Ahmeti për zhvillimet brenda BDI-së: Anarkia nuk lejohet në demokraci, herët të flitet se ASH do të jetë pjesë e Qeverisë

Ahmeti për zhvillimet brenda BDI-së: Anarkia nuk lejohet në demokraci, herët të flitet se ASH do të jetë pjesë e Qeverisë

Pas përfundimit të mbledhjes së BDI-së, kryetari i partisë Ali Ahmeti, u shpreh se takimi ka qenë konstruktiv. Sipas tij, mendimet ndryshe duhet të respektohen, por anarkia në demokraci nuk duhet të lejohet. Ahmeti tha se nuk ka përçarje brenda BDI-së.

“Ka pasur bisedime për çështjen e vetingut, ne si BDI kemi përgjegjësi për mbarëvajtjen në shtet. Ka pasur edhe tema të ndryshme për zbatimin e ligjit të gjuhës shqipe. Mos pretendoni të ndalen debatet në BDI apo mendimet ndryshe. Jam njëri nga ata që nuk pajtohesha nëse mendimi ndryshe të ngulfatet, por në fund duhet të respektohet mendimi i shumicës. Demokracia ka kufijtë e vet, do të thotë se anarkia nuk lejohet në demokraci”, deklaroi Ali Ahemti.

Sa i përket hyrjes së ASH-së, në Qeveri, Ahmeti tha se takimet me përfaqësuesit kësaj partie i ka bërë vet ai.

“Është hapur edhe kjo temë. Takimet me përfaqësues të tyre i kam bërë unë. Ka bërë takim edhe Kovaçevski me zotin Taravari. Do të shohim çfarë epilogu do të ketë nga bisedimet që do bëhen në mes të palëve. Akoma nuk është biseduar për detaje, është një proces në rrjedha e sipër. Ne si shqiptarë kemi nevojë për një unitet më të madh, të jemi pak më shumë të organizuar në drejtim të realizimit të misionit tonë kombëtar.”, u shpreh Ahmeti.