` . Arifi: BDI mburret me arritje simbolike, nuk ka suksese përmbajtësore - TV SHENJA

Arifi: BDI mburret me arritje simbolike, nuk ka suksese përmbajtësore

Gazetari Benjamin Arifi tha platforma e koalicionit AAA-ASH është përmbajtjesore, por shtoi se edhe platformat e BDI-së kanë qenë përmbajtësore në këto 18 vite, por sa janë realizuar e dinë të gjithë.

“Politikbërja e BDI-së në 18 vite ka qenë simbolike. Politikat simbolike janë në skajin e populizmit. Pse e them këtë? Edhe kur dalin para votuese dhe i numërojnë arritjet nuk ka asgjë përmbajtësore të gjitha janë vetëm simbolika. Kur u bë Shkupi 2014 edhe për ta lejuar BDI u ul me VMRO-në për të arritur kompromis ata arritën të bëjnë kompromis për tre përmendore shqiptare, ndërkohë që Çairi edhe sot e kësaj dite mbetet pa kanalizim atmosferik pa kushte për jetë. Një komunë urbane në mes të qytetit”, deklaroi Arifi.

Ai shtoi se ato që i prezantojnë si arritje nga ana e BDI-së janë simbolike dhe pas asaj nuk ka përmbajtje.

“Koncepti i tyre i politikave simbolike do t’i sjellë këto rezultate që i ka sjellë këto 18 vite. Edhe 180 vite po t’i japim deri sa nuk ndryshon koncepti i politikbërjes së tyre ata do të vazhdojnë të marrin fasade për murrmet që po rrënohen”, shtoi më tej Arifi. /SHENJA/