` . A mund t’i shpëtojë falimentimit restoranti më i vjetër në botë shkaku i pandemisë globale? (VIDEO) - TV SHENJA

A mund t’i shpëtojë falimentimit restoranti më i vjetër në botë shkaku i pandemisë globale? (VIDEO)

Restoranti Botin, një vend komod në Madrid, Spanjë, u hap në vitin 1725 dhe ka hyrë në librin e rekordeve botërore “Guinness”, si restoranti më i vjetër në botë.

Dhe si shumica e institucioneve botërore, restoranti u detyrua të mbyllë dyert shkaku pandemisë globale të COVID-19, raporton CNN.

“Kur e mbyllëm restorantin gjatë pandemisë, ne u ndjemë të shkatërruar sepse nuk e kishim mbyllur asnjëherë më parë, madje edhe gjatë Luftës Civile Spanjolle, gjyshi im e mbajti hapur Botinin”, tha Antonio González, menaxher i përgjithshëm i Botinit.

Ata shërbejnë në pjata tradicionale spanjolle – nga cordero asado, qengji i pjekur deri tek Cochinillo Asado, derr i përgatitur me qumësht. Para pandemisë, kuzhinieri do të merrte porosi me qengja dhe derra tri ose katër herë në javë nga rajoni Sepulveda-Aranda-Riaza, i cili është rreth 100 milje në veri të Madridit, transmeton Telegrafi.

Mysafirët mund të zgjedhin të darkojnë në një nga dhomat antike të restorantit katër katësh, duke përfshirë edhe të preferuarën e Gonzalezit, bodrumin e verës.

Restoranti u hap gati tre shekuj më parë nga një kuzhinier francez i quajtur Jan Botín, por ishte më shumë një tavernë sesa një restorant. Gjatë shekullit të XVIII-të, kuzhinierët mund të gatuanin vetëm ushqimet që mysafirët i sillnin në restorant. Kjo për shkak se shitja e ushqimit ishte e ndaluar në atëbotë sepse mund të dëmtonte bizneset e tjera.

Restoranti u menaxhua nga familja Botin deri në shekullin e XX-të. Gjyshërit e Gonzalezit morën përsipër restorantin në vitin 1930 dhe vazhduan të zgjerojnë biznesin.

Gjatë shekujve, shumë autorë të njohur kanë darkuar këtu, nga Ernest Hemingway deri te F. Scott Fitzgerald. Disa kanë përmendur gjithashtu Botinin në shkrimin e tyre, të tillë si Hemingway në romanin e tij “Dielli gjithashtu lind”.

Restoranti rihapi dyert më 1 korrik, po shërben vetëm klientët e rregullt që i kishte para pandemisë globale të coronavirusit. Gonzalez tha se dikur kanë shërbyer 600 vizitorë në ditë – tani vetëm 60.

Gonzalez nuk dekurajohet. Plani i tij është të stabilizojë humbjet e tyre sa më mirë që të jetë e mundur dhe të përqendrohet në të ardhmen.