Ambasadori amerikan: Shtyhet plani i paqes për Lindjen e Mesme

Ambasadori amerikan: Shtyhet plani i paqes për Lindjen e Mesme

Ambasadori amerikan në Izrael, David Friedman, deklaroi sot se plani i administratës së tij për paqen në Lindjen e Mesme me gjasë do të vonohet së publikuari, raporton AA.

Në deklaratat dhënë pas takimit me këshilltarin e presidentit amerikan, Donald Trump, për çështje të sigurisë, John Bolton, në Izrael, Friedman tha se publikimi i të ashtuquajturës “marrëveshja e shekullit” do të shtyhet për disa muaj.

“Marrëveshja e shekullit” është një plan amerikan për paqe në Lindjen e Mesme, detajet e të cilit ende nuk janë bërë publike.

Tamer Zandberg, kryesuese e lëvizjes izraelite Meretz, e kritikoi vonesën e planit amerikan. “Nuk e kam të qartë se në cilin shekull Trump e ka ndërmend të publikojë marrëveshjen e shekullit”, komenton ajo.

Zandberg thotë se është fare e papranueshme mënyra me të cilën Trump synon të ndihmojë kryeministrin Netanjahu në zgjedhje, duke e shtyrë publikimin e planit në vend që ta çojë përpara.

Ministrja izraelite e Drejtësisë, Ayelet Shaked, më herët e quajti “marrëveshjen e shekullit” të Uashingtonit si një “humbje kohe”, ndërkohë që Autoriteti Palestinez, ka hedhur poshtë çdo ndërmjetësim të SHBA-ve në bisedimet e paqes.

Ky vendim u mor pasi Trump në fund të vitit 2017, njohu në mënyrë të njëanshme Kudsin për kryeqytet të Izraelit.

Kudsi mbetet në zemër të konfliktit të Lindjes së Mesme për shumë dekada, me palestinezët që shpresojnë se Kudsi Lindor, i pushtuar nga Izraeli që nga viti 1967, një ditë do të mund të shërbejë si kryeqytet i një shteti palestinez.