` . Anita Haziri u këndon trojeve shqiptare - TV-SHENJA
Anita Haziri u këndon trojeve shqiptare

Anita Haziri u këndon trojeve shqiptare

“Nga mosha pesëvjeçare e kam vërejtur se kam talent për muzikë, por në vitin 2014 kam filluar të ngjitem nëpër skena, si në Kosovë, ashtu edhe jashtë saj. Kam filluar me muzikë popullore dhe kam dashur të vazhdoj me këtë zhanër”, është shprehur Anita, derisa thotë se ka zgjedhur të këndojë në këtë zhanër, sepse dëshiron të përçojë një mesazh tek të rinjtë.

Shkruan: Dafina KABASHI

Shqiptarët i kanë ruajtur traditat e të parëve të tyre. Të ndarë nëpër shtete, pa i dalluar asgjë, ata kanë pasur mall dhe e kanë ruajtur dashurinë për njëri-tjetrin. Këto janë vetëm disa prej elementeve që e përbëjnë këngën “Trojet shqiptare”, që e këndon Anita Haziri. Pos tjerash, vargjet e këngës së saj thonë: “Ku janë shtru sofrat bujare, krejt atje i thotë tokë shqiptare”. Teksa thotë Zoti i madh e ruajt Shqipërinë, ajo bën thirrje që shqiptarët kudo që janë, ta ndjejnë këngën e saj.

Për Anitën është ndër të këndojë një këngë që u kushtohet trojeve shqiptare, bashkimit të shqiptarëve kudo ku ata jetojnë.

“Jam ndjerë mirë kur e kam kënduar këtë këngë. Kam nderin ta këndoj një këngë kushtuar trojeve shqiptare”, tregon Anita Haziri për revistën “Shenja”, teksa thotë se sapo ka lexuar tekstin, menjëherë ka vendosur ta këndojë këtë këngë.

“Është këngë që bën thirrje që të bashkohen të gjithë shqiptarët, sepse kemi kaluar sakrifica të ndryshme. Koha na ka përballur me shumëçka, duke mbetur të ndarë dhe tani duhet të bëhemi një”, shprehet Haziri, duke treguar se tekstin e këngës e ka shkruar Milaim Islami, ndërsa për muzikën është kujdesur Shpejtim Gashi.

16-vjeçarja nga Drenasi thotë se i ka filluar aktivitetet e saj muzikore që nga viti 2014. Anita Haziri është anëtare e ansamblit “Shote Galica” në Drenas.

“Nga mosha pesëvjeçare e kam vërejtur se kam talent për muzikë, por në vitin 2014 kam filluar të ngjitem nëpër skena, si në Kosovë, ashtu edhe jashtë saj. Kam filluar me muzikë popullore dhe kam dashur të vazhdoj me këtë zhanër”, është shprehur Anita, derisa thotë se ka zgjedhur të këndojë në këtë zhanër, sepse dëshiron të përçojë një mesazh tek të rinjtë.

“Pasi jam brez i ri, kam dashur të jap një mesazh se nuk duhet t’i harrojmë vlerat e kombit tonë”, tregon ajo, duke shtuar se është e përcaktuar të këndojë në këtë zhanër dhe se ndjehet më mirë kur këndon këngë popullore.

“Kam provuar të këndoj edhe në zhanre të tjera, po te këngët popullore gjej qetësinë dhe qysh e re kam vendosur të këndoj në këtë zhanër”, shprehet Haziri.

Përmes vargjeve të këngës “Trojet shqiptare” Anita Haziri bën thirrje që shqiptarët ta ndjejnë këngën e saj, të bashkohen.

“Tërmeti që ndodhi në Shqipëri mendoj se është një tregues se shqiptarët janë të bashkuar. Kufijtë që mes shteteve ku jetojnë shqiptarët nuk do të thonë asgjë, ata mund të largohen, mund të mos vërehen fare. Pra, kemi parë që tërmeti nuk i preku vetëm vendet që ishin të prekur, por i preku zemrat e gjithë shqiptarëve kudo që janë”, ka thëtë Anita, për të shtuar se shqiptarët nuk janë asnjëherë të ndarë dhe në të ardhmen gjithçka do të jetë e përbashkët mes Kosovës, Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë.

“Besoj që shqiptarët e kanë ndjerë këngën time, pasi e kam kënduar me zemër, e kam bërë me mund dhe sakrificë, që ta ndjej në zemër çdo shqiptar”, shprehet Anita Haziri.

Anita është soliste në ansamblin “Shote Galicia” në Drenas. Si anëtare e këtij ansambli, ajo i zhvillon pothuajse të gjitha aktivitetet e saj muzikore.

“Aktivitetet tona janë në çdo vend të Kosovës, mirëpo jemi prezantuar edhe në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi. Në çdo vend që shkojmë mundohemi të tregojmë që çdo brez duhet ta kultivojë muzikën popullore të vendit të vet”, ka thënë Anita Haziri, duke shtuar se ansambli “Shote Galica” korrë suksese në të gjitha aktivitetet ku merr pjesë.

“Në shumë raste jam shpallur solistja më e mirë ose debutuesja më e mirë, gjë që më bën të ndjehem tepër mirë dhe mendoj që jam duke shkuar nëpër hapa të duhur për ta realizuar ëndrrën time. Jam në hapat e parë.”, shprehet Anita, teksa thotë se eksperienca në ansambël e ndihmon shumë për të ardhmen e saj si këngëtare.

“Prej këtij ansambli kanë dalë shumë këngëtarë, siç janë: Shaqir Cërvadiku, Afërdita Demaku, Shyhrete Behluli, Shkurte Fejza, Violeta Kukaj dhe shumë e shumë të tjerë, që sot janë ikona të muzikës popullore”, ka thënë ajo, duke shpresuar se do ta ndjekë rrugën e tyre.

“Ne i këndojmë këngët e tyre, sepse i tillë është zhanri. Por, idoli im është Shkurte Fejza, sepse nuk e ka ndërruar asnjëherë zhanrin, ka qëndruar ashtu siç ka qenë në fillim.”, shprehet Anita, dëshira e së cilës është që këngët popullore shqipe t’i këndojë kudo në botë ku ka shqiptarë.

“Do të doja të shkelja edhe në skena ndërkombëtare, skena më të mëdha jashtë Kosovës, kudo ku ka shqiptarë që të mbajë koncerte për ta. Do të doja të më njohë gjithë shqiptaria”, ka thënë Anita Haziri, duke treguar se çdo javë mban orë të muzikës në kuadër të ansamblit. Në rrugëtimin e saj në muzikë ajo thotë se përkrahjen më të madhe e ka nga familja.

“Përkrahjen më të madhe e marr nga familja ime, por edhe shoqëria dhe rrethi ku jetoj më kanë përkrahur”, ka thënë Anita, e cila është nxënëse në shkollën e mesme “Fehmi Lladrovci” në Drenas, në degën e Farmacisë.

“Jam nxënëse e shkëlqyeshme. Drejtimin që e kam është shumë i vështirë, prandaj nuk mund të përcaktohem vetëm në muzikën, sepse farmacia kërkon shumë përkushtim”, thotë Haziri, derisa shton se nuk dëshiron ta lë anash as muzikën, as farmacinë. “Unë çdo të shtunë kam prova të rregullta, ku bëj ushtrime të zërit. Por, nuk e lë anash as shkollën. Çdo muaj bëj praktikë në farmaci, që ta praktikoj punën time”, ka thënë ajo për “Shenjën”.

Në të ardhmen Anita Haziri synon t’i ushtrojë të dyja profesionet, si këngëtare dhe si farmaciste.

“Do të doja që publiku, kudo që shkoj, të më presë mirë. Në të ardhmen do të doja të isha edhe një farmaciste e mirë, sepse nuk dua ta lë anash asnjëherë profesionin tim”, thotë Anita, për të shtuar se qysh tani po punon shumë në të dyja profesionet, sepse – siç thotë ajo – të dyja i ka për zemër.