110-vjetori i Pavarësisë, Biden uron shqiptarët: SHBA do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt BE

110-vjetori i Pavarësisë, Biden uron shqiptarët: SHBA do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt BE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joseph R. Biden Jr., përmes një mesazhi dërguar Presidentit të Republikës Sh. T. Z. Bajram Begaj uroi Shqipërinë dhe popullin shqiptar me rastin e 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë dhe Ditës së Flamurit.
Në mesazhin e Presidentit Biden, ndër të tjera, theksohet:

“Ky vit shënon 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis vendeve tona – një partneritet që ka çuar përpara prosperitetin dypalësh, ka ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe ka forcuar sigurinë globale. Si aleatë të NATO-s, vendet tona kanë bashkëpunuar gjithashtu për ta mbajtur Aleancën të fortë, të përgatitur dhe të vendosur. Dhe përballë luftës së padrejtë dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, ne kemi punuar së bashku në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të mbështetur popullin ukrainas, duke e konsideruar Rusinë përgjegjëse për agresionin. Shqipëria vazhdon të jetë një lider humanitar, duke siguruar strehimin e përkohshëm të afganëve dhe grupeve të tjera vulnerabël.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ndërsa fillojmë shekullin e ardhshëm të marrëdhënieve tona dypalëshe, pres me padurim të thellojmë partneritetin tonë edhe më tej, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e sigurisë energjetike në të gjithë Evropën dhe forcimin e bashkëpunimit për sigurinë kibernetike”, shprehet Presidenti Biden në mesazhin e tij.

Ndërkohë presidenti Bajram Begaj, me anë të një postimi në Twitter ka falënderuar zotin Biden për urimin.

“Faleminderit Presidenti Biden për mesazhin tuaj për Shqipërinë dhe shqiptarët me rastin e 110-vjetorit të festës sonë të Pavarësisë. Shqipëria dhe SHBA janë partnerë strategjikë dhe do të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë në vitet në vijim për të forcuar sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin”, shkruan kreu i shtetit.