Agresioni rus në Ukrainë, utopia europiane dhe kritika kosovare

Agresioni rus në Ukrainë, utopia europiane dhe kritika kosovare

Utopia e europiane për një botë të lirë e demokratike, nëse deri dje haste në kritikën dhe druajtjen kosovare, sot has në një fakt të ri të vrazhdë e të ftohtë në terren – pushtimin rus në Ukrainë. Ani pse kritika e kosovarëve ndaj BE-së, në dallim nga ajo serbe, asnjëherë nuk ka qenë esencialiste, por moraliste, afirmuese, po aq sa ka qenë dhe paralajmërim… Ngase, as bashkimi i nesërm potencial i Kosovës me Shqipërinë nuk është as zëvendësim, as i kundërt, as i matshëm me projektin integrues në BE. Janë dy realitete, secila në të vërtetën e vet.

Shkruan: Blerim HALILI, Prishtinë

 

Pushtimi rus i Ukrainës, krahas humbjeve njerëzore dhe shkatërrimit të vendbanimeve, ka shkaktuar edhe shumë efekte në nivel ndërkombëtar, si ekonomike, ashtu edhe të sigurisë. Ai shpërfaqi disa të vërteta të padukshme ndër dekada. Ky pushtim, si akt radikal i politikës ruse, zgjoi nga gjumi idealist Bashkimin Europian dhe, për herë të parë pas luftës së Kosovës (1998-1999), e bëri atë ta shohë si real rrezikun dhe kërcënimin nga një luftë e re fare pranë tij. Madje, kjo ngjarje “rastisi” në një periudhë kur vetë Bashkimi Europian ishte në dilemat dhe problemet e veta të brendshme. Agresioni rus në Ukrainë shpërfaqi fytyrën e vërtetë të një fqinji të tij, i cili beson në luftë, pushtim klasik ushtarak (ani pse në narrativën zyrtare aktuale ruse ky agresion nuk është luftë, por një “operacion special ushtarak”), besim i kundërt ky me idealin europian për paqe, siguri e stabilitet, integritet e sovranitet. Prandaj, në këtë luftë u takuan, u përballën, pikërisht këto dy narrativa: e para reale dhe potencialisht triumfuese, ndërsa e dyta skeptike, në krizë dhe, për pasojë, potencialisht humbëse. Madje. edhe nëse vetëm një pjesë e vogël e objektivave ruse arrihet, ky është dështim i narrativës tjetër, e cila kur u gjend para momentit të kryer, me të drejtë u mundua që me sanksione ekonomike ta kthejë mbrapshtë ose, së paku, ta kufizojë e ngadalësojë këtë agresion. Sado që në dukje është kështu, duket se Bashkimi Europian prapë nuk e kuptoi mjaftueshëm domosdonë e forcimit të bllokut të vet, në të gjitha aspektet, karshi një kërcënimi të tillë, që deri nesër mund të marrë në cak rajone të tjera ose të përdorë strategji të tjera shkatërruese. Teksa pritej që ky rast të shërbejë dhe ta përkthejë ligjërimin europian në unifikim veprimesh në terren, duket se plasaritja në arealin europian ka lënë për pasojë skepticizmin e pashërueshëm dhe mungesën e seriozitetit karshi një kërcënimi të tillë. E, nga ana tjetër, sado që Rusia “argumenton” se është në të drejtën e saj me këtë “operacion special” në Ukrainë dhe “ardhjen” e NATO-s pranë kufirit të saj ajo e sheh si kërcënim serioz për të, ambiciet permanente ruse për dominim e destabilitet në rajon nuk janë më pak kërcënuese e as më të pamjaftueshme për shqetësim serioz.

 

Injorimi perëndimor dhe pasojat e tij

Ky injorim perëndimor ndaj rrezikut rus nuk ka nisur sot. Ai ka histori më të gjatë dhe, rrjedhimisht, përbën njërin nga shkaktarët e luftës së sotme atje. Pra, liria me të cilën është trajtuar Rusia nga shumë shtete europiane ndër vite tashmë ka shkaktuar pasoja të pariparueshme. Duket se është injoruar një “kryengritje radikale ruse”, e cila ishte paralajmëruar nga shumë mekanizma e aktorë, paralajmërime të cilat atëbotë ndoshta dukeshin si konspirative. Duket po ashtu dekurajuese mënyra se si disa shtete europiane më shumë anojnë të ruajnë parametrat e vetë ekonomikë sesa të hedhin një hap më radikal në parandalimin e një katastrofe tjetër të radhës me pasoja potenciale për kontinentin.

 

Miti mbi “Europën e bashkuar proshqiptare” dhe nevoja për një kritikë serioze

Në këtë mes problematik qëndron “çështja e pazgjidhur” e Kosovës, mbi të cilën Serbia ende prentendon sovranitet. Në këtë kuadër, natyrisht, qëndrimi i Kosovës ndaj këtyre shteteve evropiane, që në heshtje e miratojnë agresionin rus, nuk ka ndonjë impakt real. Kosova mund të jetë skeptike dhe kritike ndaj qëndrimeve të caktuara të BE-së ose ndonjë shteti të saj, por nuk mund ta ndikojë rrjedhën as vendimin e ndonjë vendi europian. Nga ana tjetër, ky duhet t’i shërbejë Kosovës si rast për të shikuar me dyshim në politikën unike a priori proshqiptare të Perëndimit, ngase Perëndimi nuk është unik e as komapkt në disa tema të mëdha për fatin e Perëndimit, e lëre më në çështjen tonë të pazgjidhur me Serbinë, e cila as sot në Europë nuk trajtohet si urgjencë e domosdoshmëri. Kjo nuk është thirrje për çorientim gjeopolitik, as rrënim diskursi properëndimor, por shenjë për vetëdijesim dhe zgjim nga gjumi utopik se “NATO dhe BE janë a priori pranë Kosovës” me ndonjë simpati a miqësi të pakusht. Prandaj, duke e rimenduar përkrahjen e pakusht e në çdo rrethanë nga “Europa e bashkuar” të cilën deri më sot në të shumtën e kemi pranuar si të mirëqenë, shteti e shoqëria kosovare, në veçanti, dhe ajo shqiptare, në përgjithësi, duhet të ndërmarrë një kritikë e skepticizëm të nevojshëm për ta kuptuar realitetin dhe për të gjetur format më adekuate për ta forcuar shtetin në tërësinë e vetë, veçmas ekonominë dhe ushtrinë. Kosova nuk duhet të ketë mëdyshje në orientimin e vetë strategjik, as në aleatët e saj tradicionalë e të dëshmuar, por as nuk duhet të ketë pritshmëri naive ndaj “tërësisë europiane” dhe qasjes së nënkuptuar proshqiptare.

 

Paralajmërimi kosovar doli të jetë real

Sado të duket se e vuri në mëdyshje sigurinë e Kosovës, një rrethanë e favorshme diplomatike për shqiptarët dhe Kosovën në arenën ndërkombëtare u krijua pikërisht me këtë pushtim. Thirrjes për ndërgjegjësim perëndimor i erdhi edhe një dëshmi e re nga terreni, bota e pa se alarmi që kanë ngritur shqiptarët ndër vite nuk është i ekzagjeruar, por real. Blloku ruso-serb doli të jetë aktiv në besimin e tyre në luftë – pushtimi klasik. Prandaj utopia e europiane për një botë të lirë e demokratike, nëse deri dje haste në kritikën e druajtjen kosovare, sot has në një fakt të ri, të vrazhdë e të ftohtë në terren – pushtimin rus në Ukrainë. Ani pse kritika kosovare ndaj BE-së, në dallim nga ajo serbe, asnjëherë nuk ka qenë esencialiste, por moraliste, afirmuese, po aq sa ka qenë dhe paralajmërim. Kjo, pos tjerash, edhe për faktin se ne nuk kemi projekt alternativ që do ta zëvendësonte BE-në dhe Perëndimin. Ngase, as bashkimi i nesërm potencial i Kosovës me Shqipërinë nuk është as zëvendësim, as i kundërt, as i matshëm me projektin integrues në BE. Janë dy realitete, secila në të vërtetën e vet. Madje, për mendimin politik shqiptar, nuk është dashamirës as diskursi që pretendon se njëra e kundërshton tjetrën, as ai që pretendon se njëra zëvendëson tjetrën.

 

Insistimi për mbylljen e “çështjes” me Serbinë

Momentumi ndërkombëtar nuk është i favorshëm për ta përmbyllur procesin e dialogut me Serbinë. Por, askush nuk na garanton se deri nesër nuk do të jetë një momentum edhe më i pafavorshëm se ky. Prandaj, duke iu përmbajtur principeve themelore që ka vendosur kryeministri Albin Kurti, Kosova duhet të jetë aktive më shumë se kurrë dhe e interesuar për të arritur marrëveshjen finale me Serbinë dhe t’i hapë rrugë zhvillimit e konsolidimit të brendshëm, pa pasur çështje të hapura që do të paraqisnin kërcënim permanent për sigurinë dhe stabilitetin e vendit. Kjo në nivel ndërkombëtar do ta përshpejtonte anëtarësimin në mekanizmat e sigurisë, të nevojshëm për një stabilitet afatgjatë, hiç më pak se aty ku gjendet tani pasqyra jonë – Shqipëria. Agresioni rus në Ukrainë na la të kuptojmë se sa jemi të vonuar në konsolidimin e përgjithshëm shtetëror e shoqëror, vonesë kjo e cila mund të jetë fatale, por mund të jetë edhe paralajmërim për rilindjen e domosdoshme!