` . Ambicia e dështuar - TV SHENJA

Ambicia e dështuar

Aktiviteti i hovshëm i Francës në rajon ka të bëjë edhe me politikën e brendshme përmes të cilës kalon shteti francez. Tanimë është e njohur se presidenti francez është përballur me probleme serioze në politikën e brendshme dhe legjitimiteti i tij në shoqërinë franceze është gërryer seriozisht, veçanërisht gjatë të ashtuquajturave protesta të Jelekëve të Verdhë.

 

Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup

Mesdheu, Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut ka një rëndësi të theksuar për Francën, madje jo vetëm në politikën e jashtme, por edhe në shoqërinë, kulturën e politikën franceze. Andaj, ky rajon asnjëherë nuk kanë qenë i shkëputur nga ambiciet hegjemoniste të Francës. Kjo e përbën atë që John Mearsheamer-i e quan realizëm ofensiv, pra situatën në të cilën shteti gjithmonë është në kërkim të mundësive për të fituar e maksimizuar fuqinë mbi rivalët e tij dhe të shtrirjes së hegjemonisë regjionale si qëllim përfundimtar!

Duke u nisur nga përvoja e kaluar koloniale, Franca në vazhdimësi këmbëngul për ta udhëhequr Evropën kur kjo e fundit duhet të merret me rajonin e Mesdheut e të Lindjes së Mesme! Në këtë rajon Franca vetëperceptohet si një aktor i cili, përskaj fuqisë superiore ushtarake, anëtares së përhershme në KS të OKB-së, lidhjet e saja historike e kulturore me aktorë të ndryshëm të rajonit dhe rrjeti i gjerë diplomatik e arsimor sigurisht që i shërben Parisit si mjet për t’i arritur e të objektivat e veta. Vizita e presidentit francez, Emanul Macron, presidenti i vetëm perëndimor që kreu vizitë në Bejrut, madje që në ditët e para të katastrofës, por edhe vizita në Bagdad muaj më parë, nuk ka dyshim se pasqyron politikën franceze kundrejt rajonit të Mesdheut dhe Lindjes së Mesme. Por, janë disa arsye që kohëve të fundit e bëjnë presidentin Macron të ndërmarrë një politikë aktive në pellgun e Mesdheut:

 

Zhvillimet e brendshme

Aktiviteti i hovshëm i Francës në rajon ka të bëjë edhe me politikën e brendshme përmes të cilës kalon shteti francez. Tanimë është e njohur se presidenti francez është përballur me probleme serioze në politikën e brendshme dhe legjitimiteti i tij në shoqërinë franceze është gërryer seriozisht, veçanërisht gjatë të ashtuquajturave protesta të Jelekëve të Verdhë.

Emanuel Macron-i tashmë gjendet para një situate kur duhet të tregojë histori suksesi përpara zgjedhjeve presidenciale të parapara në vitin 2022, andaj i kushton një rëndësi të madhe Mesdheut Lindor si pjesë e politikës së tij të zgjerimit në fushën e politikës së jashtme! Nevoja për të pasur qasje në burimet e pasura të Afrikës dhe Mesdheut Lindor, në mënyrë që Franca të mund të bëhet edhe një herë aktor me ndikim në politikën ndërkombëtare, janë tregues i veprimeve të Macron-it në Mesdhe! (Inat: 2020).

Sipas Foreign Policy, në rastin e Libisë, mbështetja e Francës për Halifa Haftarin, përkundër qeverisë legjitime libiane, vjen edhe për shkak se për hesap të Macron-it, Haftari – si një gjeneral i fuqishëm, është i përshtatshëm për Francën në mënyrë që ta mbajë Libinë të bashkuar e kësisoj të mundësojë moskalimin e libianëve dhe afrikanëve të tjerë në truallin e Evropës. (Foreign Policy, September, 2020).

Çështja e refugjatëve për establishmentin francez e evropian përbën një çështje prioritare, kjo edhe për faktin e thjeshtë se ardhja e refugjatëve në Evropë solli me vete rritjen e partive të ekstremit të djathtë, nacionaliste e neo-naziste dhe kështu u goditën politikat e Brukselit dhe kohezioni i brendshëm evropian. Emanuel Macron-i, para publikut francez, duhet të zotohet për një shmangie të një vale të re refugjatësh, të cilët do ta vërshonin tokën franceze.

 

Varësia energjetike

Libia është shteti i cili posedon rezervat më të madha të naftës në Afrikë dhe është mbajtësi i pestë më i madh i rezervave të gazit në kontinentin afrikan. (US Energy Information administration), kurse kompania franceze e energjisë TOTAL në Libi funksionon thuajse rreth shtatë dekada, ndërsa në Irak në fushën e naftës Halfaya posedon mbi 20% të aksioneve. Kjo kompani, gjithashtu, është e përfshirë edhe në eksploatimin e gazit rreth ujërave të Qipros. Vendosja e kontrollit mbi burimet energjetike të Libisë s’do mend se do t’i sillte Macron-it një sukses shumë të nevojshëm të politikës së jashtme, por edhe do t’i heshtte kundërshtarët e tij në politikën e brendshme. (Inat: 2020).

Suksesi eventual i Haftarit në territorin libian dhe përmbysja e qeverisë së njohur ndërkombëtarisht do të ishte e mirëseardhur për Francën, ngase kësisoj kompanive franceze do t’u mundësohej pjesëmarrja në ndarjen e burimeve energjetike që i ofron Libia.

Rreshtimi i Francës krah për krah Greqisë e Qipros përbën veprim i cili synon ta ngushtojë hapësirën manovruese të Turqisë në rajon e, si rrjedhojë, t’ia ndalë ambiciet e të qenit fuqi regjionale!

Ndonëse në synimet e veta Franca gëzon mbështetjen e aktorëve të ndryshëm rajonalë, megjithatë Instituti për Studimet e Sigurisë Nacionale në Universitetin e Tel-Avivit vë në dukje se Franca ende nuk ka arritur të ndryshojë ekuilibrin e fuqisë në Mesdheun Lindor dhe se tani perceptohet si një nga humbësit e konfliktit libian dhe e gjen veten ndërmjet një konfrontimi ballë për ballë me Turqinë, pa qenë në gjendje ta mobilizojë mbështetjen e fuqive evropiane ose aleatëve në NATO.