Aqif Lleshi – shërbëtor i politikës serbe

Aqif Lleshi – shërbëtor i politikës serbe

Në këtë numër të revistës SHENJA e pamë të arsyeshme të botojmë disa dokumente diplomatike e ushtarake të ish Mbretërisë Serbo Kroate e Sllovene – më vonë Jugosllave, përmes të cilave del sheshit argatllëku i Aqif Lleshit dhe suitës së tij në realizimin e planeve dhe të projekteve antishqiptare, të hartuara në kuzhinat e Beogradit në harkun kohor 1925-1941, përkatësisht deri në shpërbërjen e asaj mbretërie.

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Siç është i informuar opinioni i gjerë shqiptarë, më 23 shtator të vitit 2020 në oborrin e Komunës së Dibrës u vendos busti i Aqif Lleshit, bashkëpunëtorit më besnik të kauzës hegjemoniste serbomadhe midis dy luftërave botërore dhe të komunizmit jugosllavë gjatë dhe pas Luftë së Dytë Botërore. Për fat të keq, pas këtij akti të turpshëm e të shëmtuar, qëndronte Këshilli Komunal i Dibrës dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë në Maqedoni – dega në Dibër, përkundër faktit se paraprakisht kjo nismë u kundërshtua ashpër nga një numër shumë i madh i popullsisë shqiptare. Duhet theksuar se kundër kësaj nisme dolën edhe studiuesit dhe intelektualët e mirënjohur shqiptarë, si: Uran Butka, Saimir Lojla, Qerim Lita, Tofik Jegeni, Samir Shatku dhe Bujar Kapexhiu, të cilët përmes një letre publike, botuar në shtypin ditor në Tiranë, Shkup e Prishtinë, ofruan argumente të pakontestueshme se Aqif Lleshi, së bashku më vëllanë e tij, Halit Lleshin, “i cili do të ekzekutohej si tradhtar”, ka qenë një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të drejtuesve të kauzës shoviniste serbomadhe në gjysmën e parë të shekullit të kaluar…”. Përveç kësaj, ata, gjithnjë duke iu referuar burimeve arkivore kombëtare e ndërkombëtare, me të drejtë theksonin se Aqif Lleshi ishte “një nga rekrutuesit e shqiptarëve” të cilët u “ekzekutuan në Tivar nga nipi i tij, Haxhi Lleshi”.

Duke e pasur parasysh faktin se në letrën e studiuesve dhe intelektualëve të lartpërmendur shqiptarë përshkruhet në mënyrë të detajuar veprimtaria antishqiptare, e dy vëllezërve Halit dhe Aqif Lleshit, si dhe e dy pasardhësve të tyre Haxhi dhe Mustafa Lleshi, në këtë numër të revistës SHENJA e pamë të arsyeshme të botojmë disa dokumente diplomatike e ushtarake të ish Mbretërisë Serbo Kroate e Sllovene – më vonë Jugosllave, përmes të cilave del sheshit argatllëku i Aqif Lleshit dhe suitës së tij në realizimin e planeve dhe të projekteve antishqiptare, të hartuara në kuzhinat e Beogradit në harkun kohor 1925-1941, përkatësisht deri në shpërbërjen e asaj mbretërie.

Natyrisht, veprimtaria e tij prosllave vazhdoi edhe gjatë dhe pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, por tashti, ai së bashku me nipin e tij Haxhiun, do të shndërrohet në shërbëtor të “kauzës komuniste jugosllave”. Lidhur me këtë, publicisti dhe nacionalisti i njohur shqiptar, Tahir Zajmi, në librin e tij “Lidhja II e Prizrenit”, botuar në vitin 1964 në Bruksel, duke e përshkruar dhunën dhe terrorin e brigadave “serbo-bullgare dhe malazeze dhe shqiptare”, mbi popullsinë shqiptare në Kosovë, ndër të tjerave shprehet:

“…Pas pushtimit të Kosovës nga Jugosllavija komuniste e Tito-s, përpjekjet dhe luftimet e çetavet nacjonaliste ndër male e ndër fusha nuk kanë pushue gjatë të tanë vjetit 1945, tue dhanë me qindra e me mija dëshmorë. Do të shkonte tepër gjatë po të vijojshim me i përshkrue këtu në detaje fazat e ndryshme të këtyne luftimevet dhe përpjekjet e tejfuqishme t’organizatës s’Lidhjes s’Prizrenit, e cila me forcat dhe me mjetet e sajë modeste ka mbajtë në kambë luftën e mbrojtjes në katër ballnat e kufijvet kundër Brigadavet komuniste serbobullgare dhe malazeze e shqiptare, kto të fundit të drejtueme nga Shefqet Peçi e Aqif Lleshi që u reshnin plumba e gjyle murtajash vllaznve të tyne Kosovar, tue i qëllue mbrapa kurrizit…”.

Është me rëndësi të theksohet se, pas rimarrjes së pushtetit nga ana e Ahmet Zogut (dhjetor 1924), Aqif Lleshi, me rekomandimin e bashkëpunëtorit më të ngushtë të Nikolla Pashiqit, Milisav Jeliq, la Beogradin, për t’u kthye në Shqipëri, duke i “rivendosur” marrëdhëniet me Ahmet Zogun, të cilat qenë prishur në vitin 1922, kur ndaj vëllait të tij, Halitit, qe kryer atentat nga disa atdhetarë shqiptarë të Dibrës së Poshtme. Nuk vonoi shumë dhe ata sërish u acaruan, pasi A. Lleshi vazhdonte bashkëpunimin e tij jo vetëm me të akredituarit diplomatik e ushtarak në Shqipëri, por herë pas here ai udhëtonte për në Beograd, duke zhvilluar biseda të fshehta me qarqet politike, policore e ushtarake serbe. Ministri i plotfuqishëm serb në Tiranë, Llazareviq, më 31 dhjetor 1925, i telegrafonte Ministrisë së Punëve të Jashtme në Beograd siç vijon: “Aqif Lleshi mori dy muaj leje. Do të vij në Beograd. Sot ka udhëtuar nga Dibra, edhe pse e kam këshilluar që mos ta merr atë rrugë. Duhet ta pranoni siç është më së miri. Nëse vendos që mos të kthehet, duhet ta ndihmojmë për ta organizuar Dibrën siç duhet. Ai lutet që të rregullohet çështja e të gjithë miqve të tij, shtëpitë e të cilëve janë djegur në ngjarjet e viteve 1919-1921, sepse atyre, ai u ka premtuar se ‘Serbia do i dëmshpërblej të gjithë ata, të cilët kanë luftuar për të’”.

Këtu bëhet fjalë për periudhën pas shuarjes së kryengritjes së vitit 1920, që shpërtheu në Dibër dhe në Lumën Jugore, kur ushtria serbe, së bashku me mercenarët shqiptarë, përfshi këtu edhe dy vëllezërit Lleshi, dëbuan mbi 40.000 banorë shqiptarë nga këto dy krahina, të cilët u vendosën në Tiranë, Elbasan e Shkodër, ndërsa dogjën e shkatërruan mbi 140 fshatra, 738 persona (gra, fëmijë, pleq, burra) u vranë ose u dogjën të gjallë; u shkatërruan tërësisht 6.248 shtëpi, 101 magazina dhe dy dyqane, 113 mullinj, 50 teqe, 18 xhami; u plaçkit apo u shkatërrua 11.057.750 kg drithë, u rrëmbyen 6.228 bagëti të imët e të trashë dhe 1.535 kuaj.

Tre ditë më pas këtij telegrami, përkatësisht më 2 janar 1926, edhe konsulli serb në Shkodër, Vukotiq, i shkruante MPJ-së për udhëtimin e A. Lleshit për në Dibër të Madhe, duke insistuar që ai të ftohej në Beograd. Në prag të Kryengritjes së Dukagjinit, e cila shpërtheu më 20 nëntor 1926, Aqif Lleshi, së bashku më 27 xhandarë, sërish u arratis në Jugosllavi, duke u vendosur në Dibër të Madhe. Më 15 dhjetor të vitit 1926, zëvendës prefekti i Prefekturës së Dibrës, S. Libohova, i shkruante Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, se “…Majori Z. Aqif Lleshi për arsyena të pa dituna ka shkue në Beligrad i cili thuhet se asht i thirrun… Majori në fjalë në Dibër ka përhapë fjalën qi mbas 10 ditësh dot këthehet tue dalë në Shqipni me marrë në dorëzim fuqin qi ka i vllaj në Tiranë”. Tre ditë më vonë, S. Libohova, përmes telegramit të shifruar, e informonte MPB-në, për kthimin e A. Lleshit nga Beogradi: “Aqif Lleshi, si dhe 120 parsi qi patën shkue në Beligrad me 15 të k. moji u kthyen prap në Dibrë. Për të marrë vesht ndonji lajm nga personat në fjalë qi jan përmendur në telegramin e sipërm prap kemi dërgue njerëz në Dibre e Strugë. Me tardhun lajmëtari lajmet do tju parashtrohen. Deri tash nuk parashifet kurr gja”.

Dokumente që do t’i paraqesim në vazhdim hedhin dritë mbi një Marrëveshje të arritur midis Ministrisë së Punëve të Jashtme, sektorit për Shqipërinë, dhe Aqif Lleshit, sipas së cilës, 27 xhandarët e Aqifit do të ushqehen falas nga çeta e regjimentit XII të këmbësorisë “Car Llazari” në Dibër të Madhe. Përveç kësaj, Aqif Lleshi, si dhe një numër i konsiderueshëm i bashkëpunëtorëve të tij, në shenjë mirënjohje për “lojalitetin” që ata e kishin shprehur në zbatimin e politikës shoviniste serbe ndaj kombit shqiptar në përgjithësi e ndaj Shtetit Shqiptar në veçanti, nga e njëjta ministri do të pranojnë ndihmë të përhershme mujore prej 37.000 dinarëve. Kjo ndihmë, zyrtarisht, filloi më 1 shkurt 1927 dhe zgjati deri në prill të vitit 1941, përkatësisht deri në shpërbërjen e asaj mbretërie.

Në përmbyllje të këtij shkrimi më duhet të them se publikimi i këtyre dokumenteve ka një qëllim të vetëm, i cili e ka këtë definicion: “Aqif Lleshi së bashku më vëllanë e tij Halitin, krahas Cene bej Kryeziut, përbënte figurën më të besueshme të politikës hegjemoniste e shoviniste serbe, e cila politikë, si qëllim primar pati rrënimin e Qeverisë Mbretërore shqiptare dhe të Ahmet Zogut si Mbret i shqiptarëve dhe krijimin e një qeverie kukëll, e cila do të ishte nën dirigjimin e plotë të Beogradit”. Nisur nga kjo, besoj dhe shpresoj se Këshilli Komunal i Dibrës, i cili përbëhet prej shumicës së këshilltarëve shqiptarë, do ta tërheqë vendimin për inaugurimin e bustit të një shërbëtori të përbetuar të politikës serbe, siç ishte Aqif Lleshi, dhe në vend të tij, të vendosen buste të figurave e personaliteteve të shquara e të pakontestuara shqiptare nga Dibra, siç janë: Ismail Strazimiri, Mersim Dema, Hafiz Sherif Langu, Haki Stërmilli, Shemsi Hatibi, Uke Cami, Osman Cami, Medat Tërshana, Muhamet Paçuku e shumë të tjerë, të cilët me punën dhe sakrificën e tyre kanë lënë gjurmë në historiografinë shqiptare.

 

*          *          *

 

1.

Shkresë e Shtabit të Regjimentit të Këmbësorisë XII – “Car Llazari”, dërguar komandantit të Divizionit Qarkor të Vardarit

“KOMANDANTIT TË DIVIZIONIT QARKOR TË VARDARIT ‘E’”

Me aktin e kësaj komande Proc. numër 1598 nga 26 maji 1931 është intervenuar çështja e likuidimit të dokumenteve të lëshuara për ushqimin e emigrantëve shqiptarë – njerëzit e Aqif Lleshit – të cilët me urdhër të asaj komande udhëhiqen si shpenzime të përkohshme në arkën e kësaj komande, ndaj meqenëse edhe sot e kësaj dite nuk është gjetur ndonjë zgjidhje për këtë çështje, lus për informatë nëse i është kërkuar Ministrisë së Ushtrisë dhe Marinës që t’i dorëzoj paratë në arkën e kësaj komande ose në çfarëdolloj mënyre tjetër, të pranohen këto shpenzime të përkohshme prej rreth 200.000 dinarëve.

Kujtoj se kjo është parashtresa e gjashtë nga ana e kësaj komande për këtë çështje, prandaj i nënshkruari dhe arkëtari i kësaj komande nuk mund të bartin përgjegjësi për këto shpenzime, për të cilat ekziston urdhri, si dhe likuidimi me kohë.

Ju lutem që kjo të konsiderohet urgjente dhe për të të sillni një zgjidhje pozitive.

Përfaqëson Komandantin,

Ndihmësi, kolonel,

 Matija L. Paraç”

 

2.

Vështrim i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë Jugosllave – sektori për Shqipërinë, në lidhje me arratisjen e Aqif Lleshit në Jugosllavi dhe sigurimin e ushqimit për 27 xhandarët e tij

“USHQIMI i njerëzve të Aqif Lleshit në Dibër

 

I

 

Pas kthimit të Ahmet Zogut në Shqipëri, kah fundi i vitit 1924, Aqif Lleshi qe në marrëdhënie të mira me të. Por, së shpejti midis tyre u shfaqën mosmarrëveshje dhe Aqifi frikohej se mos vallë Zogu do ta vriste. Për këtë arsye, Aqif Lleshi në vitin 1926 u arratis në territorin tonë në Dibër me rreth 30 njerëzit e tij.

Në Dibër, autoritetet tona ushtarake morën përsipër sigurimin e ushqimit për njerëzit e Aqifit.

Nga shkresa nuk shihet se kush e ka dhënë urdhrin që këta njerëz të furnizohen me ushqim nga ana e autoriteteve tona ushtarake të regjimentit XII të këmbësorisë ‘Car Llazari’. Por, nga muaji maj 1928 e deri më tash, Divizioni i Qarkut të Vardarit, herë pas here, ka kërkuar që shuma e shpenzuar nga ana e regjimentit XII të këmbësorisë ‘Car Llazari’ në emër të ushqimit për njerëzit e Aqif Lleshit t’i depozitohet regjimentit të përmendur për plotësimin e arkës. Këtyre kërkesave u janë bashkangjitur llogaritë e shpenzimeve të deritanishme për ushqimin e këtyre njerëzve.

Për pagesën e këtyre faturave Ministria e Ushtrisë i është drejtuar vazhdimisht Ministrisë sonë (Ministrisë së Punëve të Jashtme – Q.L.): 1929-30-31-32-33 dhe 1934. Në disa raste janë dërguar faturat e në disa raste vetëm se kanë intervenuar për përgjigje të shpejtë ndaj shkresave me të cilat janë dërguar ato fatura.

…Regjimenti XII i Këmbësorisë “Car Llazari” kërkon shumën për ushqimin e njerëzve të Aqif Lleshit nga muaji shkurt 1927, deri më 1 prill 1934. Megjithëse në aktin e Divizionit të Qarkut të Vardarit Proc. Nr. 1789 nga 13 nëntori i këtij viti / Proc. ynë Nr. 29163 nga 20 dhjetori i këtij viti / thuhet se janë dërguar dhe kërkuar /në numër tre/ për ushqimin e njerëzve të Aqif Lleshit, nga shtatori i vitit 1929 deri më 1 mars1930 në shumë prej 38.951,64 din.. Këto fatura dhe aktet zbatuese nuk gjenden në dosjen përkatëse – në arkivat tona, prandaj do të mund të kërkohen në mënyrë plotësuese.

Ndërkohë, në dosje gjenden faturat si më poshtë:

1) Për ushqimin e njerëzve të Aqif Lleshit nga shkurti i vitit 1927 deri me 1 shtator 1929 – katër fatura – në shumë prej 202.342,32 dinarë dhe

2) nga marsi i vitit 1930 deri më 1 prill 1934, në shumë prej 263.369,51 dinarë.

Llogaria e përgjithshme është 465.711,83 din. Ndërsa shuma e përgjithshme që kërkohet nga Regjimenti XII i Këmbësorisë “Car Llazari” /duke i llogaritur edhe këto tre fatura të cilat nuk ekzistojnë në dosje/ për ushqimin e këtyre njerëzve të Aqif Lleshit nga shkurti i vitit 1927 e deri më 1 prill 1934 arrin gjithsej 504.663,47 din.

Nga e gjithë korrespodenca për këtë lëndë shihet se, edhe Ministria e Ushtrisë dhe Marinës, edhe Ministria e Punëve të Brendshme, edhe Ministria e Punëve të Jashtme i janë shmangur të bëjnë pagesën e këtyre faturave. Secila nga këto ministri ka shikuar që mos t’i paguaj ajo.

Por, faturat i janë depozituar Ministrisë sonë të cilat edhe sot gjenden këtu.

26-XII-1934

 

II

 

Në muajin korrik 1935 morëm edhe dy fatura për ushqimin e njerëzve të Aqif Lleshit:

1/ furnizimi me ushqim nga 1 shtatori 1929 deri në mars të vitit 1930: 38.951,73 din.;

2/ furnizimi me ushqim nga 1 prilli deri në nëntor të vitit 1934: 28.102,93 din

                                                                        shuma e përgjithshme: 67.054,66 din.

 

Regjimenti XII i Këmbësorisë “Car Llazari” në Dibër, për furnizimin me ushqim të njerëzve të Aqif Lleshit nga muaji shkurt 1927 e deri në nëntor të vitit 1934 ka shpenzuar gjithsej: 532.766,49 din., dhe për këtë shumë janë dërguar fatura të cilat gjenden në këtë ministri…”.

 

3

Shkresë e Komandës së Divizionit të Qarkut të Vardarit në Manastir, dërguar komandantit të Armatës III në Shkup, ku kërkohet mbulimi i shpenzimeve për furnizimin me ushqim të 27 xhandarëve të Aqif Lleshit në Dibër të Madhe

 

“KOMANDA

E DIVIZIONIT TË QARKUT TË VARDARIT

Proc. E. Nr. 1321

28 shtator 1935

Manastir

Lutemi, të bëhet pagesa KOMANDANTIT TË ARMATËS SË QARKUT III dhe të dërgohen paratë për ushqimin e njerëzve të Aqif Lleshit sipas certifikatave të depozituara

 

Në mbështetje të urdhërit dërguar kësaj komande nën Proc. Xh.Ob. Nr. 304 nga 3 shkurti 1927, Proc. Xh. Ob. Nr. 445 nga 14 shkurti 1927 dhe Proc. Xh. Ob. nr. 1266 nga 18 prilli 1927 – dhe raportit të kësaj komande Proc. Xh. Ob. Nr. 3068 nga 17 janari 1928, asaj Komande i janë depozituar fatura të shumës së shpenzuar për ushqimin e njerëzve të Aqif Lleshit në Dibër, siç vijon:

1) për harkun kohor janar 1927 deri më 31 mars – 1928 81.302.89 din.

2) për harkun kohor 1 prill 1928 deri më 31 mars – 1929 88.643.46 “

3) për harkun kohor 1 prill 1929 deri më 31 korrik –1929 25.837,19 “

4) për muajin gusht 1929  – 6.558,78 “

5) për muajin shtator dhe tetor 1929 – 12.995,09 “

6) për muajin nëntor 1929 – 6.387,69 “

7) për muajin dhjetor 1929 dhe janar dhe shkurt 1930 – 19.568,95 “

8) për harkun kohor 1 mars deri më 31 dhjetor 1930 – 67.402,93 “

9) për harkun kohor 1 janar deri më 31 dhjetor 1931 – 68.838,02 “

10) për harkun kohor 1 janar deri më 31 korrik 1932 – 36.916,45 “

11) për harkun kohor 1 gusht 1932 deri më 31 mars 1933 – 34.227,64 “

12) në harkun kohor 1 prill 1933 deri më 31 mars 1934 – 55.984,47 “

13) për harkun kohor 1 prill deri më 31 tetor 1934 – 28.102,93 “

14) për harkun kohor 1 nëntor 1934 deri më 31 mars 1935 – 19.520,19 “

15) për harkun kohor 1prill deri më 30 qershor 1935 – 11.513,07 “

16) për muajin korrik dhe gusht 1935 – 8.301,25 “

 Gjithsej 572.101 dinarë.-

…Ju lutem të veproni, që të bëhet pagesa e shumës së mësipërme nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe paraja e paguar t’i dërgohet kësaj Komande për plotësimin e arkës, pasi kjo Komandë të gjitha faturat e nënvizuara i ka blerë nga komanda e Regjimentit XII të Këmbësorisë “Car Llazari”.

Përfaqëson Komandantin

Ndihmësi, Gjen. Brig. i Këmb.

Nënshkrimi”

 

4

Vështrim plotësues i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë Jugosllave – sektori për Shqipërinë, në lidhje me arratisjen e Aqif Lleshit në Jugosllavi dhe sigurimin e ushqimit për 27 xhandarët e tij

“Furnizimi me ushqim i njerëzve të Aqif Lleshit

Aqif Lleshi me 30 njerëzit e tij kah mbarimi i vitit 1926 u arratis në territorin tonë.

Në marrëveshje me Ministrinë e Ushtrisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë tonë është caktuar që Aqif Lleshi të vendoset në Dibër, ndërsa 27 njerëzit e tij të furnizohen me ushqim te çeta e atjeshme të Regjimentit XII të Këmbësorisë “Car Llazari”. Furnizimi i rregullt i ushqimit të këtyre njerëzve filloi nga 1 janari 1927 dhe shpenzimet deri më 1 shtator 1935 arrijnë shumën prej 572.100 din.

Autoritetet ushtarake/itedentura e Armatës III në Shkup i është drejtuar Ministrisë për Punë të Brendshme që të mbulohen shpenzimet për ushqimin e këtyre njerëzve, duke i depozituar faturat përkatëse.

Ministria për Punë të Brendshme këto fatura i ka depozituar Ministrisë për Punë të Jashtme duke ia bërë me dije se ajo “nuk posedon mjete të mjaftueshme për mbulimin e këtyre kërkesave” dhe ka kërkuar që këtë ta bëj Ministria për Punë të Jashtme, “në barrën e së cilës bie mirëmbajtja e emigracionit shqiptar”.

Ministria për Punë të Jashtme ose nuk është përgjigjur fare ndaj këtyre parashtresave ose është përgjigjur se edhe ajo “nuk posedon kredi të nevojshme”, duke e udhëzuar Ministrinë për Punë të Brendshme që të merr një “kredi të veçantë” nga Ministria e Financave.

Nga korrespodencat nuk shihet askund se kush e ka marr barrën në vitin 1927 për mirëmbajtjen e këtyre njerëzve.

Përkujtoj se Aqif Lleshi dhe personalitetet tjera të ndryshëm shqiptare, miq të tij, pranojnë nga Ministria jonë ndihmë mujore prej 37.000 dinarëve, mirëpo kjo ndihmë nuk i përfshin njerëzit – ish xhandarët e Aqif Lleshit të cilët i ushqen ushtria.

Tash ka ardhur parashtresa e re e Ministrisë së Ushtrisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kërkohen 572.100 dinarë.

Lidhja Proc. Nr. 28475”               

Fund

FOTO: Rromir Imami