` . Alternativa pa alternativë! - TV SHENJA

Alternativa pa alternativë!

“E reja” ose “ndryshimi” nuk vjen me partitë të cilat kanë pasur sa e sa herë shansin t’i realizojnë premtimet që i japin tash. Edhe ata që janë në pushtet këto tetë vjetët e fundit, edhe ata që ishin para, kanë mundur ta rrisin ekonominë, ta zvogëlojnë papunësinë, ta ndalin procesin migrues, që tash opozita e ka bërë temë parazgjedhore.

Shkruan: Daut DAUTI, Shkup

Në Shqipëri, as pas 25 prillit (s’do të ndodhë) asgjë e re! Edhe nëse ndodh ndonjë ndryshim, ai do të jetë si në atë barcoletën boshnjake për Hason dhe Huson, për t’i hipur kalit, që përfundon me atë shprehjen e famshme “zbrit Haso, të hipë Huso!” (“Sjaši Haso, da zajaše Huso!”).

 

Ndryshim pa ndryshim!

 

Është një atmosferë e përhershme parazgjedhore që imponon nevojën “e ndryshimit”, që domethënë në vend të pushtetit që ka kapur shtetin, pushtetit të korruptuar, dështak në realizimin e premtimeve…, të vijë dikush që do të udhëheqë më mirë, që nuk do të zhytet në fenomenet e pararendësve… Por, gjithçka përfundon me epilogun e pritur. Kur dëgjon debatet politike, edhe në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, prapë fitohet përshtypja sikur këto janë zgjedhje për jetë a vdekje, se shkuarja e garniturës që ishte tetë vjet me radhë (Edi Rama) dhe ardhja e opozitës me Lul Bashën e Monika Kryemadhin, do ta shpëtojë Shqipërinë. Është vështirë të gjesh argumente të qëndrueshme për t’i dalluar “veçoritë” e këtyre zgjedhjeve nga ato të mëparshmet, sepse përherë Shqipëria sikur ka qenë para udhëkryqeve ose të paktën aktorët politikë kështu e kanë paraqitur situatën.

Pas tri dekadash Shqipëria ka nevojë për ndryshim, por ndryshimi nuk mund të ndodhë nëse shkon Rama e vjen Basha. Sepse, dy të fuqishmit e tranzicionit, Sali Berisha e Fatos Nano, tashmë janë pensionuar, por a bënë diçka më shumë dhe më mirë pasardhësit e tyre? “Ndryshimi” është një fjalë që humbë kuptimin, sepse edhe kur ndodh, nuk sjell diçka të re, përveç ndërrimit të një garinture me një tjetër. Një ndryshim i tillë ndodhi në Kosovë në zgjedhjet e shkurtit, kur erdhi një alternativë e të gjitha alternativave të mëparshme, Lëvizja Vetëvendosje! Shumë faktorë flasin se qeverisja e re kosovare do të jetë shumë “më ndryshe” nga të gjitha të mëparshmet, por efektet e së cilës në planin afatshkurtër e afatgjatë, duhet t’i presim. Premtimet e saj dhe pritjet e qytetarëve janë vërtet të mëdha.

Vetë LVV-ja u kujdes që t’i përziejë “letrat” edhe në zgjedhjet e 25 prillit, por katër kandidatët e saj, megjithatë, janë të pamjaftueshëm për të sjellë një forcë të re politike. Plus që ajo nuk është autentike, por e “importuar”. Edhe në rastin më të mirë, që të zgjidhen që të katër kandidatët e kësaj lëvizjeje, që në Shqipëri udhëhiqet nga Bojken Abazi, një ish-aktivist i “Mjaftit” të Erion Velijajt (që sot është në PS), do të ishin vetëm një “teg” peshoreje në rast të një rezultati zgjedhor të balancuar. Siç flasin sondazhet, në atë rast, si pjesëtarë të një force të majtë, për të bërë ndryshimin e pushtetit, do të duhet t’i bashkëngjitet një force të djathtë (PD-së) në koalicion me një të majtë tjetër, LSI-në e Monika Kryemadhit e Ilir Metës. Por gjithë këto janë hesape pa hanxhiun, sepse LVV-ja e Shqipërisë vështirë se do të arrijë përfaqësim që të bëhet faktore për ndryshimet eventuale.

Nuk dua t’ua marr bukën kronistëve pedantë – ata më saktë mund të përdorin shifra, por mua mbetet vetëm të them se në këto zgjedhje hyhet me (edhe) një reformë zgjedhore, të cilën e kanë kërkuar subjektet, gjithnjë duke menduar se modeli zgjedhor i ri do t’i favorizojë ato. Por, ky ose ai model zgjedhor (dushku i madh o i vogël, me lista të hapura ose të mbyllura, me lista të hartuara nga liderët ose nga anëtarësia…), është relativ, sepse ajo që është me rëndësi, janë garuesit, e në këtë kontekst qytetarët duhet të vendosin midis subjekteve të cilat i kanë parë në pushtet nga disa mandate secilin. I ka pasur demokratët dhe socialistët në koalicionet me parti të vogla satelite, për më tepër, PS-në dhe PD-në i kanë parë edhe në kombinim me LSI-në, si një forcë jo e dobët për balancë midis dy të parave, por kush mund të flasë për kualitetin e qeverisjes së këtyre kombinimeve?

A zgjedh Shqipëria midis dy të këqijave? Apo midis dy të mirave? Çdo pushtet ka sjellë të mirat dhe ka qenë bartës të këqijash. A mund të pretendojë Edi Rama se ka bërë gjëra më mirë se Berisha, përderisa bilanci i tij, duke dëgjuar debatet, është më i keq se i Berishës? Berisha të paktën ia hapi dyert Shqipërisë për NATO, por nëse PD-ja e shan Ramën për krimin e organizuar, trafikimin e drogës (“gjithë Shqipëria u bë Lazarat!”), mosndëshkueshmërinë për korrupsion, etj., kanë mbetur si hije mbi PD-në dhe vetë Berishën dukuri të ngjashme, me plus finesa si krimi i 21 janarit, Gërdeci, pushteti autoritar brenda partisë etj.. Nëse këtu i shtohet “vepra e kaluar” e LSI-stëve, atëherë çdo gjë bëhet e qartë. Sepse, pikërisht vetë LSI-ja ia nxori këto ditë Lefter Kokës bëmat e tij korruptive, por në momentin kur ky kaloi në PS, për të mos harruar as videon kamerës së fshehtë të Tritan Priftit me Ilir Metën (edhe pse ai mendon se “ekspertiza” është fjala për sajesë e ka bindur publikun për pastërtinë e tij), gjë që flet si për të kaluarën, si për të ardhmen e një qeverisjeje eventuale të ndryshuar me PD-në e LSI-në bashkë.

 

Shansi i humbur i Kreshnik Spahiut dhe Vasil Tupurkovskit

 

Historia tri-dekadëshe njeh shumë përpjekje për t’i ikur fatit të qytetarëve që të zgjedhin midis të dy partive. Partia Republikane, Partia Socialdemokrate, Aleanca Demokratike, Legaliteti, Partia Demokristiane, PDIU… Mund të jenë me dhjetëra përpjekje për t’u futur në mes PS-së dhe PD-së, por përveç LSI-së, asnjë prej tyre seriozisht nuk është bërë e gjallë sa për t’u bërë alternativë e vërtetë e tyre. Edhe forca e LSI-së është rritur vetëm si faktor vendimtar se cila nga dy partitë e para do të bëjë koalicion me të, e jo se ajo vetë mund t’i zëvendësojë ato. Po edhe sikur të ishte faktorizuar në maksimum, çfarë do të përbënte të re një LSI, e cila nuk ka lindur si rezultat i përplasjeve doktrinare brenda PS-së, por i ambicieve karrieriste të Ilir Metës dhe mërisë ndaj Fatos Nanos? Edhe kjo s’do të ishte ndonjë mëkat politik, por në aspektin e ndryshimeve nuk do të thotë asgjë kualitative, sepse subjekti i ri del nga i njëjti brumë. Pragmatizmi i kësaj force politike, pastaj, vetëm tregon se partitë ekzistojnë për t’i kënaqë ambiciet individuale e grupore, e vetëm kalimthi realizojnë edhe ndonjë interes të shtetit… Nëse LSI-ja, me gjithë faktorizimin, s’mund të lëvizë më shumë se një forcë e tretë, çka të thuash për dhjetëra partitë e tjera, disa të përmendura më sipër, të cilat shërbenin si dekor ose si satelite të të mëdhenjve gjatë këtyre tri dekadave. Edhe ato më shumë u shërbenin ambicieve të liderëve të tyre, që në koalicionet “grumbull” siguronin të shpeshtën vetëm vetveten.

Në të vërtetë, Shqipëria e ka humbur shansin e vet për ndryshime që para disa vitesh, kur euforia që e krijoi Kreshnik Spahiu me floskula patriotike e politike të Aleancës Kuq e Zi, themeluar në vitin 2012, e me një anëtarësi të pretenduar mbi 100.000, që u shfry si balon i plasur në sprovën e parë zgjedhore kur nuk e kaloi as pragun, edhe pse ajo vetë e pretendonte dhe ishte e bindur në fitoren! Nuk mund të paragjykojmë ose supozojmë çfarë do të kishte sjellë po të fitonte ajo lëvizje, por të paktën do të ishte një ndryshim, një alternativë e dy “elefantëve” të mëdhenj politikë, PS-së dhe PD-së. Është ironike, por ajo lëvizje që mund të ketë lindur edhe si imitim i LVV-së, që tubonte mijëra njerëz (tubime masovike si të Aleancës Kuq e Zi nuk mund të përsëriten!), çuditërisht krijuan një iluzion se kishte ardhur koha që në skenë të dalë një forcë e re politike që ofron diçka të re. Ajo që ishte diçka e re, në të vërtetë, ishte një demagogji e Kreshnik Spahiut sikur ai kishte shpikur “kauzë”, e cila mbeti në tentim. Kauza e tij e panshqiptarizmës jo që mund të jetë në kundërshtim me idealin kombëtar shqiptar, por ishte si një “zbulim Amerike”, sikur askush para tij nuk e paska pasur atë kauzë. Krijimi i një iluzioni se ka përkrahje masovike, bënë që në një moment të mendohet se vërtet është paraqitur alternativa e re për të gjitha qeverisjet e deritashme… Keq që u shfry si balon, sepse shqiptarët mbetën të privuar që ta shohin në praktikë çka do të sillte një “qeverisje tjetërfare”, edhe pse në çështjet për të cilat ka nevojë Shqipëria, nuk besoj se do t’i lëvizte shumë më larg proceset se sa është faza e tashme e tranzicionit.

Ndryshe nga Shqipëria, ndryshimi u bë në Kosovë, me një forcë krejtësisht të re politike, LVV-ja dhe çka do të sjellë ajo, gjithë publiku shqiptar pret me kureshtje të madhe. Në një përvojë të ngjashme ndryshimi, Maqedonia pat kaluar kur në skenën politike qe paraqitur Alternativa Demokratike e Vasil Tupurkovskit, një forcë as e majtë, as e djathtë, për më tepër, e padefinuar ndoshta ideologjikisht, por që me paraqitjen e saj ambicioze, arriti prej zeros të dalë forcë e tretë në zgjedhjet e 1998-tës, duke premtuar “miliardën” e famshme. Me atë tërhoqi një numër të madh qytetarësh, të cilët menduan se do të vijnë më shumë se një miliardë dollarë investime, e në anën tjetër platforma qytetare dhe jonacionaliste joshi nacionalitetet e shumta që të tubohen rreth saj. Por, që të vinte në pushtet Alternativa, që ishte antipod i pushtetit të LSDM-së për dy mandate radhazi, u desh të bëjë koalicion me partinë nacionaliste VMRO-DPMNE, që nuk ishte një kombinim i natyrshëm, por pjesa më interesante ishte miliarda e premtuar. Doli se ajo vërtet ishte siguruar, por nga Tajvani, me një kusht që Maqedonia ta njohë pavarësinë e tij. Dhe, kjo ndodhi, dhe ashtu nisën të vijnë edhe investimet, të cilat dolën dardhë me bisht, sepse erdhi në shprehje fuqia e Kinës dhe bllokadat që nisi t’ia bëjë Maqedonisë në OKB dhe në organizma të tjerë ndërkombëtarë, andaj shumë shpejt u desh të hiqet dorë nga njohja e Tajvanit, e me këtë edhe nga paratë e tij. Mbetën një sasi milionash parashtë Tajvanit nëpër duart që i kaloi vetë ideatori i saj, që u bënë edhe pjesë e proceseve gjyqësore për korrupsion… Të kishte qenë e vërtetë miliarda, ndoshta Maqedonia do të kishte pasur një histori tjetër zhvillimi, e me këtë edhe do të kishte ardhur duke u rritur forca e alternativës së Vasil Tupurkovskit. Por, dështimi i saj paraqet edhe kthjellje për elektoratin, i cili nuk kërkon më forcë të re dhe është pajtuar me fatin që të përcaktohet midis LSDM-së dhe VMRO-së, në bllokun maqedonas, ndërsa për bllokun shqiptar ajo është një histori tjetër, që ndryshimet janë bërë duke u zhdukur dy partitë e para, PPD dhe PDSH, vendin e të cilave e ka zënë BDI-ja si trashëgimtare e UÇK-së dhe Lëvizja Besa (e përçarë pastaj në dy forca të reja) dhe Aleanca për Shqiptarët…

 

Hipotekat e kaluara, ngarkesë për të gjithë aktorët politikë

 

“E reja” ose “ndryshimi” nuk vjen me partitë të cilat kanë pasur sa e sa herë shansin t’i realizojnë premtimet që i japin tash. Edhe ata që janë në pushtet këto tetë vjetët e fundit, edhe ata që ishin para, kanë mundur ta rrisin ekonominë, ta zvogëlojnë papunësinë, ta ndalin procesin migrues, që tash opozita e ka bërë temë parazgjedhore. Sikur më parë Shqipëria të kishte qenë parajsë dhe askush nuk ka ikur, edhe pse e vërteta është se ai proces nuk ka pasur të ndalur, pavarësisht se kush ka qenë në pushtet. Dëshmi është regjistrimi i fundit i popullsisë, ku del se afro 40 për qind të qytetarëve të Shqipërisë janë jashtë!

Në rrënojat e dështimeve të një qeverisjeje, ngrihet kulla e shpresës së një opozite. Kësaj radhe opozita shqiptare do të duhej ta kishte më lehtë ta bënte ndryshimin, sepse logjikshëm do të ishte që pas dështimeve të Ramës në planin e eurointegrimit (ku zakonisht mbahet në “duet” me Maqedoninë, por gjithnjë duke e apostrofuar Shqipërinë si shkaktare të ngecjeve), që ndërlidhet me dështimet në reformat e gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit, trafikut të drogës etj., por, si duket, as të gjitha këto, të paktën sipas sondazheve të bëra një muaj para zgjedhjeve, nuk mjaftojnë që t’ia sigurojnë kthimin opozitës, e cila ballafaqohet edhe me kriza të veta të brendshme. Sepse, opozita, e cila ndërkohë e ka bërë vetë “ndryshimin”, sepse PD-ja është e udhëhequr nga Lulëzim Basha, kurse edhe LSI-ja jo nga Ilir Meta, por nga e shoqja e tij, duke mos sjellë ndonjë kualitet veprimi, përveçse konfuzion, sidomos me vendimin e pamenduar mirë të djegies së mandateve të deputetëve, që sipas të gjitha analizave, i defaktorizoi dhe i margjinalizoi në masë që të mos jenë aq të fortë për t’u përballur me Edi Ramën, sado që të ketë pasur dështime në dy mandatet e tij. Si rezultat i konfuzitetit brenda opozitës janë edhe koalicionet tejet të panatyrshme, ku “lokomotivës” i ngjiten satelitë “kuçi e maçi”, siç janë të gjitha partitë e vogla pa elektorat, parti që kanë dalë nga përçarjet e vetë PD-së, madje dhe të tilla që kanë interesa të kundërshtuara, siç janë partia e çamëve dhe ajo e grekëve të Vangjel Dules. Pra, në peshojë janë bëmat e Edi Ramës batutaxhi ironik dhe zënkaxhinjve Basha e Kryemadhi. Vaj vatani e mjerë mileti, edhe sikur të ndodhte ndryshimi! Sepse, enigma e këtij trileri politik është se çfarë do të jetë “kimia” e PD-së dhe LSI-së në një situatë kur aq shumë i duhen njëra-tjetrës, e aq thika prapa shpine mund të ndodhin gjatë bashkëqeverisjes. Dhe, fundja, sa janë në gjendje që ta bëjnë ndryshimin në funksionimin e shtetit ligjor, sa mund ta përshpejtojnë zhvillimin, si mund ta ndalin largimin e rinisë për punë jashtë, çfarë mund të bëjnë më tepër për pandeminë, si do ta menaxhojnë imperativin për t’i nxjerrë peshqit e mëdhenj para drejtësisë, si të PS-së, ashtu dhe të partive të veta?