` . Atrofizimi gradual i parlamentarizmit kosovar - TV-SHENJA

Atrofizimi gradual i parlamentarizmit kosovar

Disiplina partiake në Kosovë është kryesisht e fortë. Ndonëse Kushtetuta thotë që “Deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues” (neni 70/1), praktika parlamentare ka dëshmuar se kjo dispozitë nuk përkon plotësisht me realitetin politik. Rrallë është hasur ndonjë rast kur deputetët kanë votuar kundër vullnetit të kreut të subjektit politik të cilit i takojnë ose grupit parlamentar, pjesë e të cilit janë vetë.

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren

Sado që kanë evoluar teoritë dhe konceptet qeverisëse në botë – si nga qëmtimet akademike, ashtu nga orvatjet praktike – duhet pranuar faktin se as mendja filozofike e as puna konkrete në këtë drejtim nuk ka nxjerrë një rezultat përfundimtar që do të ishte ilaç për sëmundjet e paraqitura në organizmin shtetëror e jetën publike.

Mbi të gjitha, nuk është ekzagjerim nëse thuhet se një sistem prototip i skicuar në tryezën e konstitucionalistëve a politologëve asnjëherë nuk do t’i përshtatet plotësisht secilit komb që e  ka shtetin e vet. Që nga struktura socio-ekonomike e deri te kultura dhe tradita politike që mbretëron frymën e një vendi, radhiten një sërë faktorësh determinues të matjeve të sakta kur synohet projektimi juridik i një sistemi qeverisës.

Kështu, secili model qeverisës i ka përparësitë dhe mangësitë e veta dhe mbi supet e klasës politike, institucioneve të shtetit, elitës intelektuale, shoqërisë civile dhe qytetarëve në përgjithësi rëndon pesha e përgjegjësisë për aktivizimin e shëndoshë të funksionimit të rregullt të respublica-s. Pra, asaj që është publike/e përbashkët.

Në vijim do të preken disa veçori nga praktika e parlamentarizmit kosovar.

Ndarja e pushteteve mes ideales dhe reales

Kushtetuta e Republikës së Kosovës e ka adoptuar parimin e ndarjes së pushteteve. Ky standard modern i konstitucionalizmit është materializuar në nenin 4 të Kushtetutës [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], ku në paragrafin e parë deklarohet se “Kosova është Republikë demokratike e bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe kontrollit e balancimit në mes tyre, sikurse është përcaktuar me këtë Kushtetutë”. Në gjashtë paragrafët vijues përcaktohen në vija të trasha funksionet e pushteteve shtetërore.

Definicionet e teksteve kanë rol në krijimin e sistemit shtetëror. Megjithëkëtë, ato kanë ndikim në realitet për aq sa janë të zbatueshme. Pasqyra shfaq lakuriq të vërtetën vetëm kur e vërteta nuk fshihet.

Kryepari, që nga themelimi i shtetit kosovar, fuqia faktike e të gjitha qeverive të derisotme ka prevaluar fuqinë e Kuvendit. Qeveritë – vijanoz – kanë ushtruar një lloj trysnie ndaj organit legjislativ. Kjo dukuri është manifestuar në disa forma. Kësisoj, me pak përjashtime, pjesa dërrmuese e projektligjeve janë propozuar nga Qeveria. Kjo është tërësisht kushtetuese, ngase Qeveria e gëzon të drejtën e nismës legjislative sipas nenit 79 të Kushtetutës, mirëpo epërsia e madhe e projektligjeve të hartuara nga Qeveria dhe nxjerrja e tyre në Kuvend – rëndom me besnikëri nga deputetët ndaj pushtetit ekzekutiv (që konsiston të jetë i udhëhequr nga shefat partiakë të tyre) – zbeh rolin e Kuvendit si organ legjislativ origjinar.

Përpos kësaj, kontrolli parlamentar ndaj punës së qeverive ka ndjekur një ritëm të ulët dhe joefektiv, përjashtuar zërat e përfaqësuesve opozitarë, që s’i kanë pasur numrat të ndërmarrin ndonjë veprim serioz ndaj Qeverisë. Ngritja e komisioneve ad hoc dhe të atyre hetimore përkitazi me çështjet e ndjeshme për opinionin publik zakonisht nuk ka prodhuar ndonjë rezultat bindës.

Summa summarum, Kuvendi është shndërruar shpeshherë në një noter miratues të akteve juridike që kanë kërkuar qeveritë.

Kë përfaqësojnë deputetët?

Disiplina partiake në Kosovë është kryesisht e fortë. Ndonëse Kushtetuta thotë që “Deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues” (neni 70/1), praktika parlamentare ka dëshmuar se kjo dispozitë nuk përkon plotësisht me realitetin politik. Rrallë është hasur ndonjë rast kur deputetët kanë votuar kundër vullnetit të kreut të subjektit politik të cilit i takojnë ose grupit parlamentar, pjesë e të cilit janë vetë. Në disa raste të vendimeve parlamentare, si zgjedhja e Presidentit ose demarkacioni i kufirit me Malin e Zi etj., ka pasur vota kundër brenda të njëjtit subjekt, mirëpo kur e shohim në tërësi performansën e deputetëve përgjatë të gjitha legjislaturave për këto vite, që nga 2008-ta, atëherë fare lehtë arrihet në konkluzionin se deputetët – më tepër se përfaqësues të popullit – janë sjellë si përfaqësues partish politike.

Ikja nga përgjegjësitë

Një veti problematike është ikja nga përgjegjësia e bartësve të institucioneve të larta të shtetit. Në Kosovë është përhapur fenomeni i hedhjes së fajit tek tjetri dhe për problemet themelore është vështirë t’i atribuohet përgjegjësia konkrete emrit të përveçëm si titullar i një funksioni publik. Vetëm nëse ndalemi shkarazi në problemet e viteve të fundit, sikundër janë krizat ekonomike, sundimi i ligjit, shtrirja e sovranitetit në Veri, bisedimet me Serbinë, demarkacioni me Malin e Zi, çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, formimi i Gjykatës Speciale, mosliberalizimi i vizave, ideja e shkëmbimit territorial mes Kosovës e Serbisë, tarifa100% e vendosur për produktet serbe etj., shohim se që të gjitha paraqesin sfera të cilat nuk e kanë një adresë të saktë të individëve përgjegjës. Disa nga protagonistët ideatorë a nismëtarë të këtyre temave kanë ndërruar pozicione katërçipërisht: mjafton të kujtojmë përpjekjen për suprimimin e Gjykatës Speciale nga politikanët që vetë e kanë sponsorizuar dhe votuar themelimin e kësaj gjykate.

Dhe, ndërlidhur me objektin e temës që po trajtohet në këtë shkrim (parlamentarizmi kosovar), vjen edhe silogjizmi se Kuvendi ka qenë edhe nikoqir i fontanës së dëshirave të pushtetit ekzekutiv. 

Mazhorancat pa unitet

Karakteristikë e parlamentarizmit kosovar është edhe përçarja brenda mazhorancës qeverisëse dhe kjo ka ndikuar në efikasitetin dhe efektivitetin e veprimtarisë së ekzekutivit. Të gjitha qeveritë e deritashme janë zgjedhur falë marrëveshjeve të koalicionit.

Por, si një hije mallkimi që ka ndjekur hap pas hapi bashkëjetesën e partive në koalicionet qeverisëse është prirja e tyre për të gjetur papajtueshmëri mes vete. Pak kohë pas ndarjes së pozitave shtetërore, ortakët e një koalicioni zakonisht kanë shpalosur tendencën e sabotimit të marrëveshjeve paraprake mbi programin e harmonizuar për një qeverisje të përbashkët. Madje, në periudha të caktuara, brenda anëtarëve të koalicioneve ka pasur zëra të ndryshëm për çështje të njëjta me rëndësi jetike për vendin. Domosdo, situatat e këtilla kanë pasur implikime në mbarëvajtjen dhe konsensusin e brendshëm të spektrit politik, bile edhe për çështje me karakter ndërshtetëror.

Asnjëra nga qeveritë e formuara deri në vitin 2020 nuk e ka mbaruar mandatin kushtetues katërvjeçar, sepse çdoherë janë zbuluar plasaritje që nuk ka qenë e mundur të sanohen lehtë dhe, për rrjedhojë, është shembur konstruksioni i brishtë i koalicioneve. Qoftë dorëheqja e kryeministrit, qoftë ndonjë mocion i suksesshëm mosbesimi ndaj Qeverisë, vazhdimisht është trasuar njëra rrugë procedurale për rënien e Qeverisë. Në cilindo variant, rezultati ka qenë mungesa e konsistencës në qeverisje.

Demokraci a partitokraci?

Kultura parlamentare në Kosovë lë për të dëshiruar. Megjithëse në parim është një sistem që ofron manovrime të shumta për të shmangur kriza politike, parlamentarizmi në Kosovë ende nuk ka arritur të konsolidohet sipas parametrave bashkëkohorë të modeleve që kanë dëshmuar sukses në shtete të ndryshme të botës.

Funksionimi i deritashëm i parlamentarizmit kosovar është shoqëruar me Qeveri të mbarsura me paqëndrueshmëri, rëndom mossuksese dhe joefektive. Kur të gjitha këto bëhen tok, per se del në pah edhe shkalla e demokracisë në raport me sistemin.

Mbase vetë marrëveshjet për koalicione mund të dëftojnë mjaftueshëm për gjendjen në fjalë. Nëse lëmë mënjanë premtimin parazgjedhor të dy partive (VV dhe LDK) se pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të datës 6 tetor 2019 do të formojnë së bashku kabinetin qeveritar dhe votuesi i nxori si dy partitë më të votuara në garën zgjedhore, gati përherë koalicionet janë formuar e janë prishur me lojërat politike dhe pazarllëqet mes subjekteve dhe deputetëve dhe jo me votat e qytetarëve (ose me vota të orientuara). Çfarë do të thotë kjo? Ky është një tregues se në skenën politike të Kosovës, në vend të sundimit të popullit (demokracisë) ka hedhur shtat sundimi i partive (partitokracia). E aty ku demokracia mbetet xhuxhe, partitokracia bëhet gjigante.

Deri diku kjo edhe është e kuptueshme (por jo e arsyetueshme) qasja e tillë në skenën politike të Kosovës, sepse një pjesë bukur e mirë e protagonistëve kryesorë të politikës në Kosovë janë edukuar në periudhën moniste kur jeta shtetërore organizohej bazuar në doktrinën marksiste. Duke marrë në konsideratë se ideologët marksistë proklamonin botëkuptimin se partia është strumbullari themelor i udhëheqjes së shtetit që kontrollon të gjitha levat e pushtetit – që nga ekonomia e deri te edukimi (lexo: indoktrinimi) i popullit – atëherë vetiu nënkuptohet se aparati shtetëror është i mishëruar me partinë. Së këtejmi, zyrtarët e partisë – njëherësh – janë edhe zyrtarë të shtetit. Kjo simbiozë mund të ketë funksionuar (!) në regjimet moniste, por është e qartë se paraqet antipod me rendin demokratik.

Për dallim nga e kaluara, sot në Kosovë ka inflacion partish, mirëpo nuk ka dallime aq të mëdha mes tyre. Domethënë, numri i partive është në proporcion të zhdrejtë me pasurinë programore të tyre. Intervali kohor 2008-2020 nuk ka sjellë ndryshime esenciale në qeverisje, ashtu siç prisnin qytetarët. Se çfarë na ofron e ardhmja, kjo mbetet të vlerësohet.

Sistemi pluralist ka bërë që të formohen parti të shumta. Megjithëkëtë, për aq sa kjo mund të cilësohet si begati e demokracisë, po ashtu i ka edhe të metat e veta, që atakojnë vetë demokracinë. Në këtë kontekst mund të përmenden disa fenomene, që gjejnë vend tek jeta politike në Kosovë.

Partitë kosovare nuk janë gjithaq demokratike brenda vetes. Ato, aakonisht, udhëhiqen nga liderë të fuqishëm dhe gati të pakontestueshëm ose nga klika të fuqishme brenda strukturave. Në këtë mënyrë ngrihet kulti i individit dhe përhapet mendimi uniform brenda anëtarëve të partive.

Numri i madh i partive ka bërë që të ekzistojnë ca parti që në teori njihen si parti satelite. Funksioni i tyre konsiston vetëm në ndihmesën e ndonjërit krah të fortë politik për të formuar institucionet dhe për t’ua siguruar ndonjë votë të nevojshme në Kuvend, e jo për t’i dhënë vlerë të shtuar demokracisë. Madje, e kaluara parlamentare në Kosovë ka dëftuar se partitë me numër të vogël deputetësh ose edhe deputetët e pavarur kanë arritur të sigurojnë privilegje marramendëse – qoftë pjesë të mëdha nga pasta e qeverisjes, qoftë edhe përfitime ekonomike – gjë që shpërfaq raportin midis partive politike dhe botës së biznesit.

Përgjithësisht, partitë kanë një lloj prirjeje për të vënë në dispozicion të tyre të mirat që i ofron shteti. Njëra ndër pasojat është edhe politizimi i theksuar i administratës dhe burokracisë së shtetit.

Indikatorët e tillë flasin se në Kosovë partia është parë si mjet për të prekur majat e pushtetit dhe për t’i shfrytëzuar të gjitha privilegjet që i ofron ai. Kjo pikëpamje e ka pjellë edhe gjendjen në të cilën Kuvendi, në plot raste, shndërrohet në një numërator ku deputetët ngrenë duart ashtu siç do pushteti i brendshëm partiak. Ky ka qenë kahu i trajektores së parlamentarizmit kosovar, i cili mezi pret të ndryshojë kursin e binarëve, në mënyrë që të takohet me demokracinë reale, pasi është bezdisur me atë nominale. Ka ardhur e po kalon koha kur parlamentarizmi kosovar duhet të ballafaqohet me pyetjet ontologjike: pse jam në Kosovë dhe çfarë dua të arrij? Përgjigjet do të japin kuptim për raisond’être të parlamentarizmit dhe do t’i mbyllin hendeqet mes trekëndëshit: demokraci-pushtet-qytetar.