` . Aktorët e pështjelluar “të ndryshimit” - TV SHENJA

Aktorët e pështjelluar “të ndryshimit”

Ajo që në teorinë elektorale dhe të dinamikave politike është e njohur si “oportunitet kritik” për alternim pushtetesh ishte vërtet një opsion i afërt për aktorët, që i thoshin vetes “të ndryshimit”. Por, këtë “oportunitet kritik”nuk e projektuan si shans mbi bazë të një strategjie të dimensionuar qartë dhe të përqendruar, sikundër duhet të jetë secila strategji zgjedhore.

Shkruan: Nijazi MUHAMEDI, Tetovë

 

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, për anën shqiptare, ka kohë që enden brenda një stratagjeme (përralle që mbaron me ndonjë dredhi) të aktorëve elektoralë. Kronistët e vëmendshëm dhe të paanshëm, që kanë ndjekur historinë politike dhe elektorale të anës shqiptare, kanë shumë fakte që edhe këto zgjedhje t’i shikojnë si skenë teatrore ku u luajt kjo stratagjemë e pambaruar dhe e ricikluar nga zgjedhjet në zgjedhje. Kësaj here, premiera e kësaj stratagjeme doli e fishkëlluar, sikundër ka ngjarë shpesh me premierat e dramave te inskenuara, kur herën e parë del e duartrokitur, herën tjetër del e fishkëlluar, si e ka lënë fjalë një regjisor botëror i teatrit.

E parë nga kjo optikë, pra, as nga “fitimtarët”, as “humbësit”, kjo stratagjemë doli e fishkëlluar për aktorët që në fushatën elektorale endën dredhinë e saj nga të dyja anët garuese shqiptare, po edhe më shumë edhe për strategjinë elektorale me sherre të palës maqedonase, në këtë kontekst të LSDM-së, që kishte atashuar regjisorin e saj të paturpësisë në kampin e anëve shqiptare në garë elektorale.

Duke e menduar, sipas tyre, se koha elektorale e zhdrivillimit të kësaj stratagjeme do jetë stina e zodiakut të pafavorshëm për njërën palë shqiptare dhe “e mbarë” për një palë tjetër të saj, si dhe plotësisht e mbarë për pistonin e kësaj ane, LSDM-në, për ta bërë këtë stratagjemë të duartrokitur, skenari i endjes së saj në fushatë doli i pështjelluar, si duket, nga moskuptimet mes vete të “regjisorit” dhe “ndihmësit” të tij, ashtu që të dy ranë në rrugicat e një babilonie moskuptimesh të fishkëlluara gjatë fushatës, edhe tash edhe pas saj. Por, pas garës elektorale, si zakonisht, secila palë “fishkëllimat” i bën si të padëgjuara dhe i “kthen” në fitore, ndërsa duartrokitjet nga dëshpërimi i kthen në “historike”!

Atë që ne, nga ana jonë, e patëm shkruar para këtij numri të “Shenjës” për kohën dhe nishanet paraelektorale që, zakonisht, hapin sheshin e garës zgjedhore, në kryepikat e tij doli si një parashikim i qëlluar. Tash mund vetëm t’i shtohet diçka si një shpjegim shtesë që vjen si rrjedhojë e ndonjë fakti shtesë.

Ajo që në teorinë elektorale dhe të dinamikave politike është e njohur si “oportunitet kritik” për alternim pushtetesh ishte vërtet një opsion i afërt për aktorët, që i thoshin vetes “të ndryshimit”. Por, këtë “oportunitet kritik”nuk e projektuan si shans mbi bazë të një strategjie të dimensionuar qartë dhe të përqendruar, sikundër duhet të jetë secila strategji zgjedhore. Ajo thjesht ishte një jostrategji inercie, e njohur dhe e praktikuar nga fushatat e mëparme këtu dhe jo vetëm këtu, pra, gjithandej nga mjediset politike shqiptare, e mbështjellë bile edhe me mekanizma dhe praktika diskurzive të huazuara gjithandej nga kjo hapësirë, një diskurs parapolitik i banalizuar, i cili legjitimitetin e ardhjes së ndryshimit e bën shumë pak të besueshëm, shumë pak mobilizues dhe me efekt shumë të flashkët replikues ndaj rivalit konkurrues në zgjedhje. Mbështetja e “ndryshimit” thjesht në përshkrimin e gërmadhave që ka lënë rivali në praktikim të bashkëpushtetit, vetë dhe me të tjerët, mund të shërbejë në fillim si premisë për të projektuar ndryshimin, pra shumë kohë para fushate, kurse në fushatë rivalizohet dhe afirmohet vizioni dhe projekti kundërvënës ndaj praktikës rrënimtare të pushtetit të rivalit që pretendon ta vazhdojë pushtetin. Kjo qasje jo e vëmendshme ndaj zgjedhjes së strategjisë elektorale nga ana e aktorëve “të ndryshimit” u shfrytëzua si përparësi nga ana e “mosndryshimit”, ”e vazhdimit të pushtetit” dhe këtë anë të “ndryshimit” e lodhi me një truk legjitim të strategjisë elektorale të zgjedhur (që, si i kemi informacionet, ia ka zgjedhë një ekip i huaj, i angazhuar në këtë fushatë), përmes “kryeministrit të parë shqiptar”, ish-ministrit të PPD-së, Naser Ziberit, truk i cili, edhe me aktorin e zgjedhur jo aq rastësisht, por për ta bërë të efektshëm në gjeografinë elektorale nga vjen dhe për të rikthyer në atë gjeografi elektorale mbështetjen e rrëmuar elektorale nga zgjedhjet e mëparme, kurse në aspektin e sociologjisë elektorale, për të bërë përmes tij një mobilizim të një moshe zgjedhësish që janë më me shumicë në vend dhe që nuk ndikohen nga “postimet mbështetëse në FB për ndryshimin”, sepse ata orientohen nga sinapsat e një sentimenti të lëvizjes së parë politike dhe nga të cilët BDI e ka elektoratin shumicë, bile, thjesht mbi atë elektorat dhe brezi trashëgues i atij elektorati.

Ky truk bëri që “ana e ndryshimit”, me nisjen hazardere në fushatë, të përhumbet nëpër rrugët e fushatës elektorale, si në rrafshin e rivalizimit jokoherent, si në rrafshin e ligjërimit politik, që shpesh kufizohej me një degradim jo të pëlqyer, parapolitik, bile edhe të ndëshkuar në shumë raste nga ana e elektoratit shqiptar.

Veç kësaj, në “anën e ndryshimit” vërehej se po ndodhnin pështjellime të reja gjatë fushatës, që jepte shenja se telat e strategjisë elektorale të saj tërhiqeshin në prapaskenë nga të tjerë, jashtë “ekipit menaxhues të fushatës” (kuptohet, nëse ka pasur një të tillë ose e ka pasur të pamësuar). Ky farë pështjellimi plotësues kuptohet që nuk mund të prodhojë mbështetje, por trazoi një refuzim të heshtur të elektoratit, se është ndjerë i poshtnuem në dinjitetin e vet për të zgjedhur sipas bindjes së vet dhe ndërgjegjes politike që nuk lejon “ndërhyrje mësimi” nga anësh dhe jashtë partisë që ia ka manifestuar besimin dhe mbështetjen. Përzierja në fushatë, mandej, e ndonjë autsajderi nga “diaspora”, i parë në zgjedhjet e tjera dhe jo vetëm, në të gjitha takimet me eksponentë të LSDM-së dhe me vetë Zaevin, si e dha një “portal”, ”anën e ndryshimit” e bënte të kuptohet pak jo e sinqertë ndaj elektoratit të vet se për cilën anë është nisë të vijë ndryshimi, etj.

Ndërkaq, në pështjellim të befasuar, ky “truku elektoral” i Ali Ahmetit e futi në pështjellim edhe Zaevin, pak më keq se si hyri ky në atë “bisedë telefonike me humoristët e njohur ukrainas”, që dha të kuptohet se edhe në “ekipin menaxhues” të fushatës së tij punët dilnin të ngatërruara. Kështu, replikat nga zemërimi dhe respekti i rremë ndaj përfaqësuesve të shqiptarëve e nxorën hullie dhe këtu ka ndodhur edhe një kthesë që elektorati shqiptar ta rimendojë edhe një herë qëndrimin ndaj tij, po njëherësh edhe ndaj “anës për ndryshim”, e cila gjatë fushatës nuk ka mundur ta fshehë se “në rrëzimin”(!) e Ali Ahmetit i kishte puqur telat me Zaevin. Ky gaf elektoral do ta befasojë vetë Zaevin në fund të zgjedhjeve, kur doli se i dështoi projekti i piramidës së pykëzimit të elektoratit shqiptar rreth tij dhe do ta “befasojë” po ashtu edhe Ali Ahmetin me votat e kaluara në anën e tij, si ndëshkim ndaj Zaevit dhe “partnerit”shqiptar të ri në anën e tij, Lëvizjes Besa.

Si kronist shumëvjeçar i jetës politike dhe i zhvillimeve elektorale këtu, kësaj “kryengritjeje të sinapsave kombëtariste” të elektoratit shqiptar ndaj përpjekjeve të palës maqedonase për ta ngritur piramidën e pykëzimit të unitarizmit maqedonas në trungun e gjeografisë elektorale shqiptare, sepse zgjedhjet nuk zgjedhin vetëm përfaqësues, por zhvendosin edhe ekuilibrat e gjeopolitikës elektorale e të dominimit, jam i prirë ta konsideroj shumë të rëndësishme nga këto zgjedhje. Që do të thotë, po. Ta marrësh nga optika shqiptare, këto sinapsa të një trashëgimie politike kombëtariste te ky elektorat, për një lider të mençur që mund ta lindë koha, do jenë energjia politike e përhershmërisë politike të shqiptarëve për ta vazhduar rrugëtimin e vet autonom, të papykëzyar, pra, në perspektivë dhe në lartësinë e dinjitetit të vet kolektiv.

Së këndejmi, e quaj po ashtu me rëndësi edhe faktin se si do ta lexojnë “këtë kryengritje të sinapsave kombëtariste” që refuzoi dhe rrëzoi “përpjekjen për pykëzim” nga ana e aktorëve elektoralë dhe politikë shqiptarë në këto zgjedhje, pra, si nga ana e Ali Ahmetit, strategjia e të cilit i dha shkas kësaj kryengritjeje, por që nuk guxon të monopolizohet, ashtu edhe nga Sela e Gashi.

Sprovë e një sjelljeje të përgjegjshme e gjithë këtyre do jetë si të bëhet efektive politikisht për shqiptarët kjo “kryengritje” në sistemin institucional, pra në qeveri dhe në programin e saj të njëpërnjësuar për interesat e shqiptarëve nga ana e shqiptarëve. Lëvizjet e para të Ali Ahmetit, me telefonatat e parë të huqura ndër dy autsajderë të këtyre zgjedhjeve, dolën të pamenduara nga ana e tij, jo të sinqerta bile, sikundër që ishin të nxituara edhe reagimet fillimisht të Selës. Edhe hapi tjetër i Ali Ahmetit për “katër kushte” gjoja me partitë shqiptare, që janë fakt elektoral me peshë, është fare jashtë mesazhit që e dha kjo “kryengritje e sinapsave kombëtariste” dhe kush do bëjë hapin e gabuar ndaj tyre, do ta gabojë edhe mbetjen e vetë ë mëtejme në politikë për dobi të shqiptarëve.