` . Arti i gjeometrisë në Islam - TV SHENJA

Arti i gjeometrisë në Islam

Tempujt në të gjitha qytetërimet janë ndërtuar duke marrë në konsideratë raportet dhe proporcionet gjeometrike, me dimensione që konsiderojnë kalkulimet matematikore, konstante dhe raporte të tilla si “mesatarja e artë / e shenjtë” dhe përdorimi i gjeometrive të bazuara në rrënjë proporcionale, drejtkëndësha proporcionalë dhe trekëndëshin pitagorean (Pennick, 1994). Për shembull, katedralet e krishtera përfshijnë gjeometrinë simbolike, ndërsa hartimi i tempujve hindu dhe budistë bazohej në gjeometrinë e shenjtë.

Shkruan: Brunilda BASHA, Stamboll

Të kuptuarit e artit Islam lidhet drejtpërsëdrejti me të kuptuarit e mesazhit të fesë, si dhe me përdorimin estetik të elementëve të ndryshëm, të cilët i shërbejnë atij qëllimi hyjnor. Nëpërmjet punimeve të mjeshtërve dhe artistëve muslimanë, përgjatë gjithë kohës qëkur Islami u shpall si fe, u shfaqën edhe forma të ndryshme të estetikës islame, si arabeskët, kaligrafia, floralet, format gjeometrike etj. Të gjitha këto forma arti synonin ta përçonin filozofinë e besimit, botëkuptimin e jetës dhe të mendimit racional të krijimit, madje jo rrallë herë duke shërbyer si katalizatorë për ta shtyrë njeriun në introspeksionin shpirtëror mbi kuptimin dhe lidhjen e Krijues – krijim. Një nga format dhe elementet kryesore të artit islam, i përdorur në çdo vend ku Islami si fe ka luajtur rol inspirues në dizajn, është gjeometria. Nëse i referohemi Platonit, gjeometria është shkenca e “matjeve hapësinore”. Vetë ligjet për mënyrën sesi gjërat lejohen të funksionojnë nga “Vullneti Hyjnor” janë ligjet e “Harmonisë së Qenies”.

Sipas fjalorit të Oxfordit, fjala gjeometri i referohet shkencës së vetive dhe marrëdhënieve të madhësive, siç janë pikat, vijat, sipërfaqet ose hapësirat solide ​​dhe mënyra se si pjesët e një objekti të veçantë ndërlidhen së bashku. Gjeometria, nëse e zbërthejmë si fjalë, përbëhet nga 2 fjalë greke: “geo”, që do të thotë tokë, dhe “metry”, që do të thotë të përmasë. Në fjalë të tjera, gjeometria është studimi i rendit hapësinor nëpërmjet masës/përmasave dhe marrëdhënieve të formave. Ndër shekuj ajo është aplikuar në shumë ndërtesa dhe forma projektimi.

Gjeometria dhe aritmetika, së bashku me astronominë (shkenca e rendit kohor përmes vëzhgimit të lëvizjes ciklike), përbënin disiplinat kryesore intelektuale të arsimit klasik. Gjurmët e para të konfirmuara dhe të regjistruara të njohurive gjeometrike dhe marrëdhënies së saj me astronominë, njerëzimin dhe muzikën, mund të gjenden te grekët e lashtë, në veçanti tek Pitagora dhe Platoni. Ndonëse para grekëve shumë civilizime të vjetra kanë lënë gjurmë të qarta gjeometrike, duke aplikuar gjeometrinë e shenjtë në ndërtimet e tyre, si për shembull:gurët e gdhendur prehistorikë të gjetura në Skoci”(Critchlow, 1987;Dabbour,2012) ose në Egjiptin e Lashtë (prej nga e trashëguan dhe grekët), gjeometri quhej përcaktimi i kufijve të tokës pas përmbytjeve nga lumi Nil. Kjo në atë kohë shihej si rivendosje e ligjit dhe rendit në tokë. ((Lawlor, 2002))

Grekët ishin të parët që e studiuan gjeometrinë

Tempujt në të gjitha qytetërimet janë ndërtuar duke marrë në konsideratë raportet dhe proporcionet gjeometrike, me dimensione që konsiderojnë kalkulimet matematikore, konstante dhe raporte të tilla si “mesatarja e artë / e shenjtë” dhe përdorimi i gjeometrive të bazuara në rrënjë proporcionale, drejtkëndësha proporcionalë dhe trekëndëshin pitagorean (Pennick, 1994). Për shembull, katedralet e krishtera përfshijnë gjeometrinë simbolike, ndërsa hartimi i tempujve hindu dhe budistë bazohej në gjeometrinë e shenjtë.

Duke u rikthyer tek gjeometria islame ose gjeometria në artin islam, mund të pohojmë se gjeometria “e shenjtë” dhe elementët gjeometrikë kanë pasur një rëndësi të veçantë edhe në të. Gjeometria dhe proporcioni ishin karakteristikë e dukshme e arteve Islame. Ata janë përdorur që në fillimet e tij për të krijuar forma unike gjeometrike dhe kanë shërbyer si strukturë themelore e procesit të dizajnit islam. Është e habitshme kur sheh mundësitë e pafundme kombinuese të tyre.

Parimi kryesor i Islamit është Njëshmëria e Zotit dhe adhurimi vetëm i Tij. Njeriu, nga vetë natyra e tij, shpesh kërkon një qoshkë vend ose ndërtesë për t’u vetmuar, lutur dhe falur Zotit, ndaj përfaqësimi fizik i këtij ambienti është shumë i rëndësishëm dhe esencial. Por, siç dihet, besimi islam nuk i pranon lutjet ose adhurimet drejtuar statujave, figurave dhe çdo qenie tjetër, veç Zotit. Mu për këtë arsye, në linjë me filozofinë e besimit, sipas Hasan Fathy-t, u shfaq shkenca e gjeometrisë “së shenjtë”, e cila ka si synim krijimin e një hapësire në harmoni të plotë fizike/mjedisore që pasqyron konceptin hyjnor të harmonisë së njerëzimit dhe është një mjet për të shfaqur mënyrën e jetesës sipas besimit hyjnor, perceptimin e botës dhe mendimin racional të jetës. Gjeometria në Islam, nëpërmjet manipulimit të hapësirës, dritës, formave dhe ngjyrave, ka për qëllim ta udhëheqë shpirtin drejt hyjnores. Ajo ta kujton madhështinë e Zotit, nxit për përkujtimin e Tij dhe për bërit dhikr (përmendje). Platoni thotë: “Bukuria është shkëlqimi i së vërtetës”. Edhe në Islam e Bukura (ndonëse mund pritet të thuhet se është subjektive dhe ne varësi të syrit që e shikon), është mjaft objektive pasi shpreh të vërtetën e pandryshueshme, atë hyjnore.

Çdo formë ose figurë, nëse e shohim në perspektivën e kuptimit simbolik, reflekton një vlerë dhe parim brenda kornizës së harmonisë universale. Nëse shikojmë përreth, do të shohim se çdo qelizë e ekzistencës është ndërtuar mbi kalkulimet aritmetike ose modelet gjeometrike, si në molekulat, atomet, qelizat, njeriun, natyrën ose kozmosin. Struktura e universit përcaktohet nga konstante të caktuara matematikore dhe gjeometrike, të cilat e konfirmojnë faktin se proporcionet janë pëlhura themelore e natyrës. Da Vinçi, nëpërmjet përmasave matematikore të trupit të njeriut (Njeriu Vitruvian), tregoi se qenia njerëzore e përfaqëson më së miri raportin “e artë” në trupin e tij. Nëse i referohemi Kuranit të Shenjtë, njeriu në vetvete zotëron përpjesëtimet më harmonike: “Ne vërtet e kemi krijuar Njeriun në formën më të mirë” (Kuran 95: 4)

Një tjetër krijim ekzistencial tek i cili ne dëshmojmë proporcione gjeometrike të dukshme është natyra dhe materia. A nuk jemi ndalur të mrekulluar sa herë jemi ndeshur me forma aq perfekte dhe të larmishme të natyrës? Janë këto forma të cilat lidhen drejtpërsëdrejti me gjeometrinë, si: hojëzat e mjaltit, kristalet e dëborës (ndonëse vijnë në forma dhe madhësi të ndryshme, gjashtëkëndëshi është mbizotërues), trungjet e pemëve (përbëhen nga unaza në formë rrethi të përkryer) ose forma rrumbullake e hënës në ditën e 15-të të muajit.

Harmonia matematikore e universit dhe proporcioni mesatar i artë mund të shihet edhe në proporcionet e planetëve në sistemin tonë diellor. Kështu, arkitektura islame është krijuar në bazë të harmonive thelbësore të natyrës së bashku me kuptime të ndryshme simbolike dhe teori të përmasave të përsosura. Modelet e përsëritura janë simbol i idesë së pafund dhe të pakohë, pafundësisht të zgjerueshme; simbol nga dimensioni i brendshëm i Islamit mbi rëndësinë e unitetit. Vlen të theksohet fakti se aplikimi i gjeometrisë në artin islam ishte një zgjedhje e përkryer, duke pasur parasysh se në Islam pikturimi e figurave jetësore, kafshëve, njerëzve ose edhe skulpturat e qenieve të gjalla, janë të ndaluara, andaj luajtja dhe manipulimi i figurave gjeometrike në proporcionet e duhura, duke krijuar mozaikë aq abstraktë dhe të pafundtë ishin risi dhe kreative. Aplikimi i tyre zinte vend në fasadën e jashtme, në hapësirat e brendshme, në mashrabiyyat, në dritare, në zbukurimet e tavanit dhe murit, në shtrimin e dyshemesë, në veshjen e minareve, në portat hyrëse (iuanet), si dhe në arredimin e brendshëm të mobilieve, qoftë rafteve ose minberit. Proporcionet e aplikuara në formimin e formave gjeometrikë në vetvete kishin vetëdijen e projektuesve dhe ndërtuesve mbi ligjet hapësinore dhe raportet e tyre, duke krijuar mjeshtërisht vlera estetike. Por, përtej kënaqësisë së syrit dhe të bukurës, format gjeometrike të ftojnë në të kuptuarit e lidhjes “univers-njeri-natyrë”. Artistët muslimanë kishin për qëllim që me stilizimin dhe krijimin e paternit (modelit) të pafundtë, t’i ngacmojnë skajet e mendjes njerëzore. Kështu, përdoruesi i një hapësire të caktuar nuk është thjesht një vëzhgues i thjeshtë i disa formave, por ai noton nëpër lidhjen e fortë të tij me kozmosin dhe natyrën, duke lejuar mendjen të udhëtojë në pafundësi dhe të këtë mundësi të meditojë mbi madhështinë e Krijuesit.

Disa foto ilustruese

Xhamia e Shkëmbit në Jerusalem e bazuar mbi plan 8 këndesh. (hexagon)

Xhamia Emevite në Damask dhe xhamia e madhe e Kairouan në Tunizi

Xhamia e Ibn Tulunit në Kajro

Xhamia në Saint Petersburg – Rusi