` . Më 1912 e fituam pavarësinë, por e humbën gjysmën e popullsisë dhe të territorit etnik - TV-SHENJA

Më 1912 e fituam pavarësinë, por e humbën gjysmën e popullsisë dhe të territorit etnik

“S’ka dyshim se pozita dhe roli i shqiptarëve në Perandorinë Osmane ka ndryshuar gjatë rrjedhës së shekujve. Por, ajo që mund të thuhet me siguri është se pesha dhe rëndësia e tyre, si në Ballkan ashtu edhe në kontekstin e përgjithshëm të Perandorisë, kanë ardhur duke u fuqizuar gjithnjë e më shumë deri në shpalljen e pavarësisë më 1912”, thotë profesor Duka

Intervistoi: Latif MUSTAFA

Profesor Ferit Duka është lindur në Elbasan. Studimet i mbaroi në departamentin e Historisë dhe Gjeografisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1976. Ai ka studiuar historinë osmane në Universitetin e Ankarasë dhe të Stambollit. Në Universitetin e Gazit ai ka punuar në demografinë historike si ekspert arkivash. Akademia e Shkencave të Shqipërisë në vitin 2004 i dha titullin “Profesor doktor i shkencave të historisë”. Profesor Ferit Duka e ka përqendruar punën e tij studimore në lëmin e historisë së shqiptarëve. Kërkimet e profesor Dukës kanë qenë të orientuara pikësëpari në çështje të tilla të rëndësishme, si qyteti shqiptar dhe tiparet e zhvillimit të tij pas vendosjes së sundimit osman në tokat shqiptare, ndryshimet në strukturën fetare të shoqërisë shqiptare gjatë shekujve osmanë, si dhe komunitetet joshqiptare (veçanërisht hebrenjtë) që kanë banuar në pjesë të veçanta të kësaj hapësire. Ai sot konsiderohet ndër zërat më të besueshëm sa i përket interpretimit të fakteve historike mesjetare osmane. Po ashtu prof. Duka është ligjërues në Universitetin Europian të Tiranës dhe pjesëmarrës në shumë konferenca dhe simpoziume shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Në këtë numër të revistës “Shenja” patëm rastin të diskutojmë rreth tërheqjes së Perandorisë Osmane dhe shfaqjes së shtetit shqiptar në hapësirat ballkanike.

SHENJA: Në opinionin publik shqiptar, në përgjithësi, dhe në akademi, kohëve të fundit, flitet për marrëdhëniet më ndryshe ose më pozitive sa i përket pozitës së shqiptarëve në Perandorinë Osmane. Megjithatë, hiq ndikimin e politikës, shpesh kemi tendencën e zëvendësimit të miteve, sikurse bie fjala miti i luftës zëvendësohet me mitin e paqes. Si e vlerësoni pozitën e shqiptarëve në Perandorinë Osmane gjatë periudhave të ndryshme të saja?

Duka: Periudha osmane është një nga segmentet më të gjata dhe më interesante të historisë së shqiptarëve. Ajo fillon që nga dekadat e fundit të shek. XIV dhe mbyllet me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Kjo ishte koha kur tokat shqiptare ishin pjesë e Perandorisë Osmane, një nga shtetet më të fuqishme që ka njohur bota deri më sot. Edhe pse ndeshi në reagime e kundërshtime të forta nga ana e shqiptarëve, të cilat u kanalizuan në luftën e gjatë të udhëhequr nga Skënderbeu, sundimi osman u vendos përfundimisht në hapësirën shqiptare. Kalimi i shqiptarëve në këtë periudhë të re historike shënonte një kthesë rrënjësore në aspektet politike, ekonomiko-shoqërore, kulturore e fetare. Është e udhës që elementët e kësaj kthese, më përgjithësisht zhvillimet historike të periudhës së re, si dhe pozita e shqiptarëve në Perandorinë Osmane, të shqyrtohen e të vlerësohen në përputhje me kriteret metodologjike e teorike të historiografisë shkencore, si dhe me të dhënat e burimeve relevante të periudhës në fjalë. Vetëm kështu ne do t’u qëndrojmë larg, si prirjeve për zbukurim e idealizim të periudhës osmane të historisë shqiptare, ashtu edhe nihilizmit e negativizmit radikal, që manifestohen jo rrallë në lidhje me periudhën në fjalë dhe që frymëzohen nga interesa politike të caktuara.

Kur shtrohet pyetja në lidhje me pozitën e shqiptarëve në suazat e kësaj perandorie, e shohim të nevojshme të përmendim disa nga ndryshimet kryesore që solli për shqiptarët era e re osmane. Nga partikularizmi politik mesjetar, i karakterizuar nga ekzistenca e një sërë principatash të veçanta nën sundimtarë vendas e të huaj, në periudhën e re trojet shqiptare u gjendën të unifikuara politikisht nën çatinë e një shteti të vetëm: Perandorisë Osmane. Shumica e shqiptarëve u islamizua, duke gjetur kështu më shumë mundësi për t’u integruar më mirë në sistemin e ri politik dhe ekonomik të perandorisë. Shumë syresh, duke pasur edhe aftësi të veçanta luftarake, avancuan shpejt në karrierë, duke marrë poste nga më të ulëtat deri në rangun e numrit dy, Vezirit të Madh të Perandorisë.

Në suazat e shtetit osman gjetën një rregullim politiko-juridik të përshtatshëm edhe bashkësitë jomyslimane, përfshi këtu edhe ato shqiptare. Mbi bazën e këtij sistemi, që më vonë do të quhej “sistem i miletit”, funksionoi përgjithësisht një bashkëjetesë tolerante midis popullsisë myslimane dhe bashkësive të krishtera e hebraike në hapësirën shqiptare. Këto të fundit jo vetëm që kishin mundësi të ushtronin lirisht fenë dhe zakonet e tyre, por me kalimin e kohës, gjetën hapësirat e nevojshme për t’u pasuruar nëpërmjet veprimtarisë fitimprurëse në fushën e tregtisë dhe të zejtarisë brenda dhe jashtë arealit shqiptar.

S’ka dyshim se pozita dhe roli i shqiptarëve në Perandorinë Osmane ka ndryshuar gjatë rrjedhës së shekujve. Por, ajo që mund të thuhet me siguri është se pesha dhe rëndësia e tyre, si në Ballkan ashtu edhe në kontekstin e përgjithshëm të Perandorisë, kanë ardhur duke u fuqizuar gjithnjë e më shumë deri në shpalljen e pavarësisë më 1912.

SHENJA: Po ashtu, qoftë si informacion, qoftë edhe si dije publike, pretendohet se në Perandorinë Osmane kishte mbi 30 sadrazamë shqiptarë dhe personalitete të tjera të larta shqiptare në hierarkinë drejtuese të Perandorisë. A janë të evidentuar këta sadrazamë dhe drejtues të tjerë dhe cila është e vërteta e këtij numri të madh kryeministrash e pashallarësh të tjerë në krye të Perandorisë?

DUKA: Sikundër theksuam edhe më lart, shqiptarët mundën të zënë poste të rëndësishme në të gjitha nivelet e administratës dhe ushtrisë osmane gjatë gjithë harkut kohor mbi 500-vjeçar të periudhës me këtë emër. Ashtu si gjithë kuadri drejtues i Perandorisë, edhe personalitetet shqiptare me funksione të ndryshme në nivelet qendrore dhe provinciale të administratës, dilnin nga kontingjentet e djemve të krishterë, të marrë nga krahina të ndryshme shqiptare (si pengje vasaliteti, devshirë ose robër lufte), të konvertuar në islam dhe të edukuar e trajnuar pranë oborrit sulltanor (sistemi kul). Pas shek. XVII funksionarë të tillë, me detyra të rëndësishme, rridhnin edhe nga familjet e mëdha shqiptare, të cilat u imponuan gjithnjë ne më fuqishëm në skenën politike shqiptare. Nga këto familje dolën figura të njohura, të cilat qeverisën pothuajse në mënyrë autonome pashallëqet shqiptare (Ali Pashë Tepelena, Karamahmud Pashë Bushati, Ahmed Kurt Pasha, themeluesi i Egjiptit modern – Mehmed Ali Pasha, etj.)

Është e vërtetë se edhe posti më i lartë shtetëror pas sulltanit, ai i kryeministrit të Perandorisë (i quajtur vezir-i azâm ose sadrazam) ka qenë shumë herë në duart e shqiptarëve. Vështirë të jepet numri saktë i sadrazamëve shqiptarë, që kanë qeverisur shtetin osman, por rëndësi ka fakti që ata kanë qenë të shumtë dhe akoma më e rëndësishme është që disa syresh kanë shënuar piketa të paluajtshme në historinë e shtetit osman. Këtu mund të përmendet Ibrahim Pasha nga Parga e Çamërisë, kryeministër i shtetit osman në vitet 1528-1536 (koha e sulltan Sulejmanit të Madhërishëm), i cili jo vetëm që ka qenë një nga funksionarët e lartë më të ditur të Perandorisë, por që ka një meritë thelbësore në ngritjen deri në zenit të fuqisë së shtetit osman. Ne kemi arritur të identifikojmë pronat (haset) e këtij personaliteti të jashtëzakonshëm në zonën e Çamërisë. Fundi i Ibrahim Pashës ishte tragjik. Rritja e shpejtë e prestigjit dhe fuqisë politike e shqetësuan sovranin osman, i cili në vitin 1536 urdhëroi ekzekutimin e pashait shqiptar.

Një tjetër figurë shqiptare e përmasave të mëdha, Mehmed Pashë Qypriliu, u ngjit në postin kryeministror osman (vezir-i azam) në vitin 1656 dhe qëndroi aty deri më 1661. Me dorë të fortë ai mundi ta kurojë krizën ku ishte futur Perandoria, duke luftuar me sukses korrupsionin në nivele të ndryshme të shtetit osman, duke shëndoshur financat dhe duke e fuqizuar atë ushtarakisht. Mehmed Pasha e themeloi dinastinë e Qyprilinjve, sepse pas tij, disa pinjollë të tjerë të së njëjtës familje u ulën në karrigen kryeministrore osmane, duke bërë kështu që gjysma e dytë e shek. XVII të cilësohet si “era e Qyprilinjve”. Kjo familje e shquar e kishte origjinën nga fshati Roshnik i Beratit.

Në dijeninë time, i fundit sadrazam shqiptar i Perandorisë Osmane ka qenë Ferid Pashë Vlora (vitet 1903-1908). Ai rridhte nga familja e njohur e Vlorajve. Qeverisja e tij koincidoi me tronditje të thella shoqërore e politike të Perandorisë, me përgatitjen dhe fitoren e Revolucionit të Turqve të Rinj më 1908, si dhe me zhvillime të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Në lidhje me gjurmimin dhe evidentimin e sadrazamëve shqiptarë janë bërë disa përpjekje serioze. Janë sjellë në shqip artikujt e Enciklopedisë së Sami Frashërit në lidhje me personalitetet e larta shqiptare në Perandori, midis tyre edhe sadrazamët, si dhe është sjellë në shqip kohët e fundit libri interesant për Ferid Pashë Vlorën, shkruar nga studiuesi turk Abdülhamit Kırmızı. Gjurmime me interes në këtë lëmë janë bërë edhe nga studiuesi i ndjerë turk me origjinë shqiptare Necip Alpan në bashkëpunim me Nesip Kaçin, ish-ambasador i Shqipërisë në Ankara. Është një fushë studimesh e cila mbetet e hapur për prurje të reja të cilat besoj se nuk do të mungojnë në të ardhmen.

 SHENJA: Çfarë ndikimi kishte Revolucioni Francez në ngjizjen e periudhës së rekonstruksionit apo Tanzimatit në Perandorinë Osmane? Pse reformat ndikuan keq tek shqiptarët dhe çfarë shkoi keq me Perandorinë?

DUKA: Tanzimati nënkupton një paketë reformash të shpallur me një dekret të posaçëm nga sulltan Abdylmexhiti I më 3 nëntor 1839 në Pallatin e Trëndafilave në Stamboll. Nismëtarët e kësaj lëvizjeje të guximshme ishin figura të njohura të shtetit osma,n si Mustafa Reshit Pasha dhe të tjerë, të cilët ishin të frymëzuar nga iluminizmi europian dhe rrymat e tjera progresive të mendimit, si dhe nga eksperienca më e mirë perëndimore në fushën e shtetësisë dhe të ligjit, për ta modernizuar e fuqizuar shtetin osman sipas modeleve të lartpërmendura.

Në themel të filozofisë së këtyre ndryshimeve qëndronte ideja e një marrëdhënieje të re midis shtetit osman dhe individëve, grupeve dhe bashkësive të ndryshme etnike, fetare dhe kulturore, që ndodheshin brenda orbitës së këtij shteti të madh. Theksi vihej te parime të tilla të rëndësishme, si barazia e shtetasve përpara ligjit, garantimi i jetës dhe pronës etj. Brenda periudhës 1839-1876, që njihet si periudhë e Tanzimatit, u hodhën hapa domethënës për sa i përket modernizimit të bazës ligjore dhe ristrukturimit institucional në sektorët jetikë të shtetit osman. Kodet e reja ligjore, si dhe modelet e ndërtimit institucional të shtetit, reflektonin eksperiencat më të mira të Perëndimit. Rëndësi të madhe në këtë trend të fuqishëm reformues kishte dekreti i dytë i Tanzimatit i vitit 1856, i cili u garantonte ligjërisht një sërë të drejtash të reja komuniteteve jomyslimane të Perandorisë, duke synuar për barazi të tyre me popullsinë myslimane dhe për akses të gjerë në administratën shtetërore.

Sigurisht që nga reformat e Tanzimatit patën pëfitime të rëndësishme edhe shtresa e kategori të ndryshme shoqërore edhe në Shqipëri siç ishin,  për shembull, pronarët e tokave, tregtarët, komunitetet e krishtera etj. Duke pasur parasysh këto që u parashtruan më lart, vetvetiu lind pyetja: pse Tanzimati u kundërshtua nga shqiptarët?

Arsyeja e parë ishte se reformat synonin, midis të tjerash, centralizimin e shtetit osman, rrjedhimisht marrjen përsipër nga shteti të kompetencave dhe përgjegjësive që më parë i ushtronin pjesëtarë të parësisë shqiptare. Për shembull, sipërmarrësit e taksave humbën një të ardhur të majme që siguronin nga mbledhja e taksave të caktuara. Tashmë sipërmarrja e taksave (iltizami) u ndalua me ligj dhe mbledhja e administrimi i taksave këtej e tutje do të bëhej nga zyrat e financës. Po kështu edhe reforma në ushtri, me vendosjen e shërbimit të rregullt ushtarak, privoi nga një biznes fitimprurës shumë individë me ndikim në shoqëri, të cilët mobilizonin ushtarë për në front kundrejt shumave që u paguheshin nga shteti për një shërbim të tillë.

Arsyeja e dytë dhe më e rëndësishme qëndronte në faktin se Tanzimati i zhgënjeu shqiptarët kur ishte fjala për të drejtat e tyre kombëtare. Ata nuk e fituan të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare, ata nuk njiheshin si entitet i veçantë kombëtar mbi bazën e kriterit etnik, por mbi bazën e kriterit fetar, duke i njohur ortodoksët shqiptarë si grekë (rum milleti), katolikët si latinë ose frankë (latin milleti) dhe myslimanët si bashkësi të veçantë duke nënkuptuar përkatësinë turke.

Prandaj në mjedisin shqiptar shpallja e reformave u prit me indinjatë e rezistencë, të cilat në disa raste u shndërruan edhe në kryengritje të armatosura. Nga ana tjetër, Tanzimati, me shpresat dhe zhgënjimet që solli, nxiti intelektualët shqiptarë kudo që ndodheshin, që të ndërmerrnin një lëvizje të gjerë politike dhe kulturore me karakter kombëtar, synim i së cilës ishte mëvetësimi i Shqipërisë nga Perandoria Osmane dhe krijimi i një shteti kombëtar të pavarur.

SHENJA: Cili ishte identiteti i Lidhjes së Prizrenit dhe pse u themelua ajo? Në këtë kontekst, si e shpjegoni kërkesën e refuzuar shqiptare për autonomi në fund të shek. XIX ose për përcaktimin e kufijve të Shqipërisë në kufijtë e katër vilajeteve, që nuk u pranua nga Porta e Lartë? Pse nuk u pranua kjo dhe, nëse flasim hipotetikisht, po të ishte pranuar, si do të dukej historia shqiptare pastaj?

F:DUKA: Lidhja e Prizrenit ishte një organizatë politike shqiptare, e cila u themelua për t’i mbrojtur tokat shqiptare nga aneksimi i shteteve fqinje dhe për të kërkuar nga shteti osman një status të ri politik për shqiptarët (fillimisht një vilajet të bashkuar shqiptar me të drejta të gjëra vetëqeverisjeje si themel i një shteti autonom e më vonë të pavarur). Në momentet e fillimit Lidhja jepte përshtypjen e jashtme se nuk ishte krijesë thjeshtë shqiptare, për shkak të pjesëmarrjes në të edhe të përfaqësuesve të tjerë të popullsive myslimane të Bosnjës, Sanxhakut etj., mirëpo brenda disa javësh ajo e shfaqi të qartë profilin e saj kombëtar shqiptar. Këtë e konfirmojnë jo vetëm njoftimet konsullore të kohës, por edhe vetë dokumentet osmane.

Në qarqet e larta politike osmane u diskutua shumë rreth kërkesës shqiptare për një vilajet të bashkuar autonom. Në mbledhje të posaçme të qeverisë osmane u shfaqën edhe mendime në favor të kësaj kërkese, por në fund sulltan Abdylhamiti II e refuzoi, duke e konsideruar këtë hap të shqiptarëve si fillim të shkëputjes së tyre përfundimtare nga Perandoria, gjë të cilën ai e quante të papranueshme, si për shkak të interesave të saj gjeopolitike, ashtu edhe nisur nga konsiderata të natyrës fetare. Mendoj se më mirë jo vetëm për shqiptarët, por edhe për stabilitetin e Perandorisë në Ballkan do të ishte një reagim pozitiv ndaj aspiratës së shqiptarëve për autonomi.

 SHENJA: Cilat ishin shkaqet e rrënimit të Perandorisë Osmane?

DUKA: Natyrisht që ato ishin të shumta, por prapambetja ekonomike e teknologjike, mospërshtatja, madje, ndonjëherë, edhe rezistenca ndaj reformimit me ritmin e zhvillimeve bashkëkohëse në Europës, tensionet e forta politike brenda hapësirës perandorake dhe vlimet me karakter nacionalist, si dhe konjuktura politike ndërkombëtare e pafavorshme, mund të përmenden si shkaqe kryesore të rrënimit të perandorisë.

 SHENJA: A mund të bëhet një rekapitullim dhe çfarë fituan ose edhe çfarë humbën shqiptarët nga rënia e Perandorisë Osmane?

DUKA: Shqiptarët fituan pavarësinë, por shteti i pavarur shqiptar për fat të keq humbi (ose ia hoqën) gjysmën e popullsisë dhe të territorit etnik.

 SHENJA: Cili ishte roli i Austro-Hungarisë në formimin e shtetit shqiptar?

DUKA: Austro-Hungaria ka pasur një rol esencial në shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit të ri shqiptar. Austro-Hungaria ka sponsorizuar shumë më herët Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, por ajo e përforcoi kontributin e saj në muajt e fundit që ishin vendimtarë për kurorëzimin me sukses të përpjekjeve të shqiptarëve për pavarësi. Kjo fuqi e madhe mike e shqiptarëve luftoi fort edhe në Konferencën e Londrës të v. 1912-1913 që interesat shqiptare të dëmtoheshin sa më pak nga aktorë që punonin kundër këtyre interesave.

 SHENJA: Cilat rrethana politike bënë që Ismail Qemali të ishte figura qendrore e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë? Pse nuk ishte ndonjë figurë tjetër, edhe pse secili kishte rolin dhe meritën e tij?

DUKA: Lëvizja Kombëtare Shqiptare kishte figura të respektuara intelektuale e politike, por asnjë prej tyre, me përjashtim të Ismail Qemalit, nuk i bartte të gjitha cilësitë që nevojiteshin për atë që do të bëhej arkitekti i pavarësisë së Shqipërisë.

 SHENJA: Si e komentoni gjendjen e Shqipërisë prej vitit 1912 deri më 1922, kur pas princit Vid në pushtet ngjitet figura e Ahmet Zogut?

DUKA: Kjo periudhë ka qenë nga më të vështirat në historinë e Shqipërisë. Shteti i pavarur shqiptar u themelua në kohë të vështira. Situata e brendshme ishte katastrofike. Brenda vendit kishte ushtri të huaja. Sikur të mos mjaftonin këto, forcat përçarëse antikombëtare të grupuara rreth Esat Toptanit krijuan një pol të dytë të pushtetit në Shqipërinë e Mesme. Ndërkohë në arenën ndërkombëtare Fuqitë e Mëdha, të ndara në blloqe kundërshtare, po shkonin drejt Luftës I Botërore. Peshën e rëndë të kësaj situate e ndjeu edhe Princ Vidi, i cili nuk mundi të qeverisë në Shqipëri më shumë se gjashtë muaj, duke lënë pas një shtet të asgjësuar që në rininë e tij. Gjatë Luftës I Botërore Shqipëria u invadua nga fuqitë ndërluftuese dhe u në disa zona pushtimi. Pas Luftës elita politike shqiptare me një sens të fortë patriotizmi, dërgoi përfaqësuesit e vet në Kongresin e Lushnjes (28-31 janar 1920), i cili mori vendime me rëndësi historike për rimëkëmbjen e shtetit shqiptar dhe zhvillimin e konsolidimin e tij nën shembullin e shteteve të përparuara europiane. Kjo ishte pak a shumë historia e kësaj periudhe të rëndë të shtetit shqiptar.

 SHENJA: Pse Perandoria Osmane nuk e pranoi pavarësinë e Shqipërisë dhe pavarësia e saj u njoh vetëm pasi u shpall republika e Turqisë?

DUKA: Perandoria qëndronte në idenë e vjetër se Shqipëria, për ato arsye që i përmenda shkurt në pikën 4 të kësaj interviste, kurrsesi nuk mund të imagjinohej e shkëputur nga Stambolli.

SHENJA: Nëse do të kishit mundur ta përmblidhni pika të shkurtra, kujt do të duhej t’i falënderoheshim për ekzistencën e shtetit të Shqipërisë?

DUKA: Përpjekjeve e sakrificave të mëdha të atdhetarëve shqiptarë dhe ndihmës së miqve ndërkombëtarë. Këtu do të veçoja Austro-Hungarinë më 1912-1913 dhe SHBA-të më 1919 (kundërshtimi i prerë i marrëveshjes Titoni-Venizellos nga ana e Presidentit Uillson në Konferencën e Paqes në Paris).