` . ABAZI I FTON SHTETET ARABE DHE ATO ISLAME QË TA NJOHIN PAVARËSINË E VENDIT TË TIJ! - TV SHENJA

ABAZI I FTON SHTETET ARABE DHE ATO ISLAME QË TA NJOHIN PAVARËSINË E VENDIT TË TIJ!

Intervistoi: Rexheb Ed-Demenhuri

Kosova është një vend evropian me shumicë myslimane, i cili e ka shpallur pavarësinë e tij në vitin 2008. Kjo kishte ardhur si rezultat i përpjekjeve të gjata dhe i një lufte dyvjeçare, e cila pas vetes la viktima dhe shkatërrime të mëdha. Ndihmat e ofruara nga vendete ndryshme, në veçanti nga Kuvajti, kanë luajtur një rol të rëndësishëm, duke filluar me ngritjen e kampeve për refugjatë në Shqipëri, për të vazhduar më pas me ndërtimin dhe rindërtimin e shumë shtëpive, institucioneve, objekteve shëndetësore dhe xhamive të djegura dhe të rrënuara.

Prof. Husamedin Abazi është anëtar i bordit administrativ të Organizatës Ndërkombëtare Islamike për Bamirësi (ONIB) dhe është imam në Xhaminë “Hasan Beg” në Prishtinë. Në një bashkëbisedim për revistën tonë, ai dëshmon për rolin dhe rëndësinë e mbështetjes dhe të humanizmit që e ka treguar shteti i Kuvajti për vendin e tij, e në veçanti për ndihmën e madhe dhe mbështetjen e pakursyer që e kanë dhënë shumë organizata bamirëse kuvajtiane, në krye të të cilave radhitet Organizata Ndërkombëtare Islamike për Bamirësi, organizatë kjo që nuk ka kursyer asgjë nga vetja e saj, në mënyrë që t’i lehtësojë dhimbjet dhe plagët që i kishte lënë lufta e fundit në Kosovë.

Kosova, ashtu siç thotë edhe vetë z.Abazi, ende ka shumë nevojë për mbështetje dhe ndihmë nga të tjerët,ngase tani qytetarët e saj përballen me një betejë tjetër, që ka të bëjë me ringritjen ekonomike, arsimore, edukative dhe me mbrojtjen e identitetit të tyre kulturor dhe fetar, pasi janë një vend evropian me shumicë absolute muslimane.

Pason bashkëbisedimi ynë me z.Abazin…

 

Al-Alamiya: Në fillim, na tregoni pak për veten tuaj dhe për detyrat dhe përgjegjësitë që i bartni, si në aspektin e predikimit, ashtu edhe në atë të bamirësisë në vendin tuaj?

Z.Abazi: Unë jam Husamedin Abazi. Kam lindur në vitin 1967 në Prishtinë. Shkollimin fillor e kam kryer në fshatin e lindjes, ndërsa të mesmin e kam kryer në Prishtinë, në Medresenë “Alauddin”. Pas përfundimit të shkollës së mesme, kam vazhduar studimet në Riad, në kryeqytetin e Arabisë Saudite. Atje e kam përfunduar Fakultetin e Edukimit, drejtimi i Shkencave Islame, pranë Universiteti “Mbretit Saud”.

Studimet e nivelit master i kam vazhduar në Universitetin Amerikan në Kajro të Egjiptit, ndërsa tani jam duke i përfunduar studimet e doktoratës në “Universitetin Ndërkombëtar” të Novi Pazarit.

Momentalisht punoj si imam dhe ligjërues në Xhaminë “Hasan Beg” në Prishtinë. Po ashtu jam njëri prej themeluesve të Shtëpisë Botuese “Logos-A” në vitin 1990, e cila vepron në Shkup, Prishtinë dhe Tiranë dhe njëherazi jam dhe kryeredaktor i saj që nga themelimi, ku me ndihmën e Zotit, kemi arritur të botojmë mbi 1000 tituj në fusha të ndryshme islame dhe shkencore. Po ashtu, jam prej themeluesve të shoqatës “Urtësia” në vitin 1987, shoqatës “Shpresa e Kosovës” në vitin 1999, e po ashtu edhe Asociacionit për Kulturë, Edukim dhe Arsim “AKEA” në vitin 2004. Gjithashtu, ndërmjet viteve 2001-2009, kam punuar si profesor i lëndës së Hadithit në Medresenë “Alaud-din” në Prishtinë.

 

EKSPERIENCA NË FUSHËN E PREDIKIMIT DHE BAMIRËSISË

 

Al-Alamiya: Kosova, si një vend me përqindjen më të madhe myslimane në Evropë, e ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 2008. A mund të na tregoni se si ishte gjendja dhe roli i veprimtarisë humanitare apo, siç njihet ndryshe, edhe si “sektori i tretë”, për popullin e Kosovës dhe si zhvillohen përpjekjet për t’iu kthyer normalitetit?

Z.Abazi: Ashtu siç e potencuat edhe ju, Kosova është një vend me shumicë shqiptare myslimane. Prandaj, gjatë sundimit jugosllav, ajo vazhdimisht është lënë pas dore, sidomos në aspektin ekonomik. Pra, nuk kishte shumë projekte ekonomike që zhvilloheshin dhe realizoheshin në vendin tonë. Injorimi ishte qëndrimi më i shpeshtë ndaj saj. Pas shkatërrimeve të shumta, që ndodhën si pasojë e luftës dyvjeçare, 1998-1999, fokus kryesor i forcave kriminele serbe ishte shkatërrimi i të gjitha resurseve dhe kapaciteteve ekonomike, edhe ashtu të pakta, kështu që roli dhe përgjegjësia kryesore e mbështetjes kishte mbetur tek organizatat humanitare. Që nga ajo kohë, rinia kosovare ishte orientuar te puna vullnetare dhe humanitare. Kështu kishte filluar themelimi i shumë shoqatave dhe organizatave humanitare, që kishin për qëllim t’u dalin në ndihmë shtresave më të dobëta dhe më të dëmtuara të shoqërisë kosovare. Gjithashtu, edhe organizata të ndryshme arabe dhe islame kishin filluar që, me të madhe, të ofrojnë ndihma për vëllezërit dhe motrat e tyre në Kosovë.

 

NGRITJA E KAMPEVE PËR REFUGJATË

 

Al-Alamiya: Kosova është një prej vendeve që ka pasur fatin të ketë një kujdes të veçantë nga shoqatat humanitare kuvajtiane. A ka mundësi që të na tregoni pak më shumë rreth kësaj përkrahjeje? Cili është vlerësimin juaj për këtë?

Z.Abazi: Prej vendeve të para që e kishin zgjatur dorën e ndihmës për vëllezërit dhe motrat e tyre në Kosovë ishte shteti i Kuvajtit. Po ashtu, edhe prej organizatave të para humanitare që e kanë shtrirë dorën e ndihmës kanë qenë organizatat kuvajtiane. Kjo mbështetje kishte filluar shumë më herët, pra përgjatë viteve të luftës ‘98-’99,që kishte filluar me ngritjen e kampeve për refugjatët kosovarë në Shqipëri. Përveç tendave, atyre u ishin ofruar të gjitha gjërat e nevojshme për jetë në atë kohë të vështirë nëpër të cilën ishin duke kaluar.

Pas përfundimit të luftës në vitin 1999 dhe kthimit të refugjatëve në Kosovë, organizatat humanitare kuvajtiane filluan të ofronin ndihma në mënyrë të organizuar. Ky organizim ishte bërë duke themeluar një këshill të përbashkët, që kishte përfshirë të gjitha organizatat kuvajtiane. Këtu kishte ardhur në shprehje roli dhe rëndësia e Organizatës Ndërkombëtare Islamike për Bamirësi, që ishte një prej roleve kryesore dhe të pakontestueshme.

 

KUVAJTI, ÇDOHERË ISHTE PRIJATAR…

Al-Alamiya: Kuvajti është një prej vendeve të para që e ka pranuar pavarësinë e Kosovës dhe prej vendeve të para që ka ofruar ndihmë dhe mbështetje për popullin e saj. Cilat janë projektet kryesore që janë mbështetur nga Kuvajti dhe organizatat kuvajtiane për rimëkëmbjen e shoqërisë dhe ekonomisë kosovare?

Z.AbaziËshtë e vërtetë se Kuvajti çdoherë ka qenë prijatar në mbështetjen dhe përkrahjen e vendit tonë. Ai është prej vendeve të para arabe që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo njohje ka lënë gjurmë dhe ka pasur ndikim të madh në zemrën e popullit kosovar. Ky veprim e ka shtuar dashurinë dhe ka nxjerr në pah realitetin e vëllazërisë ndërmjet këtyre dy vendeve dhe popujve.

Ashtu siç e potencova edhe më lart, ndihma dhe mbështetja e shtetit kuvajtian kishte filluar shumë herët. Ne nuk mund t’i harrojmë assesi aeroplanët kuvajtianë, që vinin direkt nga Kuvajti dhe bartnin gjërat themelore për jetë, duke përfshirë tenda, mbuloja, gjëra ushqimore, veshmbathje, pajisje higjienike, medikamente, etj.

Prej projekteve më të rëndësishme që ka mbështetur Kuvajti dhe shoqatat humanitare kuvajtiane, pas përfundimit të luftës, ishte edhe ndërtimi dhe rindërtimi i shtëpive dhe xhamive të ndryshme, të cilat ishin djegur dhe ishin shkatërruar nga lufta, por jo vetëm. Kuvajti ka ndihmuar me mijëra jetimë dhe familje skamnore. Po ashtu, një mbështetje të madhe ka ofruar edhe në aspektin kulturor dhe edukativo-arsimor, ndihmë kjo që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

 

SFIDAT EKONOMIKE DHE COVID-19

 

Al-Alamiya: Cilat janë sfidat kryesore humanitare me të cilat është duke u ballafaquar vendi juaj? Cilat janë mundësitë e shoqatave humanitare që të ofrojnë ndihmë për njerëzit në nevojë dhe cilat fusha janë më primare për t’u përkrahur?

Z.Abazi: Prej problemeve dhe sfidave kryesore, me të cilat ballafaqohet vendi ynë, është problemi me gjendjen ekonomike, sepse mbi 30% e popullatës kosovare jeton në kushte varfërie. Diku afër 1/3 e popullatës janë të papunë, prej të cilëve rreth 58% janë të rinj të moshës 15-24 vjeç. Diku afër 8% e popullatës jeton në varfëri të skajshme me më pak se 1€ në ditë. Këto të dhëna janë të bazuara në Raportin e Kombeve të Bashkuara për vitin 2017.

Derisa ende ishim duke u ballafaquar me këto probleme ekonomike, erdhi edhe pandemia COVID-19. Pasojat që i ka lënë kjo pandemi janë të shumta. Pos tjerash, ajo e ka rritur dukshëm varfërinë dhe papunësinë në vendin tonë. Prandaj, u bëjmë thirrje shoqatave kuvajtiane, në krye me Organizatën Ndërkombëtare Islamike për Bamirësi, që ta shtojnë mbështetjen e tyre në projektet humanitare dhe zhvillimore në Kosovë.

 

VEPRIMTARIA HUMANITARE DHE GJURMËT E PASHLYERA TË SAJ

 

Al-Alamiya: Veprimtaria humanitare luan një rol të madh në largimin e gjurmëve të shkaktuara nga krizat humanitare. Bazuar në përvojën tuaj në Kosovë, cilat janë projektet me prioritet më të lartë, që do duhej të realizoheshin, për të dhënë efekte më afatgjata?

Z.Abazi: Pa dyshim se gjatë luftës, por edhe pas saj, ka pasur shumë trauma psikike në shoqërinë kosovare, e në veçanti tek gratë dhe fëmijët. Këto trauma psikike kanë ardhur si pasojë e skenave të trishtueshme që i kanë përjetuar nga vrasjet e prindërve, fëmijëve, bashkëshortëve ose familjarëve të tjerë, skena këto që ishin të papërballueshme psikikisht. Por, me ndihmën e Zotit dhe, mandej, me organizimin e mirë të institucioneve dhe shoqatave humanitare, pas një periudhe kohore, këto probleme deri diku janë tejkaluar. Ndërkaq, ajo me të cilën jemi duke u ballafaquar tani, janë problemet ekonomike dhe dëmet që i shkaktojnë këto probleme te shoqëria kosovare.

Ashtu siç e kam potencuar edhe më herët, ne kemi nevojë për projekte ekonomike zhvillimore, që do të mundësonin ngritjen e standardit ekonomik të qytetarëve. Unë jam i bindur se organizatat humanitare do të duhej të kenë rol dhe ndikim shumë më të madh në këtë drejtim. Këtë do ta arrinin duke ofruar mbështetjen e tyre për kulturë dhe arsim, duke përkrahur shkollat dhe qendrat kulturore.

 

ORGANIZATA NDËRKOMBËTARE ISLAMIKE PËR BAMIRËSI DHE PLAGËT KOSOVARE

 

Al-Alamiya: ONIB është prej organizatave të shumta që ka ofruar ndihmë dhe mbështetje humanitare në Kosovë. Si e shihni rolin e saj dhe cilat janë fushat kryesore që janë mbështetur prej saj?

Z.Abazi: Vërtet ONIB ka qenë prej organizatave të para që i ka filluar aktivitetet humanitare në Kosovë. Kjo organizatë ka ofruar një mbështetje të madhe në shumë fusha të ndryshme. Prej projekteve më të rëndësishme të ONIB-it ka qenë mbështetja e mijëra jetimëve, familjeve skamnore, e deri tek ndërtimi i shumë shtëpive, xhamive, objekteve shëndetësore etj. Por, për shkak të plagëve të shumta në botën arabe dhe atë islame, tash shohim një lloj tërheqjeje të kësaj mbështetjeje. Këtë tërheqje e shohim pothuajse nga të gjitha shoqatat humanitare, duke përfshirë edhe vetë ONIB-in. Ajo që duhet të potencohet në këtë rast është ajo se populli i Kosovës vazhdon të ketë nevojë për mbështetje, ndërsa kjo mbështetje ndaj nesh është reduktuar, për të mos thënë është ndërprerë, duke menduar se lufta ka mbaruar, se Kosova ka shpallur pavarësinë e saj dhe se tanimë nuk paska nevojë për mbështetje.

Kosova sot ka nevojë për mbështetje dhe kujdes të shtuar, pasi po përballemi me papunësi dhe sfida kulturore e identitare, gjithmonë duke e ditur se Kosova është prej vendeve me përqindjen më të lartë myslimane në Evropë.

 

PLANI DHE SHPRESA

 

Al-Alamiya: Duke e pasur parasysh se ju jeni anëtar i Bordit Administrativ të ONIB-it, si e vlerësoni planifikimin strategjik të organizatës për vitet 2020-2024 dhe synimet e saj për avancimin e jetës së secilit individ?

Z.Abazi: Kushdo që e përcjell punën dhe aktivitetet e ONIB-it, e ka parë se organizata është mjaft stabile dhe me një histori mjaft të bujshme, e cila gjithnjë shkon duke u pasuruar dhe avancuar.

Si pjesë e këtij progresi janë edhe laramania e projekteve dhe numri i madh i tyre, që janë paraparë të realizohen gjatë planifikimit strategjik për katër vitet e ardhshme. Prandaj, me lejen e Allahut xh.sh, realizimi i këtyre planeve do ta ngrejë këtë organizatë dhe do t’ia mundësojë të ecë me hapa të mëdhenj, duke e bërë kështu prej organizatave prijatare në aspektin e bamirësisë dhe humanitetit në nivel botëror.

Me gjithë rëndësinë që kanë të gjitha fushat që i mbulon planifikimi strategjik, pa dyshim se fusha edukative-arsimore llogaritet si vlera e shtuar më qendrore e këtij planifikimi.

 

Al-Alamiya: Nga pjesëmarrja juaj në takimet e rregullta që ka Bordi Administrativ i ONIB-it, si e shihni punën e saj në shoqëritë ku ajo vepron?

Z.Abazi: Si anëtar i Bordit Administrativ kam pasur mundësinë që t’i ndjek prej së afërmi aktivitetet e organizatës dhe e them me përgjegjësi të plotë se organizata ka ofruar ndihma të mëdha në fusha të ndryshme. Por, pa dyshim, se ne mund të ofrojmë shërbime edhe më të mira dhe më kualitative. Kjo edhe ajo që shpresojmë ta arrijmë me anë të këtij planifikimi ambicioz e strategjik, që e kemi bërë për katër vitet e ardhshme.

 

Al-Alamiya: Si i lexoni kahjet e botës pas pandemisë COVID-19 dhe si e shihni rolin e veprimtarisë humanitare nga perspektiva e mbikëqyrjes dhe interesimit tuaj?

Z.Abazi: Nuk ka dyshim se bota nuk do të jetë e njëjtë pas COVID-19, ashtu siç ka qenë para tij. Kjo krizë na ka mësuar se i tërë njerëzimi është në një anije të përbashkët. Prandaj duhet që të gjithë t’i unifikojmë dhe bashkojmë forcat tona, në mënyrë që të mund të përballemi me kriza të tilla. Vetëm të bashkuar dhe të rreshtuar si një trup i vetëm mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë dhe më të ndritshme për mbarë njerëzimin.

 

Al-Alamiya: A doni të shtoni edhe diçka për fund?

Z.Abazi: Edhe një herë e përgëzoj shtetin e Kuvajtit për rolin e rëndësishëm në veprimtarinë humanitare që e ka në botën arabe dhe atë islame. Po ashtu, shpresojmë dhe i ftojmë vendet arabe e ato islame, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që sa më parë ta njohin Kosovën si shtet të lirë dhe të pavarur! Hezitimi i tyre për ta njohur shtetësinë tonë është i pajustifikueshëm dhe i pakonceptueshëm.

Dhe, krejt në fund, ju falënderoj për këtë intervistë dhe bashkëbisedim të këndshëm, duke e lutur Zotin xh.sh që të na mundësojë të jemi në shërbim të Islamit, myslimanëve dhe të gjithë njerëzve!