` . Angellovski dhe Ristovski flasin para ndeshjes me Ukrainën - TV SHENJA

Angellovski dhe Ristovski flasin para ndeshjes me Ukrainën

Përfaqësuesja e Maqedonisë sot ka zhvilluar stërvitjen zyrtare para ndeshjes së nesërme kundër Ukrainës në kuadër të xhiros së dytë në fazën e grupeve të Kampionatit Europian.

Seleksionuesi Igor Angellovski ka thënë se ekipi është i gatshëm për ndeshjen më të rëndësishme që kjo gjeneratë do ta luajë.

“Nga ajo që kemi mësuar, më e rëndësishme është se sërish besojmë që kemi kualitet, sepse deri në minutën e 80-të kishim rezultat aktiv kundër Austrisë. Nuk luajtëm në mbrojtje, nuk ishim të mbyllur, madje kishim edhe situata që të avansojmë. Gjithsesi, atë nuk arritëm që ta bëjmë, pranuam gol pas një rënie të përqendrimit. Na vjen ndeshja me Ukrainën, mendoj se kemi situatë që të përmirësohemi në aspekt të rezultateve”.

“Erdhëm në EURO për qëllim që të kualifikohemi në fazën e dytë dhe kjo fazë për ne është ende aktive. Kemi përballë vetes kundërshtarë që gjithashtu ka zero pikë, që do të thotë kjo për ne është si një finale. Edhe nëse nuk do të arrijmë, nuk do të jetë tragjike, por sigurisht se do të japim gjithçka nga vetja. Ukraina është përfaqësuese kualitative, atë e treguan edhe kundër Holandës. Kanë futbollist shumë të mirë, por edhe ne kemi kualitetet tona që mund të luajmë me secilin”.

Stefan Ristovski vlerson se ekipi është i gatshëm psiqikisht dhe fizikisht dhe nuk duhet të lejohet që të bie atmosfera.

“Jemi profesionist dhe nuk duhet të lejojmë që të bie atmosfera. Kjo ëshë një garë e madhe, ne nuk duhet të lejojmë asgjë që na humb përqëndrimin. Kemi edhe dy ndeshje, do të japim maksimumin. Ne këtu nuk kemi ardhur për turizëm, kemi kualitet. Duhet të mbrohemi mirë dhe me kundërsulme ta befasojmë kundërshtarin. Kur luan me kësi lloj përfaqësuese, duhesh të jesh i përgatitur për gjithçka. Me Austrinë u përgatitëm për një, por ata dolën me 5 futbollistë mbrojtës. Secilin tenton të të befasojë”.