` . Arrihet akordi, duel titanësh Joshua-Fury në peshat e rënda! - TV SHENJA

Arrihet akordi, duel titanësh Joshua-Fury në peshat e rënda!

Ka mbetur për t’u përcaktuar thjesht data, pasi më në fund palët kanë rënë dakord dhe të apasionuarit do të kenë mundësinë për të ndjekur duelin e shumëpritur ndërmjet dy boksierëve më të fortë në planet, përsa i përket peshave të rënda. Për përballjen Anthony Joshua–Tyson Fury ishin vënë në lëvizje prej kohësh menaxherët e tyre, promoter të shumtë si dhe gjithë personat e interesuar, për të mundësuar një ndeshje ndërmjet dy boksierëve të mirënjohur britanikë, që mbajnë edhe katër brezat e peshave të rënda në këtë sport. Është një situatë krejtësisht e pazakontë dhe në ishull nuk ishte parë kurrë një vëmendje dhe një interesim i tillë, për një ndeshje që konsiderohet si sfida e sfidave, që do të vërë përballë në ring dy boksierë anglezë, që e urrejnë njëri–tjetrin.

Gjithcka ishte pothuajse gati dhe palët ishin shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje, për organizimin e disa ndeshjeve ndërmjet tyre, në stadiumin ultramodern të Tottenham Hotspur, për ndërtimin e të cilit presidenti I klubit londinez Daniel Levy u zhyt në borxhe, deri në grykë. E pra situata ndryshoi sa hap e mbyll sytë, për arsye të pandemisë së koronavirusit dhe bisedimet u ndërprenë. Ishte thjesht cështje kohe dhe për vetë interesimin e jashtëzakonshëm që ngjallte një sfidë e tillë dihej që herët a vonë dy boksierët anglezë do të ngjiteshin në ring, për t’i provuar forcën kundërshtarit. Thumbimet në distancë gjatë gjithë kësaj kohe vetëm sa kanë shërbyer për t’I hedhur benzinë zjarrit, duke acaruar në maksimum marrëdhëniet ndërmjet dy kampeve, sidoqoftë një ndër problemet kryesore mbetej përcaktimi I vendit, duke patur parasysh mbylljet e vazhdueshme dhe izolimin e Mbretërisë së Bashkuar, për shkak të virusit Covid – 19.

Tani jo më. Tani duket se gjithcka është zgjidhur përfundimisht dhe palët kanë rënë dakord, që ky duel të mbahet në Arabinë Saudite, në muajin gusht. Vendi I 12 më I madh në rruzull për nga shtrirja gjeografike, duket se ka thyer konkurrencën e fortë të Shteteve të Bashkuara dhe vetë Mbretërisë së Bashkuar, kështuqë dueli Anthony Joshua–Tyson Fury do të zhvillohet në Gadishullin Arabik, pas vetëm tre muajve. Ai që e konfirmoi për Sky Sports dicka të tillë është Eddie Hearn. 41-vjecari londinez eci në gjurmët e babait Barry Hearn dhe krijoi Grupin e Menaxhimit Matchroom Sport, duke u shndërruar shpejt në një prej promoterëve më të famshëm në rruzull. Nga 27 nëntori i vitit të kaluar promoteri i mirënjohur nga Dagenhami mori gjithashtu në grupin e tij të menaxhimit edhe 28-vjecarin shqiptar Florian Marku, që bokson menjëherë poshtë peshës së mesme, në kategorinë nga 63,5 deri në 66,67 kilogramë.

Edward John Hearn i cili mbron interesat e Anthony Joshua-s pranoi se dueli I shumëpritur ndërmjet dy boksierëve britanikë do të zhvillohet pikërisht në Arabinë Saudite. Një lajm i tillë ka befasuar ndjeshëm gjithë të apasionuarit dhe fansat e shumtë të dy boksierëve anglezë, të cilët shpresonin shumë që ky duel të mbahej në kryeqytet, në stadiumin mitik Wembley, ndërkohë në anën tjetër të globit, përtej Atlantikut amerikanët shpresonin shumë që kjo ndeshje të zhvillohej në Las Vegas. Nuk është përcaktuar akoma një datë e saktë, apo qoftë edhe qyteti ku do të mbahet derbi I shumëpritur ndërmjet dy boksierëve britanikë, gjithsesi është e qartë që milionat e naftës së princave sauditë e bënë punën e tyre, duke gllabëruar një ndër sfidat më të mëdha të historisë, që do të unifikojë të gjithë brezat në peshën e rëndë të këtij sporti. Natyrisht që nuk është e lehtë për të gjetur paratë e nevojshme për të tërhequr një sfidë të këtyre përmasave, në një kohë të tillë të vështirë, për arsye të pandemisë së koronavirusit, sidoqoftë një destinacion si Arabia Saudite prek në mënyrë të drejtpërdrejtë vetë tifozët britanikë, që duke marrë në konsideratë masat e forta shtrënguese për shkak të virusit Covid – 19 nuk do të udhëtojnë dot drejt Lindjes së Mesme.

Sipas promoterit të Anthony Joshua-s, për organizimin e këtij dueli është punuar me të njëjtin grup njerëzish, që mori përsipër zhvillimin e ndeshjes së revanshit që pati boksieri me origjinë nigeriane një vit e gjysmë më parë në Diriyah, një qytet në veriperëndim të kryeqytetit të vendit Riyadh, ndaj boksierit amerikan me origjinë meksikane Andy Ruiz Jr. sfidë të cilën A.J. e fitoi me vendim unanim pas 12 raundeve, duke rimarrë tre brezat në versionet WBA, WBO dhe IBF, breza që më pas u mbrojtën me sukses në dhjetorin e kaluar në Londër, ndaj bullgarit Kubrat Pulev. Dy muaj më parë pas bisedimeve të shumta Eddie Hearn deklaroi se palët kishin rënë dakord për zhvillimin e dy ndeshjeve ndërmjet dy boksierëve anglezë, por promoteri I Tyson Fury-t Bob Arum e përgënjeshtroi dicka të tillë. Ky do të jetë dueli I parë në histori, kur do të unifikohen të gjithë titujt në peshën e rëndë. Javën e kaluar në Arlington, në Teksas Canelo Alvarez mbrojti titullin në AT&T Stadium duke mundur në peshën e mesme pikërisht boksierin britanik që përfaqësohet nga Eddie Hearn, Billy Joe Saunders, ndeshje që u ndoq nga plot 73.000 spektatorë.

Këtë radhë mendohet që gjithcka fillon nga shuma e 150 milionë dollarëve, që ofrojnë princat suaditë, shifër që natyrisht nuk përmbledh paratë që do të grumbullohen nga “pay-per- vieë”, kështuqë me një llogari të përafërt dy boksierët do të fitojnë nga 100 milionë stërlina secili. Hearn beson se dueli Joshua–Fury do të zhvillohet në një nga datat 7 ose 14 gusht. Lojërat Olimpike të Tokios janë programuar në kalendar për t’u mbyllur më datën 8 gusht, kështuqë sipas menaxherit londinez me shumë gjasa kjo ndeshje do të zhvillohet më 14 gusht, gjithsesi caktimi I datës së saktë pritet të zgjidhet pikërisht gjatë këtyre ditëve. Kampioni i fundit britanik i padiskutueshëm i peshave të rënda konsiderohet Lenox Lewis, nga 1999 deri në vitin 2000, periudhë kohe kur u vendos që për të unifikuar titujt, në mënyrë që një boksier të konsiderohej si kampion I padiskutueshëm I peshave të rënda duhej patjetër të mbante gjithashtu edhe brezin e Federatës WBO.