` . Dënohen me nga 3.5 vjet burg dy funksionarët e BDI-së: Ejup Halimi dhe Ismet Guri - TV-SHENJA

Dënohen me nga 3.5 vjet burg dy funksionarët e BDI-së: Ejup Halimi dhe Ismet Guri

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë për të Ardhura Publike, Ismet Guri dhe bashkëpartiaku i tij, deputeti nga radhët e BDI-së, Ejup Alimi u dënuan me 3 vite e 6 muaj burg. Ata u dënuan për shkak të akuzave për “Shkatërrim të materialeve zgjedhore”. Kjo ka të bëjë me zgjedhjet lokale të vitit 2013, për zgjedhjen e kryetarit të Komunës së Çairit. Këtë vendim gjykatësja e bazoi në veprimet e tilla që i kanë të bërë të dënuarit e që janë në kundërshtim me nocionin shtet demokratik dhe zgjedhje të lira e të drejta. Gjykata të njëjtit i obligoi që të paguajnë 4000 denarë për paushall të gjykatës ne afat prej 15 ditësh. Prokurorja e lëndës, Fatime Fetai propozoi që të caktohen masa për ndalim të lëshimit të vendit ku banojnë dhe marrje të dokumenteve të udhëtimit, për shkak të rrezikut të arratisjes. Avokati i Ismet Gurit, Elenko Millanov tha se klienti i tij i përket grupit të qytetarëve që bëjnë pjesë në grupin e atyre duhet të kenë lëvizje të kufizuar, prandaj tha se masat e propozuara nga prokurorja, nuk duhet të merren parasysh.