Arsenali bërthamor pritet të rritet për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë

Arsenali bërthamor pritet të rritet për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë

Në dekadën e ardhshme, për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë, arsenali bërthamor pritet të rritet në mbarë botën, theksoi Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes (SIPRI), transmeton Anadolu Agency (AA).

“Nëntë nga vendet me armatim bërthamor në botë, SHBA, Rusia, Britania, Franca, Kina, India, Pakistani, Izraeli dhe Koreja e Veriut, vazhdojnë të modernizojnë dhe zgjerojnë arsenalet e tyre bërthamore me shpejtësi që ka të ngjarë të rritet në dekadën e ardhshme”, thonë nga Instituti SIPRI, me qendër në Stokholm.

Wilfred Wan, drejtor i Programit të SIPRI-t të armëve për shkatërrim në masë, theksoi se “të gjitha shtetet me armë bërthamore po zgjerojnë ose përmirësojnë arsenalet dhe rolin e tyre në strategjitë ushtarake, duke mprehur retorikën e tyre bërthamore”, duke shtuar se “ky është një trend shumë shqetësues”.

Sipas institutit SIPRI, Rusia dhe SHBA-të së bashku zotërojnë më shumë se 90 për qind të të gjitha armëve bërthamore, ndërsa shtatë vendet e tjera ose janë duke zhvilluar ose duke vendosur sisteme të reja armësh.

Kina, në veçanti, është në një fazë të zgjerimit të konsiderueshëm të arsenalit të saj bërthamor, pasi imazhet satelitore tregojnë ndërtimin e më shumë se 300 lançuesve të reja raketore, theksoi SIPRI.