit, Ballkani i Hapur. Për vite me radhë, shumica e veprimeve nga këto organizata koordinohen përmes Procesit të Berlinit, ku përfshihen të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Serbia, BeH, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova).

Dihet se destinacioni i Ballkanin Perëndimor vazhdon të mbetet Brukseli, por është fakt se kjo dëshirë e tyre po largohet më shpejt sesa dinamika e vrapit të tyre drejt këtij klubi. Mali i Zi bisedon për 11 vjet dhe akoma s’e ka përfunduar as çerekun e punëve. Serbia bisedon tetë vjet dhe s’ka arritur askund! Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë në xhepat e tyre pëlqimin për t’i nisur negociatat e anëtarësimit që nga viti 2019, por fati i keq rri me to! Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i zhgënjyer dikur pat thënë: “Ndihemi si në një dasmë ku nusja zbukurohet, por dasmorët as që janë ftuar”. As miliardat e premtuara nga BE-ja nuk mund ta përmirësojnë buzëqeshjen e thartë të liderëve ballkanoperëndimorë. Sipas Ramës, Shqipëria ndihet peng i një sherri mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Bullgaria, për vite me radhë, e ka bllokuar fillimin e bisedimeve me Shkupin, duke pretenduar se Maqedonia e Veriut po e vjedh identitetin, historinë dhe gjuhën e saj. Ka shumë vende brenda Bashkimit Europian që këtë mosmarrëveshje mes Shkupit dhe Sofjes e konsiderojnë si mbeturinë nga shekujt e kaluar, por s’duan ta prishin rahatinë, aq më pak ta ngarkojnë tryezën e tyre të përbashkët edhe ashtu të përçarë me specialitete ballkanike. Madje, kundërshtarët e zgjerimit, të cilëve ky proces u duket si spec shumë djegës, zënkat ndërfqinjësore i përjetojnë si një desert i mirë që e rehaton barkun e tyre.

Ekspertët botërorë janë të mendimit se nismat për tregun rajonal nuk kanë asnjë ndikim negativ në procesin eurointegrues, madje janë kompatibil më të, pasi bashkërisht shtetet i përmbushin kushtet e parapara për BE. Së paku nuk humbet kohë, pasi për vite me radhë BE-ja i ka problemet e saj dhe nuk i përkushtohet zgjerimit. Në fakt, ecin në drejtim të asaj që pas disa vitesh, kur BE-ja të stabilizohet, në procedure të anëtarësohen të shpejtuar. Mendim të ngjashëm kishte profesori Florian Bieber, anëtar i Grupit Këshillues të Politikave të Ballkanit në Europë (Balkans in Europe Policy Advisory Group – BiEPAG), duke vënë në dukje se “Ballkani i Hapur është një nismë e mirë dhe është vështirë të shohësh diçka të keqe në të. Do të ketë kuptim vetëm nëse i përfshin jo vetëm tre, por të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Veçanërisht e çuditshme që Kosova të mos jetë pjesë e nismës, pasi ajo është e rrethuar nga tre nënshkruesit” – thotë Bieber-i. Mbetja jashtë rajonit nënkupton izolim ekonomik të saj, kurse – ndërkohë – akoma më shumë do të fuqizohet.

Për dinamizimin e integrimit rajonal, Komisioni Europian planifikon rreth nëntë miliardë euro grante në vitet në vijim dhe, së bashku me SHBA-në, do të sigurojnë një shumë prej 30 miliardë eurosh për investime private, për ta përmirësuar situatën ekonomike në rajon. Prodhimi i këtij rajoni aktualisht arrin vetëm një për qind të PBB-së së Bashkimit Europian.

Me ndërmjetësimin amerikan, tanimë ekziston memorandumi që ka të bëjë me trafikun hekurudhor dhe studimi i fizibilitetit për lidhjet hekurudhore Beograd-Prishtinë, duke përfunduar në portet e Detit Adriatik. Përgjithësisht, inkuadrimi kompatibil infrastruktural rajonal në rrjetin europian TEN-T do ta bëjë bregdetin shqiptar një epiqendër të disa korridoreve rajonale të Ballkanit Perëndimor. Kjo gjë jo vetëm që akoma më shumë do t’i integrojë shqiptarët në rajon, por aq më tepër do t’i shndërrojë ata në faktorë kryesorë të Korridorit 8, 10 e 11, kurse përmes “Transferzales Jugore” dhe “Rrugës së Kombit” do t’i lidhë me shumë segmente të korridoreve të tjera rajonale, me çka portet e Durrësit dhe Shëngjinit do të shndërroheshin në porte strategjike rajonale.

Por, gjeopolitikës madhore kundërshtare shpesh i pëlqen skepticizmi dhe zhgënjimi rajonal. Tani shihet qartë se vende të tjera të fuqishme në botë fillojnë t’i vardisen intensivisht rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri letonez, Arthurs Karins, vendi i të cilit jeton në stres frike nga Rusia, pat thënë: “Ose Europa do ia japë dorën Ballkanit ose dikush tjetër atë do ta bëjë”. Me këtë ai aludonte në përpjekjet e Rusisë për të fituar një terren të volitshëm në Ballkanin Perëndimor përmes financimeve të zeza dhe nismave politike.

Të gjitha analizat serioze tregojnë se po të mos fillojë njëfarë integrimi rajonal, veçanërisht në kushte të bllokadës integruese në BE, rajoni jo vetëm që s’do të qetësohet e zhvillohet, por më e pakta  që mund t’i ndodhë është që ai të zbrazet. Këtu shqiptarët e mbajnë rekordin. Mos të harrojmë se mu për shkak të mungesës së interesimit për zhvillim (gjë, e cila as që pritej nga garnitura të korruptuara), sot Shqipëria ka 800 mijë banorë më pak se 30 vjet më parë. Në Maqedoni të Veriut popullata rezidente (që efektivisht jeton në këtë shtet) është e përgjysmuar. Regjistrimi politik do të tregojë se sa shumë shtetas jemi, por ata sigurt se natyralizohen në vendet perëndimore ku efektivisht jetojnë, kurse popullata rezidente çdo ditë e më shumë pakësohet dhe vjetrohet.

Gjeopolitika rajonale

 Që para do vitesh, komandanti i forcave amerikane për Europë, gjenerali Curtis Scaparrotti, para Komitetit të Forcave të Armatosura të Senatit Amerikan pat thënë se SHBA-ja dhe NATO-ja janë duke punuar së bashku për t’u përballur me kërcënimet e mëdha të sigurisë evropiane, me ç’rast e përmendi ekstremizmin e dhunshëm dhe tendencat ruse për ta destabilizuar Ballkanin. “Moska, edhe tani kur lufton me Ukrainën, aspak nuk i sheh mirë integrimet dhe bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit. Ajo ka shtuar përpjekjet e saj për ta zgjeruar ndikimin në rajon, veçanërisht duke manipuluar me Serbinë dhe serbët e Bosnjës. Rusia po përpiqet të nxisë trazira në Ballkan, duke e bërë këtë përmes fushatave dezinformuese që synojnë indoktrinimin e popullatës lokale,” – kishte thënë atëherë gjenerali para Senatit. Ndërkaq raportuesi i Parlamentit Europian për Serbinë, David McAllister, pat theksuar se “vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përfshihen menjëherë në vendimmarrje në BE dhe sa më shpejt që është e mundur të përgatiten për anëtarësim në BE, sepse në të kundërtën mund të bien në ndikimin e shteteve tjera”. Madje, edhe kryeministri shqiptar, Rama, para do vitesh e pat akuzuar opozitën shqiptare se kishte marrë financa të dyshimta nga Rusia.

Liderët shqiptarë duhet ta kenë parasysh se cila fuqi botërore për momentin ka interes ta integrojë rajonin, e që tani për tani nuk eksponohet gjer në shfryrjen e kundërshtimeve të brendshme emocionale e politike. Dihet se këtë iniciativë të integrimit rajonal, pos Gjermanisë, fuqishëm po e përkrah edhe Banka Botërore. Ndërkaq, dihet se kush qëndron pas saj. Eskobari e e tha qartë se duhet apeluar edhe në tre vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Andaj disa doktorë shkence që nuk hezitojnë t’i ngjisin kryeministrit shqiptar etiketa shumë të rënda, shpejt do të mbeten si peshku në të thatë. Ne kemi një situatë në Mal të Zi, ku ka një polarizim i madh. Në BeH, tashmë një kohë më të gjatë, marrëdhëniet midis dy njësive janë tejet të tendosura. Plagët mes Serbisë dhe Kosovës vazhdojnë të gjakosin. A thua këto probleme do të zgjidhen më lehtë si të acaruar?!

Fundja, këto vende duhet rreshtuar aty ku udhëzojnë partnerët strategjikë, pa të cilët sot nuk do ekzistonim as si komb e as si shtete. Shqipëria, vetë, nuk do të kishte mbijetuar si shtet i ri pas shpalljes së pavarësisë nëse nuk do ta kishim, veç të tjerash, aktin e marrjes nën mbrojtje nga Presidenti i SHBA-së, Woodrow Wilson dhe Austro-Hungaria. Sikundër që Kosova nuk do të ishte sot shteti i dytë shqiptar në Ballkan pa ndërhyrjen ushtarake të NATO-së kundër ushtrisë së Millosheviqit. Serbia e di mirë se është e rrethuar me anëtare të NATO-s dhe e bënë atë që më së miri është për të në këso rrethanash. Ajo e bën politikën që mundet, pasi e di se çdo veprim tjetër do i kushtojë katastrofë.

Konstatimet se këtu bëhet fjalë për ndonjë Jugosllavi të re sa janë komike, për ata që kanë së paku dy gram dituri, aq janë edhe tragjike për nivelin e injorancës ndër ata që kanë diploma të bollshme, por ose s’kanë dije elementare për atë që flasin ose me injorancë e manipulojnë opinionin për ndonjë qëllim të tyre. Për një gjë të tillë që në shkollën fillore mësohet se duhet një parlament i përbashkët, një qeveri, administratë, ushtri, polici…

Pa dilemë se ideja “Ballkani i Hapur” hapi do të plagë të thella në rajon, madje edhe mes dy pushteteve në Shqipëri e Kosovë. Sikur dikush kishte aq shumë nevojë për t’i ndërsyer zagarët mediatikë për ta shqyer “tradhtarin” që ia “shet kombin armikut historik”! Argumentet kundër në ambientin shqiptar janë të llojeve të ndryshme, por sikur dominon ai i dhunës dhe i terrorit për dekada e vite të ushtruar në Kosovë. Por, gjithherë ka nevojë për një qasje të re. Po të nisej bota normale gjithherë me këtë argument, atëherë asnjëherë në Europë s’do kishte paqe. Në dy qind vitet e fundit, në luftërat mes shteteve europiane, tani anëtare të BE-së, humbën jetën afro 130 milionë njerëz dhe pati shumë vuajtje, shkatërrime e dhunime. Vetëm në Luftën e Dytë Botërore gjetën vdekjen mbi 50 milionë njerëz.

Një argument tjetër kundër është konstatimi se Serbia ka fuqi më të madhe ekonomike dhe aftësi konkurrente dhe se eksporti serb në Shqipëri është afro tri here më i lartë se e kundërta. Thënë shkoqur, ekonomia e Serbisë do ta përmbysë tregun shqiptar me produktet e saj ushqimore. Por, çdo ekonomist mesatar do t’ua thotë se zgjidhja nuk është duke penalizuar eksportuesin serb, por duke e stimuluar më shumë prodhuesin shqiptar. Fatkeqësisht, e kundërta na ndodhë prej vitesh. Prandaj zgjidhja do të ishte një politikë incentivuese e asaj që quhet “zëvendësimi i importeve”, kryesisht për produktet bujqësore dhe ushqimore, për të cilat Shqipëria ka avantazh. Sa u përket produkteve industriale dhe teknologjike, nuk kemi pse të lodhemi, sepse çdo prodhim që pretendojmë ta shesim në BE i plotëson kriteret konkurrente gjermane ose italiane. Por, duhet theksuar se në çdo tregti të përbashkët ka subvencione nga fonde të përbashkëta.

Pas involvimit të drejtpërdrejtë amerikan në projektin “Ballkani i Hapur”, Kurti provon të gjejë rrugëdalje nga ajo që ai aq shumë e pat sulmuar këtë proces. Tani ai thekson se Procesi i Berlinit është i kapshëm, pasi apriori thirret në gjashtë vendet e rajonit. Por, pas letrës nga Vuçiqi, Rama dhe Zaevi drejtuar BeH-së, Malit të Zi dhe Kosovës, që edhe këto vende të përfshihen në proces, tani mund të thuhet se këto dy projekte i ngjajnë si veza vezës.

Dinamizimi i “Ballkanit të Hapur”

 Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia, në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur”, që u mbajt më 7 dhe 8 qershor në Ohër, nënshkruan katër marrëveshje dhe memorandume. Një ndër to është edhe marrëveshja që ka të bëjë me luftën kundër evazionit fiskal, gjegjësisht shmangies së pagesës së tatimit. Marrëveshja thekson nevojën për punë të përbashkët për ta inkurajuar përmbushjen e detyrimeve tatimore në të tria vendet. Ata do të thellojnë edhe më tej bashkëpunimin në sferën ekonomike, atë të arsimit, kulturës dhe turizmit. Marrëveshjet, sipas tyre, do ta forcojnë edhe paqen dhe stabilitetin në rajon, pas agresionit rus në Ukrainë, për shkak të frikës nga ndikimi i ndonjë shteti tjetër, duke aluduar në Rusinë.

Në tekstin e marrëveshjes së paraparë në fushën e njohjes reciproke të diplomave, iniciativa e mbron përshpejtimin e procedurave për njohjen e diplomave të arsimit të lartë ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Memorandumi për bashkëpunim kulturor promovon shumëllojshmërinë kulturore, dialogun ndërkulturor dhe mirëkuptimin e ndërsjellë. Përballja me mungesën e ushqimit dhe energjisë së bashku është një çështje me të cilën do të përballen drejtuesit e nismës “Ballkani i Hapur”.

“Që kur nisi lufta në Ukrainë, unë i kam ditur edhe raportet mes Serbisë dhe Kosovës ose Serbisë dhe Rusisë, por sot jemi këtu sepse duam të vazhdojmë drejt së ardhmes, por pa i mbyllur sytë se kemi probleme të pazgjidhura, siç është ai mes Kosovës dhe Serbisë” – citohet të ketë thënë Edi Rama.

Shumë e pritshme është se ka forca ogurzeza në rajon që në çdo kohë dëshirojnë konflikt dhe ato e presin momentin e duhur. Njerëzit e përgjegjshëm s’duhet t’ua japin momentin. S’ka ilaç më të mirë kundër tyre sesa bashkëpunimi dhe integrimi. Të tjerat janë vetëm mashtrime, keqpërdorime dhe manipulime, ku s’jepet asnjë rrugëdalje, pos komplikimeve që e çojnë popullin në ferr.

Shqipëria dhe Kosova, si shtete dhe si politika institucionale, duhet të koordinohen efektivisht drejt afrimit, integrimit rajonal dhe bashkëveprimit, pasi për një bashkim formal do të duhet të kalojë edhe shumë kohë, madje edhe pas marrëveshjes eventuale me Serbinë. Të kujtojmë se për një bashkim edhe formal, për momentin pengesë është edhe vet kushtetuta e Kosovës, e cila që në nenin 1 e ndalon një gjë të tillë.

Pra, mbetet që të mësohemi që gjithçka ta shohim me mendje të hapur, qoftë edhe po ta ketë emrin “Ballkan i Hapur”.