` . Anulohet Çmimi i Madh i Turqisë, shkak masat anti-Covid - TV SHENJA

Anulohet Çmimi i Madh i Turqisë, shkak masat anti-Covid

Anulohet Çmimi i Madh i Turqisë vetëm dy javë pasi gara e planifikuar për t’u zhvilluar në “Istanbul Park” u përfshi në kalendarin zyrtar të edicionit të 72-të të kampionatit botëror të Formula 1. Kjo garë ishte projektuar për t’u mbajtur në Stamboll më datën 13 qershor, por masat shtrënguese që janë vendosur në Turqi e bënë të pamundur zhvillimin e garës në qytetin më të populluar të Kontinentit të Vjetër. Drejtuesit e Formulës 1 reaguan pa humbur kohë, duke e zëvendësuar Çmimin e Madh të Turqisë me një garë alternative në Austri.

Bëhet fjalë për një garë të dytë në këtë vend, pasi pista e Spielberg-ut ishte përfshirë që në fillim në kalendar nga krerët e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit. Edicionin e kaluar pista e mirënjohur e Red Bull Ring-ut priti dy garat hapëse të sezonit, nën emërtimin Çmimi i Madh i Austrisë si dhe Çmimi i Madh i Styria-s, respektivisht në datat 5 dhe 12 korrik. Styria është një Shtet Federal në këtë vend, që ka privilegjin për të pritur çdo vit botërorin e Formulës 1 dhe me ndryshimet më të fundit krerët e FIA-s kanë përcaktuar edhe datat 27 qershor e 4 korrik, për mbajtjen e garave të kampionatit të sivjetshëm.

Një rast të ngjashëm me Turqinë pati gjithashtu edhe Kanadaja. Turqia u përfshi në kalendarin zyrtar të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit për fundjavën nga data 11 deri më 13 qershor, pikërisht me qëllimin për të zëvendësuar Çmimin e Madh të këtij vendi, që u anulua për shkak të masave të forta shtrënguese që u morën nga Qeveria Kanadeze si dhe kufizimin e ndjeshëm të udhëtimeve nga ana e shtetasve të saj. Turqia pati të njëjtin problem, duke u shndërruar në një opsion të pamundur për krerët e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit si dhe vetë organizatorët, duke marrë në konsideratë faktin që ky vend u përfshi në listën e kuqe të Mbretërisë së Bashkuar, si një vend me një shkallë tepër të lartë rrezikshmërie, për shkak të shtimit të numrit të të prekurve me Covid – 19.

Tani në kalendar pra gjithçka u modifikua, duke ndezur dritën jeshile për një garë të dytë në Austri, që për hir të së vërtetës do të zhvillohet një javë përpara datës së programuar në kalendar, më saktë në fundjavën përmbyllëse të muajit të ardhshëm, nga data 25 deri më 27 qershor. Këto data ishin përcaktuar për Çmimin e Madh të Francës, që tani do të afrohet në kalendar me një javë dhe do të mbahet në Cirkuitin Paul Ricard, në Le Castellet, në juglindje të vendit, në pjesën e Bregut të Kaltër nga data 18 deri më 20 qershor. Një ndryshim I tillë tani bën të mundur një ngjeshje të dukshme të kalendarit dhe zhvillimin e tre garave radhazi në Francë dhe Austri.

Presidenti i Formulës 1 Stefano Domenicali deklaroi se të gjithë u përpoqën me të gjitha forcat në mënyrë që gara e Çmimit të Madh të Turqisë të zhvillohej rregullisht sipas kalendarit, por kufizimet e shumta që u vendosën në lidhje me lëvizjen e lirë të qytetarëve e bënë të pamundur zhvillimin e një gare të tillë në këtë vend, gjatë muajit qershor. 55-vjeçari emilian tha se Formula 1 tregoi përsëri se është në gjendje për të reaguar shpejt dhe më së miri ndaj zhvillimeve më të fundit, duke gjetur zgjidhjet e duhura dhe marrë masat e nevojshme. Në këtë mënyrë do të ruhet edhe numri i përgjithshëm i garave, që mbetet 23 në total.

Vetë Formula 1 ka hartuar një protokoll të veçantë dhe një plan të detajuar me masa të forta shtrënguese, me synimin për të reduktuar në minimum rrezikun e infektimit nga pandemia e koronavirusit. Nga të dhënat e publikuara nga vetë krerët e këtij aktiviteti janë kryer gjithsej plot 17.000 teste vetëm gjatë këtij viti, pas të cilëve janë regjistruar vetëm 15 raste pozitive, pra vetëm 0,1% dhe drejtuesit vazhdimisht kanë këmbëngulur në marrjen e masave të nevojshme për mbrojtjen e personelit apo dhe stafit të cdo ekipi, që merr pjesë në këtë kompeticion.

Sipas zërave të ndryshëm ishin të shumtë ata që kërkonin që gara e Çmimit të Madh të Turqisë të mbahej në kalendar nga Liberty Media, ndërkohë sipas burimeve të tjera një pjesë e mirë e skuadrave beson se nuk është e nevojshme që në kohë të vështira si këto, me masa të tilla shtrënguese të respektohet patjetër numri i 23 garave.

Në fakt një numër i tillë, kaq i lartë, justifikohet deri diku me faktin që në vazhdim, në pjesën e dytë të këtij aktiviteti mund të përsëritet e njëjta situatë edhe në pista të tjera, si për shembull Çmimet e Mëdha në Singapor, Japoni, Shtetet e Bashkuara, Meksikë, Brazil dhe Australi, të cilat janë programuar në kalendar për në periudhën tetor – nëntor dhe rrezikojnë gjithashtu të pësojnë fatin e Kanadasë dhe Turqisë, duke u anuluar përfundimisht, gjë që natyrisht do të ndërlikonte ndjeshëm situatën, përsa i përket aspektit financiar dhe marrëveshjeve të siguruara që më parë, me sponsorët e shumtë dhe transmetuesit e ndryshëm televizivë.