` . Ballkanasit vazhdojnë të përtypin histori! - TV SHENJA

Ballkanasit vazhdojnë të përtypin histori!

Në këto 20-30 vitet e fundit, Bullgaria nuk ka pasur ndonjë qëndrim të fortë antimaqedonas në politikën ndërkombëtare, ashtu siç e kishte shprehur hapur Greqia, që nga fillimi, kontestin për emrin e shtetit. Bullgaria duket se mori mësim nga Greqia, duke e kushtëzuar BE-në për favore ekonomike dhe vetë filloi të luajë në të njëjtën kartë. Dhe, derisa BE-ja është dizajnuar në atë mënyrë, që principi i vetos të jetë primar në strukturën e saj organizative, s’do mend se edhe në këtë “luftë” Bullgaria do të dalë fituese, sikurse Greqia!

Shkruan: Sevdail DEMIRI, Kumanovë

“Ne në Ballkan kemi histori më shumë seç mund ta përballojmë”, theksonte në qershor të vitit 1991, ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë e Hercegovinës, Haris Sillajxhiq, duke nuhatur zhvillimet e mëvonshme dramatike që shkundën gjithë ish-Jugosllavinë, duke lënë pas qindra e mijëra viktima. Dhe, thënia e tij doli të ishte shumë e saktë, jo vetëm se atëherë kur u pa praktikisht se popujt ballkanikë kanë histori jashtë kornizave të mundësisë reale për konsum, por – fatkeqësisht – ngopja me historinë nuk po përfundon as sot e kësaj dite, kur të gjitha shtetet veçse kanë thurur gardhiqet e tyre.

Derisa në vitet e ‘90-ta të shekullit të kaluar po ndodhte ndryshimi i madh – kalimi nga një sistem totalitar në një sistem plural politik, edhe 30 vjet më pas, ende ka shtete të cilat nuk po arrijnë ta bëjnë hapin e duhur transformues, që e kërkon koha – integrimin e plotë në strukturat euroatlantike.

 

Për bullgarët, dikur Maqedonia – sikurse sot Gjermania për ne!

 

Në vitet e ‘90-ta të shekullit të kaluar, Maqedonia po synonte ta formonte entitetin e ri shtetëror dhe të izolohej nga konfliktet e përgjakshme, që kishin filluar nga republikat veriore ish-jugosllave. Asokohe Bullgaria, po ashtu, po bënte kapërcimin e sistemit politik, por ajo ishte dukshëm më e lodhur ekonomikisht dhe politikisht. Për qytetarët bullgarë, Maqedonia e atëhershme ishte sikurse sot që është Gjermania për ne! Shumë shtetas bullgarë i pushtonin rrugët kryesore të qyteteve tona, duke sjellë këtu gjësende dhe mallra pazari, që për ne dukeshin ekstremisht të lira, por për ata vlenin shumë! Asokohe askush nuk mund ta kishte imagjinuar se një ditë Bullgaria do bëhej një faktor vendimtar në organizatën më të madhe politike dhe ekonomike të Europës, e njohur si Bashkimi Europian.

Ndonëse edhe sot Bullgaria është njëra nga vendet më të varfra të BE-së, për këtë të fundit dhe për gjithë faktorin perëndimorë ka qenë i rëndësishëm fakti që Bullgaria të shkëputej njëherë e përgjithmonë nga orbita ruse, ku është rrotulluar historikisht. Sigurisht, ky ishte një hap shumë i mençur dhe strategjik i europerëndimorëve, të cilët po investonin me të madhe që gjithë Ballkani të merrte orientimin e duhur. Kështu bëri me kohë edhe me Malin e Zi dhe tani Perëndimi po përpiqet që ta vërë nën rezonancën e vet edhe Serbinë, si njëra ndër aleatet kryesore të derisotme të Rusisë.

 

Bullgaria mori mësim nga Greqia

 

Në anën tjetër, dihet mirëfilli konteksti historik dhe politik në të cilin u krijua Republika e Maqedonisë (së Veriut). Por, po ashtu, është fakt se në këto 20-30 vitet e fundit, Bullgaria nuk ka pasur ndonjë qëndrim të fortë antimaqedonas në politikën ndërkombëtare, ashtu siç e kishte shprehur hapur Greqia, që nga fillimi, kontestin për emrin e shtetit. Bullgaria duket se mori mësim nga Greqia, duke e kushtëzuar BE-në për favore ekonomike dhe vetë filloi të luajë në të njëjtën kartë. Dhe, derisa BE-ja është dizajnuar në atë mënyrë, që principi i vetos të jetë primar në strukturën e saj organizative, s’do mend se edhe në këtë “luftë” Bullgaria do të dalë fituese, sikurse Greqia! Maqedonasit edhe mund të gjymtohen në një pjesë të identitetit të tyre kulturor, historik e kombëtar, por Maqedonia e Veriut, si shtet, do të ecë më sigurt drejt Perëndimit dhe përfundimisht do të shkëputet nga Lindja.

Realisht, çështjet identitare, kulturore e historike, për të cilat tash është ngritur aq shumë pluhur në Shkup dhe Sofje, nuk paraqesin kurrfarë interesimi të veçantë për europianët e sotëm. Multikulturalizmi europian është një koncept gjerësisht i njohur dhe i ndërtuar mbi parimin e respektimit të kulturave e traditave të njëri-tjetrit, me të përbashkëtat dhe dallimet. Prandaj, çështja se kush si ndjehet është problem i brendshëm i atij që deklarohet si i tillë. Ta zëmë, Gjermania, Austria e Zvicra asnjëherë nuk fërkohen me njëra-tjetrën pse popujt e tyre flasin një gjuhë (gjermane) apo pse kanë një të kaluar të përbashkët a kundërthënëse gjatë viteve të gjata të historisë!? Por, këtu shihet qartë se për ballkanasit ende nuk është konsumuar e gjithë historia, prandaj atë vazhdojnë ta përtypin çdo ditë, shpeshherë duke u shkumuar me gojën plot “identitet”, “gjuhë”, “heronj” e çka jo tjetër.

 

Pozicioni i shqiptarëve – i paartikuluar

 

Në gjithë këtë dimension problematik të realitetit politik në raportet e reja Bullgari – Maqedoni e Veriut, shtrohet pyetja se cili është pozicioni i shqiptarëve?! Ky pozicion, fatkeqësisht, nuk u arrit të artikulohej aty ku ishte më se i nevojshëm – në komisionin ndërshtetëror që po merret me tejkalimin e dallimeve mes dy shteteve. Prania e një historiani kompetent shqiptar brenda atij komisioni do të ishte më relaksues për punën e tij, meqë, në radhë të parë, ai do të duhej të kishte një qëndrim pak më neutral sentimental për dallimet në çështjet identitare mes maqedonasve dhe bullgarëve, ashtu siç kishte një rol të tillë në rastin e komisionit ndërshtetëror me Greqinë.

Fundja, praktika ka treguar se komisionet shpeshherë formohen pro-forma, madje ndonjëherë edhe për të mos kryer punë fare! Ajo që kryen punë këtu (për fat të keq) ende është politika! Rrjedhimisht, kontesti mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë do të zgjidhet atëherë kur do të bien ujdi krerët e politikës shtetërore, të koordinuar nga Brukseli! Një sinjal i tillë i “lëshimit pe” veçse u dha kohë më parë nga kreu i Qeverisë në Shkup!

Është thënë miliona herë që Ballkani nuk ka zgjidhje tjetër, pos integrimit të plotë në Bashkimin Europian. Natyrisht, kjo ka kuptim më të veçantë posaçërisht në rastin e shteteve të vogla, të cilat e kanë të pamundur të kenë perspektivë të shëndoshë jashtë këtij organizmi europian.

Viti 2021 është vendimtar për integrimin dhe duhet të jetë më shpresëdhënës për të gjithë!