Anulohet seanca për 27 Prillin, nuk kanë arritur vendimet e Apelit (Video)

Gjykatësja Dobrilla Kacarska e anuloi gjykimin e sotëm për 27 prillin pasi që ende nuk kishin arritur të gjithë vendimet nga Gjykata e Apelit, e cila vendosi mbi ankesat e disa prej të akuzuarve që nuk ishin të kënaqur nga shkalla e parë. Kacarska caktoi seancën e radhës për pas gjashtë ditësh, në mënyrë që mbrojtja të ketë kohë të mjaftueshme për ti përgatitur fjalët përfundimtare. Por kjo kohë shtesë jepet edhe në mënyrë që deri atëherë të arrijnë të gjithë vendimet e plotëfuqishme nga Gjykata e Apelit.

Dobrilla Kacarska, gjykatëse

“Ekziston pengesë për zhvillimin e seancës, derisa vendimet për personat që në shkallën e parë u refuzua amnistia të bëhen të plotëfuqishme. Për të akuzuarin Goran Gjoshevski – Levi, vendimi ishte me gabime drejtshkrimore prandaj është kthyer përsëri në gjykatë. Seanca e ardhshme do të vazhdojë më 21 janar, kur shpresoj se do ti kemi vendimet e plotëfuqishme”

Salla e gjykatës që gjatë vitit të kaluar ishte përplot me të akuzuar, sot nuk ishte e mbushur as deri në gjysmë. Në seancën e sotme u paraqitën tetë persona të akuzuar, ndërsa të tjerët që gjenden në paraburgim nuk ishin sjellë fare, pasi që gjykatësja edhe ashtu ka patur në plan ta anulojë seancën shaku i vendimeve që nuk kishin arritur ende.

Në seancën e sotme, ishin të pranishëm vetëm të akuzuarit Mitko Çavkov, Munir Pepiq, Goran Gjoshevski, Mitko Peshov, Dushko Llazarov, Oliver Radullov, Igor Durllovski dhe Abdulfeta Alimi.

Të akuzuarve që gjykata ua refuzoi kërkesat për amnisti, nuk deshën që të komentojnë para mediave për vendimet që i solli gjykata.

Për shkak të zvogëlimit të numrit të të akuzuarve për 27 prillin, që në vend se të jenë 32, do të jenë vetëm 17, Kacarska theksoi se do duhet të ketë ndryshime në aktakuzën e prokurorisë. Prandaj edhe i dha më shumë kohë mbrojtjes që të përgatitet për fjalët përfundimtare, ndërsa prokurorja Villma Ruskovska ndërkohë u obligua që ti dorëzojë mbrojtjes nga një kopje nga akuza e korrigjuar.

Në seancën e ardhshme të paracaktuar për 21 janar, prokuroria do duhet të japë fjalët përfundimtare. Pas saj, radhën do ta kenë të akuzuarit dhe avokatët e tyre.

Gjatë këtij procesi gjyqësor që nisi dhe gati përfundoi gjatë vitit të kaluar, u dëgjuan mbi 50 dëshmitarë, përfshirë edhe një dëshmitar i mbrojtur. U dëgjuan ish kryetari i Kuvendit Trajko Veljanovski, dhe kryetari aktual Talat Xhaferi. Kryeministri Zoran Zaev, ministiri i informatikës Damjan Mançevski dhe disa deputetë të tjerë.

Gjykata i liroi nga akuzat, respektivisht u miratoi kërkesën për amnisti pesë deputetëve të VMRO-së Kërsto Mukoski, Luben Arnaudov, Sasho Vasilevski, Johan Tarçullovski dhe Lupço Dimovski. Por i amnistoi edhe organizatorët e protestave të dhunshme para Parlamentit, Bogdan Ilievski, Vllado Jovanovski dhe Boris Damovski. Të punësuarit në kabinetin e ish kryetarit Trajko Veljanovski, Ivan Cvetanovski dhe Elena Docevska – Bozhinovska.  U amnistuan edhe vëllezërit Mlladenovski që zbuluan detaje për organizatorët e skenarit të përgjakshëm të 27 prillit. Por u liruan edhe Zaharije Simovski, Mitre Pitropovski dhe Ilija Sllavevsi nga shoqatat patriotike. Të vetmit që nuk bënë kërkesë për amnisti ishin ish shefi i njësiteve speciale policore Mitko Çavkov, Dushko Llazarov, Jane Çento dhe Igor Jug. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/