` . Aja Sofija – faltorja ndërqytetërimore - TV SHENJA

Aja Sofija – faltorja ndërqytetërimore

Rreth 500 vjet Aja Sofija shërbeu si xhami, por duke i ruajtur në brendi mozaikët e arkitekturës bizantine. Kjo përvojë zgjati deri në vitin 1934, kur establishmenti i ri turk, përmes një dekreti, vendosi që Aja Sofijan ta kthejë në muze!

Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup

Ndonëse faltoret kryesisht janë çështje e brendshme e një bashkësi të caktuar fetare, megjithatë faltoret të cilët tashmë janë pjesë e historisë botërore, aq më tepër kur kanë përmasa qytetërimore, ato shndërrohen në qendër të vëmendjes mediatike, religjioze,  kulturore e politike mbarëbotërore! I tillë është rasti edhe me Aja Sofijan (Hagia Sophia), një kryevepër e arkitekturës, e cila që në krye të herës ishte vend ku adhurohej dhe lutej Zoti i monoteizmit abrahamik, mirëpo thuajse gjatë gjithë shek. XX shërbeu si muze! Me hapësirën mahnitëse të brendshme Aja Sofija, e ndërtuar në Stamboll në gjysmën e parë të shek. VI, ajo vërtete ishte e pashembullt në arkitekturën paramoderne. (Robert Mark & Ahmed Çakmak).

Historiku i ndërtimit

Aja Sofija që në fillim njihej si Megale Ekklesia ose Kisha e Madhe dhe për më tepër se nëntëqind vjet me radhë shërbeu si katedralja më e madhe e Konstantinopojës, në të cilën u kurorëzuan monarkët e Perandorisë Romake Lindore. Në lokacionin ku gjendet sot, ajo është ndërtuar e rindërtuar tri herë gjatë historisë. Kisha origjinale, në vendin aktual të Aja Sofijas, thuhet se është urdhëruar të ndërtohet nga Konstantini II në vitin 360. Kjo kishë në vitin 404 u kaplua nga një zjarr pas një trazire që e përfshiu qytetin e Konstantinopojës. Në vitin 414 perandori bizantin Theodosius II urdhëroi të rindërtohet, por u shkatërrua përsëri në vitin 532 në kryengritjen e madhe kundër Justinianit I, e njohur ndryshe edhe si Trazirat e Nikës. Struktura aktuale u ndërtua nga dy arkitektët eminent të kohës, Isidorit të Miletit dhe Anthemiusi i Tralles-it, me urdhër të perandorit Justiniani I. Llogaritet se rreth 10 mijë punëtorë u morën me ndërtimin e saj. Nga nga shek. V e mban emrin Hagia Sophia, që nënkupton Urtësia Hyjnore. Ajo përfundoi për një periudhë kohore 6-vjeçare dhe u hap për adhurim në vitin 537.

Gjatë Kryqëzatës IV, kur tashmë kryqtarët e kishin pushtuar Konstantinopojën, në vitin 1204, Aja Sofija u plaçkit ngjashëm si pjesa tjetër e qytetit. Çuditërisht, ata të cilët u nisën për “ta çliruar” tempullin e Jerusalemit nga “të pafetë”, dogjën dhe plaçkitën gjithashtu një tempull ku besimtarët me shekuj i luteshin Zotit! Kjo, vërtet, qe një përvojë e hidhur e kontaktit të Aja Sofijas me ushtarët e Kristendomit latin!

 Aja Sofija brenda panoramës historike osmane!

Burimet bizantine sugjerojnë që rreth gjysmë shekulli para se Mehmet Fatihu II ta çlirojë Konstantinopojën, gjyshi i tij, Bejaziti I, shpresonte për ta konvertuar Aja Sofijan në xhaminë e tij mbretërore, gjatë rrethimit të qytetit në dekadën e fundit të shek. XIV. Dëshira e kamotshme e Sulltan Bejazitit për ta futur Konstantinopojën nën sundimin osman u realizua në vitin 1453, përkatësisht 21 vjet pas një përpjekje tjetër të pasuksesshme të rrethimit të qytetit në vitin 1422 nga ana e Sulltan Muratit II.

Me hyrjen e Sulltan Mehmet Fatihut në qytet, ai fillimisht iu drejtua Aja Sofijas, gjë që e bëri të meditojë rreth kalimit të pushtetit botëror. Ashtu sikurse gjyshi i tij, por edhe perandorët e mëhershëm bizantinë, Mehmeti i Dytë ia njohu Aja Sofijas prestigjin perandorak dhe madhështinë monumentale.

Prania e saj, edhe në kuadër të mozaikut historik osman, duket se është dëshmi e një dialogu osman me të kaluarën bizantine, me të cilën sundimtari i ri i Konstanopojës vazhdoi ta konsiderojë qytetin si kryeqytet perandorak, madje duke mos ia ndryshuar as emrin –Konstantiniyye! Në të vërtetë, Sulltan Mehmet Fatihu tashmë shihej sundimtar i një perandorie si vazhdimësi e perandorive të mëparshme!

Nga muzeu në xhami

Rreth 500 vjet Aja Sofija shërbeu si xhami, por duke i ruajtur në brendi mozaikët e arkitekturës bizantine. Kjo përvojë zgjati deri në vitin 1934, kur establishmenti i ri turk, përmes një dekreti, vendosi që Aja Sofijan ta kthejë në muze!

Vendimin për ta rikthyer Aja Sofijan në xhami para disa javësh erdhi nga Gjykata e Lartë Administrative – Këshilli i Shtetit, në të cilën shpalli që dekreti i para 86 vjetësh ishte i pavlefshëm dhe kësisoj u hap rruga që ajo të rihapet për adhuruesit.

Sipas Këshillit, pasi që Aja Sofija është në pronësi të Fondacionit – Vakëfit – Fatih Sulltan Mehmet Hanit, statusi i saj është renditur si xhami dhe nuk mund që të ndryshohet. Këshilli, gjithashtu, arsyetoi se Sulltan Mehmeti Fatihu vlerësoi se prona, Aja Sofija, pra, do të përdoret nga publiku si xhami pa asnjë tarifë. Ndërkaq avokati i grupit iniciues, që kërkonte kthimin e muzeut në xhami argumentoi se objekti ishte pronë private e Sulltan Mehmetit II.

Edhe pse kishte zëra që e kundërshtuan këtë veprim të Turqisë (lexo: presidentit Erdogan), si nga UNESCO; Kisha Ortodokse Ruse; Komiteti i Punëve të Jashtme të Dhomës së Sipërme të Parlamentit Rus; shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell; Departamenti i Shtetit të SHBA-së; Greqia e Qiproja, megjithëkëtë për Turqinë kjo konsiderohet “një çështje e brendshme” e saj dhe mospërzierje nga jashtë!

Kolumnisti i rregullt në rrjetin ndërkombëtar Al-Jezeera, Seidal Haxh, vë në dukje se Aja Sofija për opinionin turk shfaq rëndësinë për shkak të tre simbolikave kryesore:

Aspekti fetar islam kundrejt atij bizantin (ortodoks) dhe thëniet profetike mbi çlirimin e Konstantinopojës;

Aspekti kombëtar: otoman vs. romak; në këtë drejtim dalin në pah marrëdhëniet turko-greke; dhe

Aspekti ideologjik i brendshëm, në të cilin shpërfaqet konservatorizmi i shekullarizmit.

Ndërtimi i faltores së Aja Sofijas nga Justinijani I shënonte fitore të monoteizmit mbi paganizmin e idhujtarinë, ndërsa kthimi nga muzeu në xhami konsideroj se përbën vazhdimësi të kësaj tradite, në të cilën tashmë aty do të adhurohet Zoti Një, qoftë nga myslimanët, ashtu edhe nga të krishterët!