Arabi Saudite, shiu i dendur mbyll rrugët, automjetet tërhiqen zvarrë nga përmbytjet

Arabi Saudite, shiu i dendur mbyll rrugët, automjetet tërhiqen zvarrë nga përmbytjet

Shumë rrugë kryesore u përmbytën për shkak të reshjeve të dendura të shiut në Xhide të Arabisë Saudite, ku edhe shumë automjete janë tërhequr zvarrë nga përmbytjet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në pamjet e transmetuara në kanalin televiziv “Al-Ikhbariyya” me bazë në Arabinë Saudite, shihet se në rrugët e Xhides janë krijuar pellgje të mëdha uji për shkak të shiut të dendur dhe dhjetëra automjete janë tërhequr zvarrë në ujë.

Sipas agjencisë zyrtare të vendit, SPA, zëdhënësi i Qendrës Kombëtare Meteorologjike Hussein al-Kahtani tha se reshjet që kanë përfshirë qytetin Xhide kanë qenë shumë të dendura.

Sasia më e lartë e reshjeve në Xhide që nga viti 2009

Kahtani theksoi se reshjet zgjatën për rreth 8 orë, ndërsa u regjistrua sasia më e lartë e reshjeve në Xhide që nga viti 2009.

Komuna e Mekës gjithashtu njoftoi se ka shtuar përgatitjet e saj dhe 10 mijë punëtorë janë transferuar në komunat e rajonit.

Sistemi i paralajmërimit të hershëm i Qendrës Kombëtare Meteorologjike të Arabisë Saudite ngriti nivelin e paralajmërimit në Xhide në “alarm” për shkak të shiut të dendur.

Shumë automjete të dëmtuara

Televizioni i Arabisë Saudite “Al Arabiya” gjithashtu njoftoi se organet ekzekutive në qytetin e Xhides kanë mobilizuar ekipet e tyre për emergjenca dhe se ekipet në terren po punojnë për shkarkimin e shpejtë të ujit. Në lajme u raportua se shumë automjete u dëmtuan si pasojë e shiut të dendur që përmbyti rrugët në Xhides.

Njoftohet se shumë rrugë dhe tunele janë mbyllur dje në rajonin e qytetit të shenjtë të Mekës për shkak të shiut të dendur dhe dy persona kanë humbur jetën në Xhide.

Po ashtu thuhet se disa lagje në Xhide janë përmbytur, arsimi është pezulluar në qytet dhe janë ndalur fluturimet.