Afrim Gashi për vrasjen makabre në Prishtinë: Ky rast, edhe një herë na bind në angazhimin tonë për të mbrojtur familjen dhe vlerat tradicionale

Afrim Gashi për vrasjen makabre në Prishtinë: Ky rast, edhe një herë na bind në angazhimin tonë për të mbrojtur familjen dhe vlerat tradicionale

Kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi, ka reaguar në lidhje me vrasjen makabre që tronditi gjatë mbrëmjes së djeshme Kosovën. Ai ka shkruar se ky rasti, edhe një herë i bind ata në angazhimin për të mbrojtur familjen dhe vlerat tradicionale.

“Ngjarja makabre mbrëmë në Prishtinë, ku mbeti e vdekur një grua me fëmijën e saj të palindur, edhe një herë na bind për angazhimin tonë të paepur për ta mbrojtur familjen dhe vlerat tona tradicionale. Plumbat mbi trupin e saj janë goditje edhe për të gjithë neve si shoqëri për degradimin e moralit tonë kombëtar.

Dukuri të këtilla, që sa vijnë e shpeshtohen, flasin për degjenerimin e gjithmbarshëm që i ka kapluar shoqëritë tona, për humbjen e respektit ndërbashkëshortor, si dhe për rrënimin e përgjithshëm të sistemit të vlerave tona të nderimit të nënave, grave dhe motrave tona.

I trishtuar nga ajo që pamë mbrëmë, duke e dënuar këtë vrasje, si dhe duke u lutur për shpirtin e nënës dhe të fëmijës që nuk arriti ta njohë këtë botë kaq brutale, shfrytëzoj rastin të bëj thirrje që të kujdesemi për mbrojtjen e vlerave tona zakonore dhe për kultivimin e respektit tonë ndaj familjeve tona.

U prehtë në paqe shpirti i saj! Zoti e pastë mëshiruar!”, ka shkruar Gashi.