` . Arabia Saudite vendos kusht vaksinën kundër COVID-19 për vizitat në Umre - TV SHENJA

Arabia Saudite vendos kusht vaksinën kundër COVID-19 për vizitat në Umre

Marrja e vaksinës kundër koronavirusit të ri (COVID-19) është bërë kusht për vizitat në Umre që do të fillojnë pas sezonit të Haxhit në Arabinë Saudite, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëvendësministri saudit i Haxhit, Hesham Saeed, për një kanal televiziv në vendin e tij tha se vizitat e Umres nga jashtë do të fillojnë që nga 10 gushti (fillimi i muajit Muharrem).

Ai tha se do të zbatohen procedurat e duhura për të luftuar koronavirusin dhe se vizitorëve të Umres që vijnë nga jashtë u kushtëzohet marrja e vaksinës kundër COVID-19.

Duke kujtuar se ky vendim ishte edhe në muajin Ramazanit për vizitat në Mesxhid al-Haram në Mekë dhe Mesxhid-al-Nabawi në Medinë, Saeed tërhoqi vëmendjen për faktin se vaksinat që do të merren duhet të jenë ato të miratuara për përdorim nga autoritetet saudite.

Saeed informoi se 20.000 persona do të pranohen çdo ditë për Umre.

Për shkak të pandemisë COVID-19, këtë vit Haxhi ishte i kufizuar vetëm në personat që jetojnë në Arabinë Saudite, ashtu si ishte vitin e kaluar, me çka nuk u pranuan haxhilerë nga jashtë.

Autoritetet e Arabisë Saudite pezulluan vizitat e Umres për shkak të COVID-19 në fillim të marsit të vitit të kaluar dhe rifilluan ato për personat që jetojnë në vend më 4 tetor 2020, pas një ndërprerjeje shtatëmujore.

Një muaj pas kësaj date, filluan të pranohen grupet e para të Umres nga jashtë vendit. Vizitorët që erdhën nga jashtë me qëllim të Umres dhe adhurimit, praktikuan tavafin e parë në Qabe më 4 nëntor 2020, pas një karantine treditore.