` . Apple e Google planifikojnë softuer për ngadalësimin e përhapjes së virusit - TV SHENJA

Apple e Google planifikojnë softuer për ngadalësimin e përhapjes së virusit

Apple Inv (AAPL.O) dhe Alphabet Inc’s (GOOGL.O) Google kanë bërë të ditur se do të bashkëpunojnë, me qëllim që të krijojnë teknologji gjurmuese për ngadalësimin e përhapjes së koronavirusit, duke ua lejuar përdoruesve të lokalizojnë telefonat e tjerë që kanë qenë në afërsi.

Bashkëpunimi i rrallë ndërmjet dy kompanive të Luginës së Silikonit, sistemet operuese të të cilave përfshijnë 99 për qind të celularëve të avancuar, do të mund të zgjerohej me aplikacione që synojnë të fusin në sistem përdoruesit e infektuar të celularëve të tyre.

Krejt do të kryhej në mënyrë të shpejtë dhe të besueshme në sistemin ekzistues në mbarë botën. Përcjellja e tillë do të luante rol jetik në menaxhimin e virusit pas përfundimit të mbylljes, kanë paralajmëruar ekspertët e shëndetësisë, raporton Reuters, transmeton KOHA.

Përplasja për të drejtën e privatësisë

Teknologjia e planifikuar do të zhvendosë peshën e liderëve të teknologjisë në konfliktin global ndërmjet aktivistëve të privatësisë të cilët favorizojnë sistem të decentralizuar për përcjelljen e kontakteve dhe qeverive në Evropë dhe Azi që po kërkojnë qasje të centralizuara që kanë dobësi teknike dhe ka mundësi t’ua mundësojnë qeverive të mësojnë se kush me kë po shoqërohet.

“Me Apple dhe Google i keni të gjitha funksionet e nevojshme të shëndetit publik me një aplikacion të decentralizuar dhe me respektim të privatësisë”, ka deklaruar Miachel Veale, ligjërues i së drejtës legale në Kolegjin Universitar të Londrës, njëherësh i përfshirë në sistemin evropian të përcjelljes së kontakteve, i njohur si DP3T. Zgjidhjet e centralizuara sikurse janë propozuar në Britani dhe Gjermani nuk do të punonin më me teknologjinë e re, ka paralajmëruar ai.

Për të qenë efikas sistemi i Luginës së Silikonit, do të duhej që miliona njerëz ta zgjidhnin këtë sistem, duke ua besuar kompanive teknologjike siguresat, njëherësh duke ua mundësuar mbikëqyrjen e butë të sistemeve të shëndetit publik.

Aplikacionet e alarmimit

Kompanitë kanë njoftuar se kanë nisur zhvillimin e teknologjisë para dy javësh, për të parë dallimet teknike ndërmjet iPhone të Apple dhe Androidit të Google, me qëllim që të krijohet një sistem i përshtatshëm për dy gjigantët teknologjikë për nevojat e aplikacioneve të tanishme të gjurmimit të kontakteve të prekur me koronavirus.

Sipas planit, celularët e përdoruesve me teknologji do të merrnin sinjale unike Bluetoothi. Celularët do të mund të regjistronin në mënyrë anonime informacione deri në disa metra distancë për personat përreth.

Njerëzit që dalin pozitivë në test për virusin mund të zgjedhin të dërgojnë një listë të enkriptuar të celularëve me të cilët janë afruar në adresë të Apple dhe Google, që pastaj do t’u dërgonin mesazhe alarmuese përdoruesve të mundshëm të ekspozuar për të kërkuar më shumë informacione. Autoritetet e shëndetit publik do të duhej të mos i konfirmonin të dhënat për një person të testuar pozitiv pa i dërguar të dhënat te gjigantët teknologjikë.

Kërkohen siguresa shtesë

Algoritmet do të duhej të ruanin anonimitetin e personave të infektuar, madje edhe për Apple, Google dhe prodhuesit e aplikacionit të përcjelljes së kontakteve, kanë bërë të ditur kompanitë. Apple dhe Google kanë bërë të ditur se sistemi i tyre i përcjelljes së kontakteve nuk do të përgjojë lokacionin me GPS.

“Për meritë të tyre, Apple dhe Google kanë shpalosur një qasje që duket se do të minimizojë rreziqet më të mëdha të privatësisë dhe centralizimit”, ka deklaruar Jennifer Granick, përfaqësuese ligjore për siguri kibernetik dhe përgjim teknologjik i Sindikatës Amerikane të Lirive Qytetare.

Ajo ka shtuar se kompanitë do të mund të kishin më shumë siguresa, si specifikimi se elementet përgjuese nuk do të përdoreshin edhe pas pandemisë.

Përditësimi i të dhënave

Apple dhe Google planifikojnë që mjetet softuerike t’i funksionalizojnë kah mesi i majit për aplikacionet gjurmuese që kompanitë dhe autoritetet i aprovojnë. Aplikacionet, përfshirë Private Kit dhe CoEpi, që kanë kontaktuar Applen dhe Googlen për ndihmë para një muaji, kanë bërë të ditur se mjetet e reja do t’ua mundësonin të mos punonin në terren të pasigurt teknologjik.

Aplikacionet do të mund të përqendrohen në zhvillimin e një sistemi të thjeshtë për përdoruesit dhe punëtorët shëndetësorë me Apple dhe Google që menaxhojnë Bluetoothin dhe çështjet e privatësisë, ka thënë Dana Lewis, zhvilluese e njohur e aplikacionit të përgjimit të kontakteve CoEpi.

Sidoqoftë, Apple dhe Google planifikojnë të publikojnë përditësimet softuerike në muajt e ardhshëm, me qëllim që përdoruesit të mos kenë nevojë për aplikacion të ndarë për të pasur lidhje me celularët në afërsi.

Google ka bërë të ditur se mjetet dhe të rejat do të jenë të qasshme kur të bllokohen shërbimet e saj, si në Kinë ose në pajisjet jozyrtare Android. Apple do të shpërndajë teknologjinë si përditësim në sistemin operues të iPhone.

Rreth 76 për qind e qytetarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në ekonomitë e tjera të zhvilluara kanë celularë të avancuar, ka treguar një studim i kryer vjet nga qendra për kërkime Pew, krahasuar me rreth 45 për qind në ekonomitë në zhvillim.

Dobia dhe cenimi i lirisë

Qeveritë anembanë botës kanë pasur telashe që të përshtatin softuer për të përmirësuar procesin intensiv të punës të përcjelljes së kontakteve, ku zyrtarët e shëndetësisë do të mund të përcillnin kontaktet e fundit të një personi të prekur dhe t’u kërkonin që të testoheshin ose të futeshin në karantinë.

“Është shumë interesante, por shumë njerëz shqetësohen për shkak të aspekteve të tij të lidhura me lirinë e individit. Do ta shqyrtojmë, do ta shikojmë me kujdes të madh”, ka deklaruar presidenti amerikan, Donald Trump, në një konferencë për media kur është pyetur për përpjekjet e Google dhe Apple.

Ekspertët e shëndetësisë kanë vlerësuar se testimi masiv dhe përcjellja e kontakteve kanë qenë faktorë kritikë për ngadalësimin e përhapjes së virusit në vende si Koreja Jugore, por në Shtetet e Bashkuara janë pakësuar përpjekjet për përcjellje të kontakteve.

Ta zëmë, Departamenti njujorkez i Shëndetësisë dhe Higjienës Mendore i ka thënë Reutersit se përcjellja e kontakteve nuk do të jetë e dobishme derisa nuk kontrollohet virusi.

“Ky nuk është zëvendësim për testimin – duhet ta dini kush e ka – por prodhon rezultate aksionare, me qëllim që njerëzit të veprojnë me përgjegjësi, të vetizolohen dhe të reduktojnë ankthin në bashkësi si tërësi”, ka deklaruar Al Gidari, ligjërues në shkollën e së drejtës në Universitetin e Stanfordit dhe këshilltar i kahershëm juridik i Google.