` . ALSAR-i po "gërmon" shtresat e mbuluara nga lumnaja moniste - TV-SHENJA

ALSAR-i po “gërmon” shtresat e mbuluara nga lumnaja moniste

Botimet anastatike të Fondacionit Alsar – kompleksi më madhështor botues për historinë e Shqipërisë e ndriçuese të jashtëzakonshme në gjysmerrësirën e deritanishme të periudhës historike 1878-1944.

Shkruan: Dorian NEPRAVISHTA, Tiranë

Që prej nisjes së rrugëtimit vetjak këtu e mbi 13 vite të lëna mbrapa, Fondacioni ALSAR (Alternativa e se Ardhmes) me qendër në Tiranë, po kryen misionin e tij humanitar dhe, në një kuptim, po aq të vjetër sa ai parësor i fjalës “humanizëm”, duke dhënë ushqim intelektual të nivelit me 150 tituj enciklopedikë, që ai ka nxjerrë duke punuar dhe si shtëpi botuese e klasit të parë.

Do ishte sipërmarrje e pamundur që të analizoja me radhë të gjitha, po në artikull do përqendrohemi veç në botimet anastatike të tij, si pjesa më e vyer në fushën shumë pjellore të botimeve të ALSARIT-it. Botime të karakterit anastatik në filologjinë moderne vlerësohen ata libra që ruajnë në ribotim të gjitha tiparet e botimit të parë në histori, duke iu përmbajtur sidomos strikt drejtshkrimit origjinal në çdo faqe, qoftë edhe kur libri të jetë botuar para ardhjes së gjuhës standarde. Këto botime kanë, në radhë të parë, destinacion të mirëfilltë studimor, që t’u vijnë në ndihmë filologëve që zhbirojnë lindjen e literaturave.

Po në kësi botimesh të ALSAR-it s’qëndrojnë ndryshime të mëdha ndërmjet tyre e gjuhës standarde, duke na dhënë kënaqësi në lexim. Përkundrazi, avantazhi dobiprurës që sjellin e do të vazhdojnë të sjellin te hapin pafundësisht horizontin e kulturimit tonë kudo në shqiptarë është se nxjerrin “humnerën më të madhe” të historisë së Shqipërisë, që është periudha 1878-1944. Këta libra anastatikë, të pajisur me libërlidhje të nivelit ndërkombëtar, janë veç fillimi me sukses të plotë i një kolane të qindra kryeveprave të botuara në të kaluarën e largët të korifejve të shkencave humane nga viti 1878 e deri në vitin 1944, që Fondacioni ALSAR do botojë në muajt dhe vitet që do të vijnë.

Qysh prej vitit 2008 ALSAR-i ka botuar 10 libra anastatikë, të cilët kapin në mënyrë përpjesëtimore historinë e Shqipërisë 1878-1944. Ata janë libra, gazeta dhe revista që trajtojnë çështje të aktualitetit, po ka prej tyre dhe revista fetare me rubrika që i kalojnë dukshëm kufijtë e tematikës së ngushtë e transformohen në arena debati të nivelit të shkencave tona humane.

Duke dhënë një panoramë sa më të kapshme të ngjarjeve, të cilat mbulohen nga tematika e shtrirë në faza të ndryshme të periudhës që trajtojnë botimet e sipërthëna, jemi rrekur të ruajmë kronologjinë e atëhershme e jo atë të botimeve. Ngjarja më e hershme që përfshin kjo kolanë anastatike e ALSAR-it është ajo e përshkruar prej prijësit të mendimit tonë Mehdi Frashëri në veprën “Liga e Prizrenit edhe efektet diplomatike të saj” (1927). Ende te shqiptarët një masë jo e vogël njerëzish nuk kanë dijeni që një frashërli tjetër, përveç Abdylit, Samiut, Naimit, Mehdi Frashëri, krahas posteve të larta që mbajti si regjent, kryeministër, ministër etj., ka qenë një ndër personalitetet e mendimit shqiptar në shekullin XX me disa libra të rëndësishëm që rrokin historinë, ekonominë etj. Libri “Liga e…” është një kontribut i çmuar në fushën e historisë sonë. Kur ai e shkroi atë, jehona e Lidhjes ishte e freskët në kujtesën tonë. Prandaj, autori M. Frashëri tenton me këtë libër me vlera të mëdha që ta aktualizojë këtë eveniment në trurin e çdo shqiptari të kohës për ta ngulitur përjetësisht gjatë gjithçkaje që ndodhi në vitin 1878. Është ndoshta sprova e parë në historiografinë në gjuhën shqipe ku shtjellohen me detaje të imta shumë episode të asaj Lidhjeje. Ndonëse qe politikan kur e shkroi, M.Frashëri, në veprimtarinë politike nuk iu përmbajt tepër trashëgimit politik të Lidhjes, po real-politikës në rrethanat e reja të krijuara pas Luftës së Parë Botërore, pas së cilës, ndonëse ranë tri perandori të mëdha me jetë disashekullore, nuk u korrigjua aspak padrejtësia e madhe ndaj kufijve tanë të prerë.

Botimi i dytë anastatik i ALSAR-it, i cili lidhet me Lidhjen e Prizrenit, është libri historik i Pashko Vasës me titull “E vërteta mbi Shqipninë dhe shqiptarët” (Paris, 1879). Në historinë e re, që sapo po hidhte hapat e parë të mendimit shqiptar, Pashko Vasa është renditur si një ndër ideatorët e Rilindjes Shqipe e ndër aktivistët me dinamike të “Shoqërisë së Shkronjave Shqipe”. Qe botimi i parë në gjuhë të huaj i një libri të një autori shqiptar, i cili tregoi për historinë e shqiptareve. Ndonëse duhet thënë se ky libër anastatik u bë mbi riprodhimin e përkthimit nga gjuha franceze në vitin 1935 të eruditit Mehdi Frashëri. Ndoshta edhe në sajë të këtij libri, që u botua fillimisht në Perëndim, opinioni publik botëror nisi që të ndihej dhe të shprehte interesim për çështjen tonë të sapolindur. Për herë të parë pas disa shekujsh terri të huaj për vazhdimësinë tonë, Pashko Vasa, figurë qendrore e Komitetit shqiptar të Stambollit, çante perden që ua kishte zënë sytë kancelarive për ekzistencën tonë.

Në itinerarin kronologjik të librave anastatike për periudhën në fjalë vendin e nderit me katër volume e zë libri erudit i Kristo Luarasit. “Kalendari Kombiar” qe tentativa e parë në historinë e botimit shqip për të hartuar një enciklopedi të shoqëruar me lëndë poliedrike, e cila doli në kryeqytetin e Bullgarisë për 20 vite e, më pas, edhe ne Tiranë. Kjo revistë ka qenë përpjekja më vëllimore në vitet para pavarësisë dhe ka luajtur një rol të dorës së parë në zgjimin e diasporës në Ballkan për përkatësinë e saj kombëtare e ngritjen kulturore të shqiptarëve. Autori i saj kryesor, Kristo Luarasi, ishte simboli politik i emigracionit, duke qenë lider qendror në krye të shoqërisë “Dëshira” të Sofjes. Kaq i madh ish kontributi atdhetar i tij në zgjimin kombëtar shqiptar, saqë kur K. Luarasi vdiq në Tiranë në vitin 1934, pasi erdhi përgjithnjë për t’iu përkushtuar biznesit të tij në shtypshkronjën ku ish pronar, në varrimin e tij fjalën e rastit do e mbante një figurë si M. Frashëri. Prandaj botimi anastatik në katër volume i “Kalendarit Kombiar” do të plotësonte një vakum të frikshëm në literaturën e një epoke dikur.

Në renditjen e ciklit periodik të publicistikes së nisjes së shekullit radhën e botimeve anastatike e zë gazeta”Lirija”, që doli në Selanik. Mithat Frashëri ka qenë themelues kryesor i gazetarisë së Shqipërisë, që lindi vrullshëm sidomos mbas revolucionit xhonturk të vitit 1908. Duke qenë njëkohësisht edhe një ndër aktivistët politikë shqiptarë, në rrethanat e reja të fundit të dekadës së parë të shekullit XX, ai në vitin 1908 nxori në Selanik të Greqisë gazetën shqiptare “Lirija”, që – për shkak të afërsisë – u përhap masivisht në territoret shqiptare, duke qenë kështu organi i lexuar më tepër në qytetet tona nga ajo pjesë që kishte mësuar të lexonte.

Gjatë 2 vjetëve të jetës, qoftë këtu, qoftë në mërgim, ajo rriti ngadalë kërkesat nga ato kulturore në ato me nivel politik. Gazeta “Lirija” e Mithat Frashërit qe pioniere e gazetarisë shqipe. Prandaj me të drejtë u botua në 2 volume të trasha luksoze.

Botimet anastatike të ALSAR-it përfshijnë në po atë periudhë dhe revistën “Diturija” me po të njëjtin autor, që është Mithat Frashëri. “Diturija”, ndryshe nga “Lirija”, qe një revistë enciklopedike, që doli në vitet 1909-1929 e u zhvendos në Selanik, Bukuresht e në Tiranë. Kjo revistë është çmuar si revista e parë në historinë e filologjisë sonë, që shqyrtoi probleme tona themelore të historisë, gjuhës e kulturës sonë. Ajo kishte profesionalizëm të lartë e u nda në disa rubrika konstante, ku botuan artikuj me përmbajtje polemizuese edhe studiues të huaj. Në shkencat tona albanologjike ajo përbën një revistë themeluese. Përmes saj u afirmua globalisht dhe personaliteti i Mithat Frashrit, që njihet si një ndër albanologët më të mëdhenj të gjithë kohërave. Për fat të keq lexuesi ynë ende nuk e ka në duar veprën e plotë, që duhet botuar si ato të dijetarëve të huaj në 20 deri në 30 volume. Duke shqitur nga hiri i harresës, revista albanologjike “Diturija” dhe botimet anastatike të ALSAR-it kanë kryer një homazh të madh për figurën e Mithat Frashërit.

Lista e këtyre botimeve anastatike vijon më pas me librin “Barbaritë greke në Shqipëri”, botuar shqip në SHBA në 1917 nga Kost Tomor, ku përshkruhen masakrat greke në Shqipëri në vitin e keq 1914, për të vazhduar më tej me veprën e plotë të “Përpjekjes shqiptare” të Branko Merxhanit, mendimtar gjenial që hodhi themelet e filozofisë e të sociologjisë sonë. Ai, ndonëse e kaloi shumicën e jetës në qytetin turk të Stambollit, atë pjesë që e kaloi në Shqipëri ia kushtoi tërësisht kulturës sonë. Por, ajo që ia dha vendin e merituar në panteonin e kulturës shqiptare qe revista”Përpjekja shqiptare”. Tri botimet e fundit anastatike ngërthejnë një mozaik teologjik. Ato janë libri i Hafiz Ali Ulqinakut me emërtimin “Mevludi Sherif” e dy revistat e dikurshme teologjike, si  “Kultura Islame” dhe “Njeriu”.

Mbas kësaj tabloje të botimeve, konkluzioni që të vjen natyrshëm është se një erë e re po fryn për revitalizimin e kulturës së kaluar. Ngadalë, si arkeologjia, që zbulon qytetërimin e dikurshëm, ALSAR-i po”gërmon” me pasion të shtuar shtresat e mbuluara nga lumnaja moniste ndaj kulturës se djeshme, që u groposën me dhunë e me forcë. Prej këtyre “gërmimeve” ai po nxjerr në dritë “thesare” pa fund, që për një shekull u përpoqën t’i fshihen kombit, që ai i krijoi në bazë të talentit virtuoz të pjesëtarëve të plejadës më të ndritur që mund të ketë pasur inteligjencia jone. Te tilla thesare janë edhe 10 librat anastatike që ne patëm lumturinë t’i përshkruajmë në këtë shkrim modest për një kontribut kolosal.