Aktivistët mjedisorë bllokojnë gazin rus në Finlandë

Aktivistët mjedisorë bllokojnë gazin rus në Finlandë

Aktivistët mjedisorë nga organizata Greenpeace kanë bllokuar shkarkimin e dërgesës me gaz të lëngshëm natyror rus (LGN) në një terminal në veri të Finlandës.

“Anija kishte gaz të lëngshëm natyror që vinte nga Rusia”, tha për AFP-në, Olga Vaisanen, zëdhënëse e kompanisë shtetërore finlandeze, Gasum – kompani që po transportonte gazin.

Aktivistët kërkuan nga Finlanda që të ndalojë importin e gazit rus për shkak të vendimit të Rusisë që të pushtojë Ukrainën në fund të shkurtit.

“Është krejtësisht e papranueshme që gazi rus ende të lejohet të dërgohet në Finlandë, gjashtë muaj pasi [presidenti rus, Vladimir] Putin nisi pushtimin e tij”, tha aktivisti i Greenpeace, Olli Tiainen përmes një deklarate.

“Qeveria finlandeze dhe kryeministrja Sanna Marin duhet të ndalojnë menjëherë të gjitha importet e karburanteve fosile nga Rusia”, tha ky grup në një postim në Twitter.

Zyrtarët thanë se anija e Greenpeace dhe aktivistët që po lundronin me kajakë bllokuan që cisterna që bartte gaz të mund të shkarkonte në port ngarkesën. Aktivistë të tjerë u ngjitën në pajisjen që përdoret për shkarkimin e dërgesave të gazit.

Më 8 shtator, Greenpeace parandaloi një cisternë që të shkarkonte ngarkesën me gaz të lëngshëm natyror rus në një port në Suedi.

Aktivistët i bën thirrje Qeverisë suedeze që menjëherë të ndalonte importet e gazit rus.

Bashkimi Evropian dhe Suedia nuk kanë vendosur sanksione ndaj importeve të gazit nga Rusia, por vetëm ndaj naftës dhe qymyrit.

Në maj, Rusia ndërpreu dërgesat me gaz që shkonin përmes një tubacioni në Finlandë. Moska tha se arsyeja e ndërprerjes së furnizimeve ishte për shkak të problemeve me pagesat, por furnizimet me gaz përmes detit kanë vazhduar. /rel/