` . Alsar: Mish kurbani për njerëz në nevojë, solidaritet në ditë feste - TV SHENJA

Alsar: Mish kurbani për njerëz në nevojë, solidaritet në ditë feste

Kurban Bajrami është festë e sakrificës, e devotshmërisë njerëzore dhe e shprehjes së solidaritetit me të tjerët. Mishi i kurbanit të prerë ndahet për ta ndarë sakrificën dhe kënaqësinë e festës me njerëzit që na rrethojnë. Gëzimin e Kurban Bajramit duhet ta ndiejë çdokush!

Dhe si për çdo Kurban Bajram, në 15 vite aktivitet, Fondacioni ALSAR e ka treguar solidaritetin me njerëzit në nevojë me shpërndarjen e mishit të kurbanit për mijëra familje anekënd vendit.

Ajo çka mund të duket si një ndarje e thjeshtë mishi kurbani është një proces i gjatë dhe i lodhshëm disaditor, i ndërmarrë me qëllimin e pastër për t’i lumturuar njerëzit në ditë feste. Kurbani pritet sipas standardeve hallall dhe standardeve shëndetësore, për t’u shpërndarë sipas listave të hartuara më parë.

Për këtë Kurban Bajram, nga 1757 kurbanë të bërë përfituan mish kurbani 9012 familje të shtresave në nevojë.

Projekti i këtij viti, i 2021-shit, për ndarjen e mishit të kurbanit u shtri në Tiranë, Librazhd, Përrenjas, Pogradec, Gramsh, Maliq, Elbasan, Kavajë dhe Lushnjë.

Në Tiranë, morën mish kurbani familje në njësitë administrative Krrabë, Bërzhitë, Petrelë, Baldushk; projekti përfshiu dhe Bashkinë e kryeqytetit, fshatin Mnik, Shoqatën e Pensionistëve, shoqatat “Romët për integrim”, “Shpresë për jetën” dhe “Ryder Albania”. Përfituan gjithashtu jetimët e mbështetur në vazhdimësi nga ALSAR-i në Tiranë, Elbasan dhe Librazhd, si dhe konvikti i ALSAR-it.

Ndarja në Progradec për familje në nevojë u bë në njësitë administrative Çërravë, Proptisht, Velçan dhe Dardhas. Fshatrat Gërmenj, Momël dhe Cetë, në Kavajë, Çermë, Thanasaj, në Lushnjë, Labinot-Mal, në Elbasan, ishin pjesë e projektit. Në Librazhd, Përrenjas, Gramsh dhe Maliq, ndarja u bë nëpërmjet bashkive.

Për realizimin e projektit të Fondacionit ALSAR dhanë ndihmë organizata dhe fondacione të ndryshme partnere. “HASENE”, me qendër në Gjermani, “IHH” me qendër në Holandë, “HAYRAT”, me qendër në Turqi, “WEFA”, me qendër në Gjermani, dhe shumë bashkëpunëtorë e sponsorë të tjerë, mundësuan pakot katërkilogramëshe me mish kurbani të dhëna për familje dhe njerëz në nevojë.

Fondacioni ALSAR u shpreh atyre falënderimin për mbështetjen për projektin dhe u përcjell urimin për Kurban Bajramin.