` . Agjendat politike shqiptare me bojëra - TV SHENJA

Agjendat politike shqiptare me bojëra

BDI-ja, meqë në këto 20 vjet e ka konsumuar agjendën etnike dhe atë shumetnike, e ka kalkuluar se shqiptarëve dhe vendit u duhet një politikë e re, u duhet pak politikë jeshile. Pas dekretit të Bajdenit, do të jetë shumë interesante të shihet trajektorja politike e koalicionit opozitar shqiptar dhe a do të mbetet në përcaktimin për shtet dyetnik. Konceptit laraman i doli boja! Shumë vështirë jetësohet “Shoqëria për të gjithë”, pasi mungon vullneti politik, jo vetëm nga pala maqedonase, por edhe nga ajo shqiptare.

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Bashkimi Demokratik për Integrim, i themeluar menjëherë pas përfundimit të konfliktit të armatosur, u shndërrua në parti, e cila bazën filozofike politike dhe aksiomën kryesore të aktivizimit të saj e kishte integrimin. Edhe atë në planin e brendshëm, atë ndëretnik, por edhe në atë të jashtëm, pra në strukturat euroatlantike, Bashkimin Evropian dhe NATO.

 

Partia e integrimit

Partia a Ali Ahmetit, nga viti 2002, ka fituar në të gjitha zgjedhjet te shqiptarët, duke u bazuar tek realizimi i kërkesave legjitime të shqiptarëve dhe tek integrimi në institucionet ndërkombëtare. Gati se 20 vjet nuk ka zyrtar të BDI-së që nuk e ka përmendur zyrtarizimin e gjuhës shqipe dhe përfaqësimin e drejtë dhe përkatës të shqiptarëve në administratën e shtetit dhe atë publike.

Në zgjedhjet parlamentare, BDI-ja merrte pjesë si parti etnike, duke mos lënë anash asnjëherë flamurin e madh me shqiponjën dykrenare, e as këngët kreshnike të ilir Shaqirit a ndonjë këngëtari ose këngëtareje, që këndonin me motive etno-folklorike. Në zgjedhjet e fundit kërkoi kryeministër shqiptar, madje duke thënë se “tash është koha”. Atij që duhej të bëhej kryeministër shqiptar “i erdhi koha: dhe u bë veçse një Avokat i Popullit. Ndërkaq në zgjedhje lokale dhe presidenciale, BDI-ja, qoftë në koalicion me VMRO-DPMNE-në, qoftë me LSDM-në, do të bëjë pazare, që fundin e kishin pragmatik-partiak.

 

Agjenda e gjelbër e BDI-së

BDI-ja, meqë në këto 20 vjet e ka konsumuar agjendën etnike dhe atë shumetnike, e ka kalkuluar se shqiptarëve dhe vendit u duhet një politikë e re, u duhet pak politikë jeshile. Ali Ahmeti, më 5 qershor, në ditën e themelimit të BDI-së, njoftoi se partia e tij, e dalë nga lufta dhe e angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, nis rrugëtimin e ri, jashtë sfondit të të drejtave etnike. E quajmë eksperiment politik, pasi ky projekt mund të dështojë, por edhe të ketë ndonjë sukses. “Marrëveshja e Ohrit është përmbushur, integrimi në NATO po ashtu, kemi përfaqësim të barabartë… U ndërtuan shkolla, spitale, teatro… Është koha e duhur që BDI-ja t’i përkushtohet plotësisht jetës”, deklaroi Ahmeti.

Gjithë këto vite, BDI-ja e Ali Ahmetit, ka qenë ajo që e ka drejtuar me Ministrinë e Ambientit Jetësor, ndërsa e gjatë është edhe lista e ministrave “ekologjikë” – integristë. Por, a ka rezultate? Ato janë minimale. Këtë më së miri e tregon ndotja e ajrit gjatë dimrit. E njëjta gjendje mbizotëron edhe në komunat e BDI-së, në të cilat agjenda e gjelbër jo që nuk është zbatuar, por ka pasur ndërtime betoni edhe në hapësira me jeshillëk.

Dy mund të jenë arsyet kryesore pse Ahmeti vendos ta ulë flamurin e kaltër ose atë etnik dhe ta ngrejë atë të gjelbër! E para, BDI-ja shënon edhe pak 20 vjet në skenën politike dhe tashmë gjenerata që voton për herë të parë në zgjedhje, ka lindur në vitin 2001dhe nuk i ka aspak në mendje imazhet dhe storjet e konfliktit ose ballafaqimit me forcat e armatosura shtetërore. Gjeneratës “digjitale” sikur dalëngadalë i ka ardhur te hunda valëvitja e lartë e flamurit etnocentrik, ndërsa në fakt gjendja socio-ekonomike e në shumë fusha tjera lë shumë për të dëshiruar. Këtë më së miri e përjetoi partneri politik i BDI-së në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës, e dalë nga ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila pësoi disfatë të madhe politike nga Vetëvendosja e Albin Kurtit. Më pak disfata i atribuohet faktit që drejtuesit e saj kryesorë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë në Hagë, e më shumë faktit që të rinjtë tek politika e VV-së dhe Kurti panë ideal dhe shpresë. Andaj, rezultati i “të majtës kosovare”, duke fituar më shumë se 50 % të votave, të atyre që dolën në zgjedhje, është reflektim i pulsit dhe entuziazmit rinor kosovar.

Shpallja e agjendës së gjelbër u bë vetëm katër ditë para se presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xho Bajden, të shpallë urdhrin ekzekutiv ose dekretin, me të cilin prerazi bën me dije se politika amerikane në Ballkan nuk do të tolerojë më politikanë të korruptuar dhe të kriminalizuar, por edhe ata që janë kundër Marrëveshjes së Ohrit dhe asaj të Prespës. Me agjendën e re jeshile, BDI-ja shprehet drejtpërdrejt dhe pa ekuivokë se Marrëveshja e Ohrit është kapitull i përfunduar, të paktën në aspektin normativ-juridik. E që të jetë kundër saj ose të kërkojë ndryshimin e saj, as që bëhet fjalë.

 

Agjenda kuq e zi e koalicionit AA

Opozita shqiptare, në anën tjetër, projektin e saj e ndërton mbi kontestimin e politikave të BDI-së dhe Qeverisë së Zaevit. Nëse Lëvizja BESA e Bilall Kasamit e ka harruar moti ridefinimin si koncept dhe vizion politik, i cili do të arrihej me një marrëveshje të re ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve, që do ta vendoste parimin e konsensusit të përgjithshëm në të gjitha nivelet e shtetbërjes, pra pa majorizim, ASH-ja nuk e ka braktisur filozofinë e saj të shqiptarizmit. Aleanca për Shqiptarët i qëndron besnik idesë kombëtariste për status më të mirë juridiko-kushtetues të shqiptarëve, duke dalë tepër shumë nga kornizat e Marrëveshjes së Ohrit. “ASH-ja angazhohet që Republika e Maqedonisë së Veriut të ndërtohet si shtet sovran, demokratik, shumëpartiak, i decentralizuar, duke respektuar realitetin binacional (dyetnik – v.j.) dhe shumëkulturor. Nisur nga kjo, ASH-ja do të këmbëngulë që Maqedonia e Veriut të përkufizohet si shtet binacional (dyetnik – v.j.), i maqedonasve dhe i shqiptarëve”. Pas dekretit të Bajdenit, do të jetë shumë interesante të shihet trajektorja politike e koalicionit opozitar shqiptar dhe a do të mbetet në përcaktimin për shtet dyetnik. Mund të ndodhë që ky muhabeti i dyetnicitetit të përfundojë në kërkesë për decentralizim më të fuqishëm, duke e trumbetuar atë fiskal më shumë. Decentralizim dhe shtet dyetnik janë shumë të largët në kuptimin e organizimit dhe funksionimit të shtetit, e në veçanti në pikëpamje të ndarjes së buxhetit.

 

Agjendës laramane i doli boja

Një agjendë tjetër politike, e cila çdo ditë e më shumë po zbehet është ajo laramane, e promovuar ndër shqiptarët nga viti 2015, kur kryeministri Zaev artikuloi konceptin politik “Shoqëri për të gjithë”, me çka mblodhi rreth vetes jo vetëm mbështetës për pozita politike, por edhe mijëra votues. Konceptit laraman i doli boja! Shumë vështirë jetësohet “Shoqëri për të gjithë”, pasi mungon vullneti politik jo vetëm nga pala maqedonase, por edhe nga ajo shqiptare, sepse ajo e shikon atë si rrezik të mundshëm për shkrirjen e subjektivitetit politik shqiptar. Në anën tjetër, nuk u krijuan aspak mekanizmat institucionalë që garantojnë shoqëri qytetare dhe shtet të barabartë për të gjithë, pavarësisht përkatësisë etnike. Menaxhimi me shtetin vazhdon të bëhet sipas parimit të ndarjes së sferave të interesit dhe ka pak dallim nga qeveritë e kaluara, të formuara nga LSDM-ja ose VMRO- DPMNE-ja, të cilat partive shqiptare, që nga PPD-ja, PDSH-ja deri te BDI-ja, u thoshin “Ju vendosni për shqiptarët”, ndërsa çelësin e buxhetit gjithmonë e mbanin për vete. Ky koncept e humbi peshën e tij në zgjedhjet e fundit lokale, kur socialdemokratët në vend që të kërkojnë vota nga shqiptarët, vendosën që me ndikimin e tyre të vendosin se kush duhet të jetë fitues tek shqiptarët. Ndonjëherë, edhe kur paska shumë bojëra, një koncepti mund t’i dalë boja!