“Ariu rus” po luan në Ballkan – BE-ja po bën sehir

“Ariu rus” po luan në Ballkan – BE-ja po bën sehir

Ballkani nuk është në rrugën ruse të gazit dhe nën zonën ruse të influencës, ashtu siç janë Ukraina, Bjellorusia ose Kaukazi, por është një ëndërr e kahmotshme e Rusisë, e cila asnjëherë nuk është ndërprerë së munduari që ta realizojë. Për Rusinë, Ballkani ka edhe domethënie historike, kulturore dhe fetare – Rusia ka lidhje të përbashkëta në disa shtete ortodokse, e të cilat propagandohen në mënyrë aktive dhe nganjëherë ekzagjerohen nga përpjekjet e diplomacisë publike ruse, si dhe narrativat mediatike të saj.

Shkruan: Besim NEBIU, Shkup

Çmimet europiane të gazit këtë muaj u rritën me 15 për qind. Por, pse eksportet ruse kanë një ndikim të tillë në tregjet e gazit të Europës, edhe në vendet që Rusia nuk i furnizon drejtpërdrejt? Dhe në çfarë mënyre e përdor Rusia kontrollin monopolist ndaj furnizimin me këtë resurs strategjik për t’i arritur ambiciet e veta historike dhe gjeostrategjike anembanë Europës Lindore dhe sidomos në rajonin tonë ballkanik?

 

Varësia europiane nga gazi rus dhe kontrolli rus i shteteve tranzitore

Rreth 40 për qind e importit europian të gazit përbëhet nga gazi rus. Eksporti i gazit është mjeti kryesor me anë të të cilit Rusia krijon ndikim politik dhe ekonomik në kontinentin europian. Kjo është kështu sepse sektori industrial europian, por edhe ai rezidencial, është gati plotësisht i lidhur me përdorimin gazin si energjens, në masë sa ekonomia nuk funksionin dot pa furnizim të mjaftueshëm me gaz. Pjesa më e madhe e gazit rus vjen përmes tubacioneve gazsjellëse që kalojnë nëpër vendet fqinje të Rusisë, pasi që ajo vetë nuk ka kufij direkt tokësor të përshtatshëm për transport në Europën Lindore dhe Perëndimore. Linjat kryesore të lëvizjes tranzitore së gazit rus në drejtim të Europës kalojnë nëpër ish republikat sovjetike: disa tubacione që kalojnë nëpërmjet Ukrainës, gazpërçuesi “Jamal” kalon përmes Bjellorusisë dhe Polonisë në Gjermani, si dhe, së fundmi, linja “Nord Stream” shkon drejtpërdrejt në Gjermani me tubacione të vendosura nën Detin Baltik.

Rusia politikisht dhe ushtarakishti kontrollon dy shtetet kryesore të transitit të gazit, që i ka në trajektoren tranzitoretë gazit: Bjellorusinë dhe Ukrainën Lindore (pjesën proruse, e cila nuk është nën kontroll të Kievit), në mënyrë që të ushtrojë kapacitet absolut dhe të papenguar për kontroll të plotë të vijave furnizuese të gazit në Europë. Në raport me shtetet e tjera në rajon, të cilat nuk i kontrollon plotësisht, Ukrainën Perëndimore, Moldavinë, Gjeorgjinë, Armeninë dhe Azerbajxhanin – Rusia përdor strategji që përmban vetë furnizimin e tyre me gazi dhe naftën ruse, si dhe nxitjen e konflikteve ndëretnike e pastaj e përdor forcën e saj ushtarake për “paqeruajtëse”. Kjo përbën një koktej politik “vdekjeprurës” për rajonin, të cilin Rusia në tre dekadat e fundit e instrumentalizon që t’i shërbejë si armë politike për të shkaktuar jostabilitet të përhershëm (të ashtuquajtura konflikte të ngrira), si dhe presion ekonomik (nëpërmjet rritjes së çmimit të gazit dhe naftës ajo i dobëson pushtetet jokooperative, pra antiruse dhe properëndimore, që here pas here shfaqen në këto shtete). Në këtë mënyrë, Rusia sundon një zonë të gjerë të të ashtuquajturës zonë të interesit rus, zonë kjo që shtrihet fare pranë portave të Europës. Këtë ndikim Rusia e përdor varësisht nga nevojat e saja konjukturore dhe sipas nevojës herë pas herë i ngjall konfliktet e ngrira të Transnjistrës në Molldovë, Osetisë në Gjeorgji dhe Karabagut të Sipërm në Kaukaz.

Nëpërmjet një eko-sistemi të tillë të dominimit rajonal Rusia arrin ta kontrollojë edhe tregun e brendshëm europian. Tregjet e brendshme të gazit në Europë janë të lidhura nëpërmjet një rrjeti tubacionesh ndërlidhëse. Jo të gjitha vendet marrin furnizim direkt nga Rusia, por nëse edhe një nga vendet importuese të mëdha të gazit rus, siç është Gjermania (konsumatori më i madh i gazit rus në BE), i ulen sasitë e gazit nga importi rus, ky duhet zëvendësuar me sasi nga vende të tjera si Norvegjia. Kjo ka një efekt negativ në sasinë e gazit në dispozicion nga burime të tjera dhe shkakton rritje të çmimit. Nëpërmjet kontrollit të çmimit të energjensit kryesor industrial dhe manipulimit të sasisë së dërgesave të gazit, Rusia arrin që ta turbullojë ujin në mullirin politik të Europës, sidomos gjatë muajve të dimrit, kur kërkesa dhe nevoja për gaz e ka edhe dimensionin social, pasi ai përdoret për ngrohje në sektorin residencial anembanë BE-së. Në disa raste, gjatë dekadave të fundit, këtë mjet Rusia e ka përdorur për të demonstruar forcën e vetë karshi BE-së dhe bllokut perëndimor.

 

Strategjia ruse në Ballkan

 

Ballkani nuk është në rrugën ruse të gazit dhe nën zonën ruse të influencës, ashtu siç janë Ukraina, Bjellorusia apo Kaukazi, por është një ëndërr e kamotshme e Rusisë, e cila asnjëherë nuk është ndërprerë së munduari që ta realizojë.

Për Rusinë, Ballkani ka edhe domethënie historike, kulturore dhe fetare – Rusia ka lidhje të përbashkëta në disa shtete ortodokse, e të cilat propagandohen në mënyrë aktive dhe nganjëherë ekzagjerohen nga përpjekjet e diplomacisë publike ruse, si dhe narrativat mediatike të saja. Vendndodhja gjeostrategjike e rajonit ballkanik midis Detit të Zi dhe Mesdheut, si dhe afërsia me Lindjen e Mesme, është gjithashtu e rëndësishme për Moskën. Deti i Zi i siguron Rusisë qasje në portet me ujë të ngrohtë – kërkimi për të cilin ka qenë një shtytës historik i aktivitetit diplomatik dhe ushtarak rus në Europën Juglindore. Dhe, si një nga rajonet e fundit të paintegruara në Europë – përpara hapësirës ish sovjetike – Ballkani paraqet një objektiv të arritshëm për operacionet e ndikimit rus, që synojnë ngadalësimin dhe, madje, parandalimin e zgjerimit të BE-së. Duke e bllokuar zgjerimin në Ballkan, Moska shpreson të parandalojë ripërtëritjen e diskutimeve rreth anëtarësimit për Gjeorgjinë, Ukrainën ose ndonjë shtet tjetër ish sovjetik – shtete këto që i konsideron si sferë direkte e influencës së vet.

Fushata e ndikimit të Kremlinit në Ballkan gjithashtu ndihmon në largimin e përqendrimit perëndimor nga veprimet më shqetësuese diku tjetër – Krimea dhe agresioni në Ukrainë, lëvizja e vijës kufitare të Osetisë së Jugut dhe strategjia e dobësimit të Armenisë pas etablimit të qeverisë properëndimore në këtë shtet në vitin 2018. Për Rusinë, pra, Ballkani është jo vetëm objektiv, por një mjet që përdoret për ta larguar vëmendjen nga aktivitetet e tjera dhe për të ndikuar në institucionet perëndimore si mënyrë balancimi.

Në Ballkan, ashtu siç vepron edhe në Ukraine dhe Bjellorusi, Moska historikisht luan me “kartën sllave” për ndikim kulturor në Serbi. Kjo aleancë me Serbinë thirret në elementet e përbashkëta kulturore dhe pastaj kalon në mbështetje të përpjekjes tregtare ruse për të thelluar marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare në sektorët kryesorë strategjikë të Serbisë – energji (tërësisht e kontrolluar tanimë nga Rusia), bankat dhe pasuritë minerale të Serbisë – për të krijuar situatëtë varësisë së plotë politike dhe ekonomike të Serbisë ndaj Rusisë. Nëpërmjet dominimit mbi Serbinë, strategjia ruse është dhe ka qenë ta dominojë tërë fqinjësinë serbe – pra tërë Ballkanin Perëndimor.

Paralelisht, Presidenti rus Vladimir Putin e zhvillon fushatën e tij të ripërtëritjes së ndikimit global dhe në dekadën e fundit Rusia e sheh Ballkanin si një nga arenat e prezencës së saj të shtuar. Qëllimet e kësaj politike janë dy: a) të ngadalësojë integrimin e rajonit në institucionet euroatlantike dhe b) ta dëmtojë imazhin e demokracisë së stilit perëndimor në Europën Juglindore.

Në këtë rrafsh duhet parë edhe involvimin rus në hapësirën shqiptare. Operacionet ballkanike në hapësirën shqiptare kanë për qëllim krijimin e ndikimit të fshehtë rus ndaj faktorëve politikë, mediatikë dhe intelektualë dhe krijimin e opinionit publik që do ishte anti-europian, antidemokratik dhe antiperëndimor. Ky ndikim do të pengonte integrimin e mëtejshëm në strukturat ekonomike, politike ose të sigurisë në shtetet e tjera të rajonit, siç janë Bosnja, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova. Për t’i mbështetur këto përpjekje, Rusia gjithashtu kërkon t’i përkeqësojë përçarjet politike dhe sociale në këto vende, duke siguruar mbështetje financiare dhe infrastrukturë mediatiko-propagandistike për grupet e ekstremit të djathtë (Shesheli dhe Dodiku në Serbi e Bosnjë), por edhe atij të majtë (Levica ne Maqedoninë e Veriut).

Qëllimi i këtyre elementeve është thënë popullorçe “Sa më keq, aq më mirë!” Nëpërmjet implanteve politiko-mediatike në zonën e Ballkanit, duke përfshirë edhe atë shqiptare, Moska krijon infrastrukturë, si dhe aftësi operacionale, për të përkeqësuar dhe zgjatur paqëndrueshmërinë politike të shteteve të rajonit, për aq sa mundet.

Në vende të caktuara të Ballkanit Moska haptazi synon të minojë ose, të paktën, t’i vonojë perspektivat për integrim në Bashkimin Europian (BE) dhe NATO. Këtë e bën duke përkrahur politikanë dhe fytyra mediale (analistë, komentatorë, shoumenë të ndryshëm) në tentim të normalizimit të jonormales ruse: ksenofobisë, polarizimit politik dhe social, si dhe armiqësive të ndërsjella rajonale.

 

Sa ka sukses Rusia në strategjinë e saj të Ballkanit?

 

Situata ekonomike, politike dhe socio-kulturore e sotme e rajonit tonë duket se e vërteton një depërtim të konsiderueshëm të modelit rus tek ne. Natyrisht, kjo pikëpamje nuk është e popullarizuar dhe pakkush nga establishment sot do ta pranonte ose do mburrej me një gjë të këtillë. Përderisa korrupsioni dhe krimi i organizuar janë bërë element kryesor përkufizues i klasës sunduese politike, ndërsa oligarkia jonë duket sikur e kopjon atë të Rusisë. Modeli ekonomik ballkanik, si dhe klasat që e sundojnë në shumicën e shteteve ballkanike, e bëjnë atë që gjithnjë e më shumë t’i përngjajmë Rusisë së Putinit sesa Europës së Merkelit. Po ashtu, edhe pushtetari i sotëm mesatar shqiptar në Maqedoninë e Veriut më shumë ka tipare dhe vese të një politikani lindor sesa të atij gjerman ose suedez. Gjykatat, prokuroritë, institucionet, inspektoratet, klientelizmin dhe korrupsionin po ashtu i kemi gjithnjë e më shumë të bazuara në model rus sesa në atë europian. Për më tepër, edhe skena mediale e korruptuar, senzacionaliste, e zhveshur nga dëshira për t’i shërbyer interesit publik, po ashtu dëshmon për një “fitore” të konceptit rus, qoftë edhe afatshkurtër. Natyrisht, fjalori dhe tregimi unë për vetveten nuk do e pranojë në gjë të këtillë. Në sytë dhe këndvështrimin tonë jemi dhe mbetemi popull me përkushtim pro-europian dhe gjithnjë me sytë e kthyer nga Europa. Sytë ndoshta i kemi të kthyer nga Perëndimi, por ama këmbët dhe duart po duket se po duan nga pak të shkojnë edhe në drejtim të kundërt.