Afganistanizimi i Ukrainës dhe reflektimi tij në Ballkan

Afganistanizimi i Ukrainës dhe reflektimi tij në Ballkan

Problemi me Bashkimin Europian është ende ai i mëparshmi: kjo organizatë nuk ka dhëmbë për të kafshuar. Nga kjo, edhe kërcënimet e saj janë boshe dhe këtë Putini e ka të qartë. Qëndrimi i Bashkimit Europian ndaj Serbisë (gjithmonë pozitiv), edhe kur ky vend del publikisht kundër Brukselit dhe Uashingtonit, është një lloj degradimi për të dyja palët.

Shkruan: Daut DAUTI, Londër

Agresioni rus kundër sovranitetit territorial të Ukrainës ka ndryshuar shumë gjëra, të cilat kanë filluar të reflektohen me rikrijimin e gjeopolitikave. Ndryshimi i parë i vërejtur në Perëndim është njohja unanime se ekziston rreziku rus për Europën. Rreziku rus, gjegjësisht Vladimir Putini, në masë të konsiderueshme, është “prodhim i Perëndimit”. Pas rënies së BRSS-së, ardhja e Putinit në pushtet është shikuar me simpati. Në shtetet e Perëndimit, Putini vazhdimisht është pritur me ceremonitë më të larta shtetërore që ekzistojnë. Kjo qasje është aplikuar më shumë se shpesh dhe bëhej përkundër faktit që tendencat e Putinit shkonin duke u zhvilluar në veprime antidemokratike apo autokratrike. Perëndimi pati rënë në një rehati të thellë në relacion me Rusinë e qeverisur nga Putini. Kjo gjë ka ndikuar që Putini këtë qasje ta keqkuptojë si dobësi e dekadencës së Perëndimit, të cilin duhet shfrytëzuar si përparësi ruse për ekspansion në drejtim të Europës dhe Euro-Azisë. Ky mendim nuk është i ri. Ai ka qenë prezent në qarqet e elitës cariste, e deri te ajo komuniste sovjetike. Ky mentalitet, me forcimin e Rusisë, tashti është ringjallur nga Putini dhe vazhdon të jetë qëllim i politikës ruse.

Sulmi ndaj Ukrainës ka treguar se Perëndimi tashti duhet të reagojë. Reagimi, sidomos ai i vendeve anëtare të Bashkimit Europian, duket i përbashkët, por në realitet nuk është i tillë. Kjo shihet në hezitimin e disa shteteve, sidomos Gjermanisë, në aplikimin e sanksioneve. Gjatë dy dekadave të fundit, disa shtete anëtare të Bashkimit Europian kanë zhvilluar marrëdhënie ekonomike me Rusinë në atë masë, saqë kanë rënë nënë ndikimin e varësisë ekonomike. Prishja e këtyre marrëdhënieve nënkupton çrregullimin e tregut, i cili, si rrjedhojë, rezulton në marrëdhëniet e brendshme shoqërore të disa vendeve europiane. Prandaj, blerja e naftës dhe gazit nga Rusia nuk është ndalur nga këto vende. Sanksionet që shtetet europiane i kanë aplikuar, shihet se nuk ndikojnë seriozisht ndaj Putinit për ta detyruar atë që ta ndalë luftën ne Ukrainë. Me fjalë tjera, mosaplikimi i plotë i sanksioneve është ndihmë për Rusinë dhe pengesë për vazhdimin e mbrojtjes së Ukrainës.

Megjithatë, Ukraina për Perëndimin është çështje e sigurisë dhe nga kjo bie në kompetencë të NATO-s, e cila ka marrë masat e nevojshme për t’u përballur me situatën. Prandaj, shtetet anëtare të NATO-s nuk kanë ngurruar që ta armatosin Ukrainën. Kjo është ndihmë, por nuk siguron përfundim të shpejtë të luftës në këtë vend. Përkundrazi, ky hap e prolongon gjendjen e krijuar, e cila më shumë është e përballueshme për Rusinë sesa për Ukrainën. Nëse këto gjëra i kemi parasysh, nuk duhet menduar shumë për të kuptuar se masat që janë marrë deri tash bëjnë me dije se Perëndimi, është duke ia krijuar Rusisë Afganistanin e dytë. Edhe në këtë rast, njësoj si në të parin, kur BRSS-ja e invadoi Afganistanin, do të krijohet një luftë e gjatë, e cila gradualisht do ta dërrmojë Rusinë me ndihmën e armëve të Perëndimit. Brenda kësaj periudhe, Perëndimi me organizatat e saj, siç janë NATO, SHBA dhe Bashkimi Europian, mund të kërkojnë rirreshtim ose krijim të një strategjie të re ndaj Rusisë.

Problemi me Bashkimin Europian është ende ai i mëparshmi: kjo organizatë nuk ka dhëmbë për të kafshuar. Nga kjo, edhe kërcënimet e saj janë boshe dhe këtë Putini e ka të qartë. Qëndrimi i Bashkimit Europian ndaj Serbisë (gjithmonë pozitiv) edhe kur ky vend del publikisht kundër Brukselit dhe Uashingtonit, është një lloj degradimi për të dyja palët. Dhe, çuditërisht, Brukseli as që ia tërheqë vërejtjen Beogradit dhe në rastet më të rënda kur ky shtet me veprime të drejtpërdrejta e cenon sovranitetin e Kosovës dhe pajiset me armatim rus e kinez.

Sado që agresioni rus e ka unifikuar Perëndimin, prolongimi i luftës mund të krijojë edhe efekte negative në këto vende. Tanimë është e qartë se sa më shumë që zgjatet kjo luftë, në Europë dhe SHBA do të rriten gjasat e radikalizimit të politikës e cila në fund të ditës do të shkojë në dobi të politikës ruse të Putinit. Kjo gjë shihet në rezultatin e zgjedhjeve të fundit presidenciale në Francë. Është mirë që në këtë vend zgjedhjet i fitoi Emmanuel Macron-i për t’u rizgjedhur president, por nuk duhet injoruar faktin se humbësja, Marine Le Pen, ka marrë 42 % të votave në elektoratin francez. Ky rezultat tregon për radikalizimin e politikës franceze, që mund të përsëritet edhe në vende tjera europiane. Le Peni, pos që është raciste e proklamuar, ajo është edhe simpatizuese e politikës së Putinit, rrjedhimisht edhe përkrahëse e ekspansionizmit rus në drejtim të Europës. Le Peni dihet që e përkrahë edhe politikën serbe, që është antishqiptare. Rezultatet e zgjedhjeve tregojnë se gati gjysma e votueseve francezë janë dakord me këtë qëndrim. Një politikë e këtillë nuk është në favor të shqiptarëve, më konkretisht çështjes së Kosovës, me përfundimin e së cilës besohet se do të qetësohej Ballkani përfundimisht.

Megjithatë, është mirë që çështja e Kosovës nuk është në duart e Francës, por është në ato të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Hulumtimet e opinionit tregojnë se lufta në Ukrainë ka krijuar ndryshime (negative) edhe te qytetarët amerikanë dhe britanikë. Në SHBA nuk është e pamundur që të mos kthehet në pushtet Donald Trump-i ose dikush me qëndrime të tij. Edhe në Britani të Madhe ka ndryshuar gjendja, por ky vend e ndjekë traditën, e cila në politikën e jashtme, sidomos të Partisë Konservatore në krye me Boris Johnsonin, është antiruse. Sado që nacionalistët ekstremë britanikë ngrenë krye, në këtë vend ata nuk kanë gjasa të hyjnë as në parlament e lëre më të dalin në krye të shtetit. Me fjalë tjera, Kosova në të ardhmen e afërt e ka të siguruar përkrahjen britanike dhe amerikane. Në shikim të parë, kjo mjafton pasi që edhe intervenimi ushtarak në Kosovë ka qenë iniciativë e këtyre dy vendeve të cilat i detyruan edhe shtetet tjera të rreshtohen pas tyre.

Lufta në Ukrainë ka bërë me dije se si do që të përfundojë, realizimi i aspiratave ruse në Ballkan, përmes Serbisë, nuk duhet të ndodhë. Çështja e Kosovës do të ishte mirë të zgjidhej gjatë kësaj kohe kur ndikimi rus në botë sërish është në nivelin e vitit 1999 dhe tashti që Serbia është rreshtuar pas Rusisë. Por, kjo nuk varet nga faktori politik shqiptar, i cili në Prishtinë është duke treguar maturi. Por, një gjë e tillë nuk është duke ndodhur në Tiranë, ku kreu politik, i udhëhequr nga Edi Rama, duket se ende është i angazhuar seriozisht në pakuptimësinë e përparimit të “Open Balkan”, që tashti ka marrë përmasa humoristike. Me këtë rast shohim se nuk ka unifikim të faktorit politik shqiptar që duhet të jetë i domosdoshëm. Megjithatë, nuk ka shenja që i ashtuquajturi “Faktori ndërkombëtar” të fillojë së shpejti me angazhime serioze për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Prandaj, ruajtja e status quo-së mund të zgjasë deri në një periudhë, që nuk i dihet saktësisht fundi.

Sidoqoftë, mosndryshimi i qasjes pozitive amerikane dhe britanike ndaj problemit shqiptaro-serb të relacionit Kosovë-Serbi, ende ofron shpresë se kurdo që fillon zgjidhja, përfundimi do të jetë pozitiv, i pranueshëm dhe se Ballkani do të qetësohet përfundimisht. Por, afganistanizimi i Ukrainës, me kalimin e kohës, mund të sjell komplikime. Putini ende e ka në duar mundësinë e cenimit të paqes në botë dhe kjo gjë është më e madhe seç është problemi Kosovë-Serbi.