Abazoviqi, Albaneze dhe “kryeministri shqiptar”

Abazoviqi, Albaneze dhe “kryeministri shqiptar”

Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2009, Imer Selmani pati një tentim serioz për t’u zgjedhur president i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ish kryeministri Zoran Zaev dhe partia e tij me proveniencë socialdemokrate e fituan pushtetit falë mijëra votave të shqiptarëve.

Ideja për kryeministrin shqiptar ka qenë projekt i BDI-së vetëm për të fituar votat e shqiptarëve dhe jo për të synuar përnjëmend karrigen e shefit të qeverisë. Në vend që kryeministër, Naser Zyberi u zgjodh për të qenë korrigjuesi i qeverisë, ndonëse vetëm formalisht.

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Katër kryeministra me emra dhe mbiemra shqiptarësh ka në shtete të ndryshme të botës. Entoni Albaneze, me prejardhje nga arbëreshët u raportua se është zgjedhur kryeministri i katërt me prejardhje etnike shqiptare. Tipike për identitetin dhe ndikimet e shumta historike mbi të është që një njeri me emrin Dritan dhe mbiemrin Abazoviq të zgjidhet kryeministër i Malit të Zi dhe një tjetër me mbiemrin Albaneze të zgjidhet kryeministër i një shteti të largët, siç është Australia!

 

Tentimi i Imer Selmanit për president

 

Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2009, kryetari i partisë Demokracia e Re, Imer Selmani, pati një tentim serioz për t’u zgjedhur president i Republikës së Maqedonisë së Veriut. I quajtur atëherë “Obama i Maqedonisë”, duke tentuar të kapërcejë kufijtë etno-politikë në një proces zgjedhor joparlamentar, siç janë zgjedhjet presidenciale, ai e pa një mundësi të mirë për të garuar si qytetar dhe jo me përkatësi etnike.

Me gjithë qëndrimet e tij prej një shtetari në tentativë, duke i vizituar fshatrat dhe qytetet e ndryshme të vendit, duke kërkuar vota edhe nga maqedonasit etnikë dhe të tjerët joshqiptarë, Imer Selmani nuk arriti të bëhet as i dyti, që do të thoshte garim konkret për postin e presidentit, meqë edhe sipas kodit zgjedhor dhe kushtetutës së vendit, në raundin e dytë kalojnë dy kandidatët që kanë më shumë vota. Imer Selmani, përveçse do të mbahet mend si shqiptari që mori më shumë vota në zgjedhjet presidenciale, nuk arriti ta ndryshojë konceptin etnopolitik të mobilizimit të trupit votues. Fitoi 15 për qind të votave apo rreth 150 mijë, që ishin për 20 për qind më pak sesa kandidati i parë, Gjorgje Ivanov i VMRO-DPMNE-së, i cili fitoi 200 mijë vota më shumë sesa Selmani. Kandidati tjetër, ai i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Lubomir Fërçkovski, ishte po ashtu mbi Selmanin për 5 për qind, përkatësisht me 200 mijë vota! Selmani, duke dashur ta imitojë Obamën, i zgjedhur në vitin 2009 president i SHBA-së, nuk kishte parashikuar ose, më mirë thënë, nuk e kishte kalkuluar faktin se Maqedonia e Veriut nuk është as për së afërmi shoqëri multikultorore, si ajo amerikane, e cila e kaluar moti “fruthin” e ndasive të shumta. Nga ana tjetër, shteti dhe shoqëria e Maqedonisë së Veriut, në vitin 2009 as minimalisht nuk e kishte kaluar rubikonin etnonacionalist që të votohet individi dhe jo kandidati sipas përkatësisë kolektive. Andaj, Imer Selmani nuk ishte i vonuar me idenë e tij, por elitat politike aspak nuk i kishin përgatitur qytetarët për ta pranuar një koncept joetnik politik ose, siç trumbetohej në disa media, duke u quajtur koncept qytetar. Vetë Selmani ishte eksponent politik, që vinte nga një parti e djathtë etnocentrike, siç është PDSH-ja!

Një tentim tjetër për president shteti ka bërë në vitin 2019 edhe Blerim Reka, por për dallim nga Selmani, ai garoi me koncept etnik puroshqiptar dhe sikur nuk garonte për president të shtetit, por për president të shqiptarëve. Rrjedhimisht, nuk fitoi as 100 mijë vota dhe me këtë nuk e arriti as për së afërmi rezultatin e Selmanit.

 

Dështimi i konceptit qytetar në shoqërinë shumëetnike

 

Pas dështimit të tentimit të Selmanit në zgjedhje presidenciale dhe dështimeve të LSDM-së në zgjedhjet e para parlamentare në vitin 1991 dhe të partisë Alternativa Demokratike në vitin 1998, që me kandidatë shqiptarë të fitojnë vota shqiptarësh, shtrohej dilema se vallë koncepti qytetar mund të gjejë zbatim në sistemin politik dhe, me theks të veçantë, në atë zgjedhor? Sidomos pas luftës së vitit 2001, shpresat për zbatimin e këtij koncepti u shuan gati se tërësisht, sepse lufta vetëm se i përforcoi istikamet etno-politike, të cilat kishin filluar të groposeshin që në komunizëm, ndërsa në pluralizëm vetëm se përforcoheshin. Secili të zgjidhet në “territorin e vet” etnik ishte motoja e partive politike, të cilat me dekada po fitojnë vota duke rrahagjoksur se kush i thotë fjalët më të mëdha

 

“Kryeministri shqiptar” që u bë Avokat i Popullit!

 

Në vitin 2016, ndonëse ishte produkt i rrethanave dhe ballafaqimit me ish regjimin e Gruevskit, koncepti qytetar i dha rezultatet e para. Ish kryeministri Zoran Zaev dhe partia e tij me proveniencë socialdemokrate e fituan pushtetit falë mijëra votave të shqiptarëve. Në vitin 2017, sikur u ndje një frymë e re politike, e cila i kalon vijat etnike dhe në plan të parë e vë në shprehje përkatësinë ideologjike dhe politike krahasuar me atë etnike. Por, kjo do të jetë një eufori episodike, pasi pas përfundimit të zgjedhjeve në vitin 2019 LSDM-ja do të rikthehet në binarët e saj, si një parti etnike maqedonase dhe jo qytetare. Thuajse ishte një mashtrim i madh nga LSDM-ja se do të funksionojë koncepti politik “Shoqëri për të gjithë”!

Por, nëse në Maqedoninë e Veriut nuk arriti të funksionojë ky koncept, në Malin e Zi u bë realitet. Dritan Abazoviqi, pavarësisht se për nënqiellin e Ballkanit duket se ka ecur disa hapa përpara kohës, me vizion e tij prej kozmopoliti dhe shtetari, që e shmang përkatësinë dhe origjinën etnike, arriti të bëhet i pari i Qeverisë së Malit të Zi. Pra, ky politikan, dikur student i shkëlqyeshëm në Sarajevë, arrin që si pjesëtar i një komuniteti me prani jo të madhe demografike dhe me faktorizim jo aq shumë të madh politik, të bëhet kryeministër i Malit të Zi. Kemi të bëjmë me kryeministër, i cili e ka kapacitetin e plotë qeverisës, që pikë kryesore të programit politik e ka luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, edhe pse ka dyshime mbi bashkëpunimin e tij me qarqet serbe në shtetin malazez. Megjithatë, Abazoviqi me profesion politolog, si duket politikën e mësuar në teori si art i të mundshmes e zbaton në praktikë. Tenton t’i shemb kufijtë etnikë e gjuhësore dhe ta vendosë në plan të parë parimin e politikëbërjes dhe shtetkonsolidimit demokratik, me institucione stabile dhe funksionale, pa e bërë hesap dimensionin e identitetit kolektiv.

Por, pse shqiptarët, me rreth 30 për qind prani statistikore demografike në Maqedoninë e Veriut nuk mund të pretendojnë të kenë kryeministër legjitim, me kompetenca të plotfuqishme vendimmarrëse, por do të kenë vetëm kryeministër “teknik”, edhe atë vetëm në 100-ditëshin e fundit. Ideja për kryeministrin shqiptar ka qenë projekt i BDI-së vetëm për përfitimin e pikëve politike, për të fituar votat e shqiptarëve dhe jo për të synuar thelbësisht dhe përnjëmend karrigen e shefit të qeverisë së vendit. Kur bëhet manovrimi politik, me parullën “Koha për kryeministrin shqiptar. Pse jo?!”, nuk fiton kryeministër politik, por vetëm kryeministër tavoline. Bashkimi Demokratik për Integrim me konceptin e vet etnik (etnoelektoral) e fitoi kryeministrin në tre muajt e fundit, edhe pse nuk ka asgjë përfundimtare. Ka gjasa që nëse mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare, Lidhja Socialdemokrate ta shkelë marrëveshjen politike me BDI-në dhe premtimi i saj të presë realizim në një kohë të ardhshme.

E vetëdijshme se ideja për kryeministër shqiptar, pas zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, do të jetë e bukur për veshin dhe sensibilitetin politik të shqiptarëve, BDI-ja propozoi një kandidat jo pak të njohur politikisht – ish deputetin e ministrin e kohës së PPD-së, Naser Zyberi. Në vend që kryeministër, Zyberi u zgjodh për të qenë korrigjuesi i qeverisë, ndonëse vetëm formalisht, sepse institucioni Avokat i Popullit nuk ka arritur të jetë me të vërtetë i popullit dhe të jetë mekanizëm kontrollues i qeverisë dhe institucioneve të shtetit.

Në një të ardhme të afërt, edhe Maqedonia e Veriut do të prodhojë një politikan si Abazoviqi, i cili do të drejtojë një parti mbietnike, ndërsa edhe pse me origjinë dhe përkatësi etnike shqiptare, do të arrijë të marrë besimin, jo vetëm të shqiptarëve, por edhe komuniteteve të tjera etnike dhe një pjese të konsiderueshme të maqedonasve! Ky do të jetë kryeministri i pestë shqiptar në një shtet të botës! Ndërkohë, Naser Zyberi do ta përfundojë mandatin si Avokat i Popullit dhe nuk do të bëhet asnjëherë kryeministër. Ky është vetëm projeksion dhe pyetja që shtrohet është edhe sa vite do të duhen për t’u arritur? Një dekadë është e mjaftueshme!