` . Abbas: Nëse Izraeli merr tokën palestineze, të gjitha marrëveshjet do të prishen - TV-SHENJA

Abbas: Nëse Izraeli merr tokën palestineze, të gjitha marrëveshjet do të prishen

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, ka paralajmëruar se nëse Izraeli anekson pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara me Izraelin do t’u jepet fund, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Të gjitha marrëveshjeve dhe obligimeve të tyre që rezultojnë do t’u jepet fund nëse pala izraelite anekson Luginën e Jordanit, veriun e Detit të Vdekur dhe çdo pjesë të territoreve palestineze të pushtuara në vitin 1967”, thekson Abbas në një raport të botuar në agjencinë palestineze të lajmeve WAFA.

Komentet e presidentit palestinez erdhën në përgjigje të njoftimit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se ai do të aneksojë Luginën e Jordanit dhe disa vendbanime nëse ai fiton zgjedhjet e javës së ardhshme në Izrael.

Abbas theksoi se palestinezët “kanë të drejtë të mbrojnë të drejtat e tyre dhe të arrijnë qëllimet e tyre me të gjitha mjetet e mundshme, pavarësisht nga pasojat”.

Ai shtoi se deklarata e kryeministrit izraelit është në kundërshtim me rezolutat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe ligjin ndërkombëtar.

Në një përpjekje për të fituar më shumë mbështetje në zgjedhje, Netanyahu dje tha se Izraeli do të imponojë sovranitetin e tij mbi Luginën e Jordanit dhe vendbanimet e tjera në Bregun Perëndimor të pushtuar nëse ai fiton zgjedhjet e 17 shtatorit në Izrael.

Rreth 650 mijë hebrenj izraelitë aktualisht jetojnë në më shumë se 100 vendbanime të ndërtuara që nga viti 1967, kur Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

Palestinezët i kërkojnë këto territore, së bashku me Rripin e Gazës, për krijimin e një shteti të ardhshëm palestinez.

Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor, ligji ndërkombëtar i konsideron si “territore të pushtuara” dhe të gjitha aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve hebreje atje i konsideron të paligjshme.