` . Avokati Hooper insiston në lirimin e Thaçit nga paraburgimi: S’mund të krahasohet me Karaxhiqin - TV SHENJA

Avokati Hooper insiston në lirimin e Thaçit nga paraburgimi: S’mund të krahasohet me Karaxhiqin

David Hooper, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i ka paraqitur në Gjykatën Speciale të hënën përgjigjet e tij ndaj parashtresave të kryeprokuorit të Specializuar, Jack Smith, kundër lirimit të përkohshëm të klientit të Thaçit.

Avokati i Thaçit i ka cilësuar “mashtruese dhe selektive” parashtresat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar lidhur me kërkesën për lëshimin e urdhërarrestit ndaj Thaçit dhe mbajtjen e tij në paraburgim.

“Është një tipar tregues i përgjigjes së ZPS-së që ZPS ka përgjithësuar në mënyrë të përsëritur pretendimet e saj ka paraqitur keq dhe karakterizuar keq provat themelore e ka mashtruar gjykatën dhe me qëllim i ka hequr provat kryesore në bërjen e parashtresave të saj”, thuhet në përgjigjen e Hooper.

Ai i ka dhënë rëndësi të veçantë pretendimit të ZPS-së për ta krahasuar Thaçin me politikanin famëkeq serb, Radovan Karaxhiq, i cili ishte dënuar për gjenocid me burgim të përjetshëm nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë. Hooper ka thënë se është për keqardhje krahasimi i Thaçit me Karagjiqin, duke përmendur faktin se Thaçi u dorëzua vullnetarisht në Gjykatën Speciale.

“Është për të ardhur keq paraqitja e ZPS-së duke tërhequr krahasimin me ‘figurat e tjera të njohura ndërkombëtare’ që përdorën ‘burimet e tyre për t’iu shmangur drejtësisë’. […] Ndryshe nga presidentët Habré, Karagjiq dhe Taylor, të cilët pasi mësuan konfirmimin e aktakuzave kundër tyre u arratisën, Z. Thaçi kur mësoi të se aktakuza ndaj tij ishte konfirmuar dha menjëherë dorëheqje si president i Kosovës dhe iu dorëzua DHSK-së”, thuhet në materialin që Hooper ia ka dorëzuar gjykatës.

Avokati anglez ka përmendur angazhimin e Thaçit “për pajtimin e etnive të ndryshme në Kosovë”, duke thënë se ai ishte nominuar për ta fituar çmimin Nobel për Paqe.

“Kjo është një e drejtë civile që i ofrohet çdo të akuzuari, përfshirë edhe atë që deri në ditën e arrestimit ishte President i respektuar me një angazhim për paqe dhe stabilitet – një i nominuar për çmimin Nobel për Paqe – i cili tani akuzohet për kryerjen e krimeve 22 vjet më parë”, ka shkruar Hooper në parashtresë.

Ai konsideron se provat e Prokurorisë lidhen me shumë ngjarje të nxjerra jashtë kontekstit.

“Siç diskutohet në Aplikimin fillestar dhe më poshtë, ‘provat’ e mbështetura nga ZPS kanë të bëjnë me shumë ngjarje të marra jashtë kontekstit dhe nuk janë shpjeguar ose paraqitur në mënyrë të papërshtatshme”, thuhet në parashtresën e mbrojtjes.

Hooper, siç transmeton Express, shkruan se privimi i Thaçit nga liria nuk mund të arsyetohet me paralajmërimin se ai “mund të dënohet me burgim të përjetshëm”.

“Gjykata do të pranojë që privimi i një individi nga liria e tij është një vendim i rëndë edhe pas një dënimi”, thotë avokati i Thaçit, ndërsa i jep përgjigje edhe pretendimeve të Prokurorisë për rrezikun që ish-drejtori politik i UÇK-së të arratisej.

“Rreziku duhet të jetë një rrezik real më shumë sesa të jetë imagjinar ose thjesht mundësi”, shkruan Hooper.