​Revista angleze: Transferimi i Shaqirit në Liverpool, njëra ndër ujditë më të mira në Premierligë

​Revista angleze: Transferimi i Shaqirit në Liverpool, njëra ndër ujditë më të mira në Premierligë

Revista angleze e futbollit, FourFourTwo, e ka cilësuar zviceranin me origjinë shqiptare, Xherdan Shaqirin, si njëri ndër 100 lojtarët më të vlefshëm në Premierligë, të cilët janë transferuar për çmime shumë të ulëta. Goli i ekzekutuar në mënyrë të përsosur nga ylli zviceran në ndeshjen debutuese të tij në Liverpool, kundër Manchester Unitedit, ishte vetëm një shenjë për atë se çfarë do të ndodhë. Për dallim nga Stoke City, Liverpooli nuk mund të kërkojë më shumë nga Shaqiri, shkruan FourFourTwo, transmeton Gazeta Express.

Zvicerani me origjinë shqiptare arriti ta sigurojë një transferim në Liverpool nga Stoke City gjatë verës, pasi ish-klubi i tij ra nga Premierliga në Championship, nivelin e dytë të futbollit në Angli. Shaqiri kishte qenë golashënuesi më i mirë në skuadrën e Stoke Cityt me tetë gola. Fillimisht ishte vënë në dyshim nëse Shaqiri e kishte aftësinë dhe etikën e punës që kërkohet për të luajtur për një trajner si Jurgen Klopp. Megjithatë, në një intervistë pas njërës nga ndeshjet e këtij sezoni, Klopp kishte thënë se Shaqiri i ka kaluar pritshmëritë e tij.

27-vjeçari e dëshmoi veten qysh në ndeshjen e parë për klubin e tij të ri, kur e shënoi një gol në stilin gërshërë në ndeshjen kundër Manchester Unitedit në korrik. Vetëm disa ditë para se ta shënonte këtë gol, Shaqiri kishte bërë të ditur se ai ndiente që me Liverpoolin mund të fitonte gjithçka në botë. Përkundër që ai nuk ishte aktivizuar në të gjitha ndeshjet e Liverpoolit këtë sezon, statistikat e tij dëshmojnë se kur Shaqirin luan me “treshen e madhe”, Mohamed Salahun, Sadio Manen dhe Roberto Firminon, askush nuk mund t’i ndalojë djelmoshat e Kloppit.

Kjo katërshe është kombinuar në tetë ndeshje të këtij sezoni dhe Liverpooli i ka fituar të gjitha ato. Jo vetëm që klubi anglez i ka fituar plot 24 pikë me këta lojtarë, gjatë këtyre ndeshje janë shënuar 22 gola. Duke filluar nga fitorja kundër Fulhamit më 11 nëntor, zvicerani ishte titullar për pesë ndeshje radhazi me këtë formacion. Të gjitha këto ndeshje Liverpooli i fitoi, mirëpo pastaj Shaqiri mbeti në stol për ndeshjen kundër Manchester Unitedit.

Në minutën e 70-të, kur ndeshja ishte ende 1-1, Shaqiri u fut në lojë dhe i shënoi dy gola për t’ia siguruar kështu fitoren dhe vendin e parë në tabelën e Premierligës skuadrës së Jurgen Kloppit. Talenti i tij, si dhe aftësia për të qenë i saktë nga goditjet e lira, bëjnë që ai ta ketë mundësinë për të qenë vendimtar në ndeshej të vështira gjatë këtij sezoni. Dhe Kloppi ka bërë të ditur se Shaqiri do ta ketë mundësinë ta bëjë këtë gjë.

“Ai është dikush që bën një dallim të madh në skuadër sepse mund të luajë në shumë pozita të ndryshme brenda sistemit tonë”. Shaqiri i ka bërë gjithsej 22 paraqitje për Liverpoolin këtë sezon, 17 prej të cilave në Premierligë. Gjatë këtyre ndeshjeve, ai ka arritur t’i shënojë gjashtë gola dhe t’i bëjë 3 asiste. Ai ishte titullar për dhjetë ndeshje të Premierligës, ndërsa në shtatë u aktivizua nga stoli.