` . Zyrtarët japin detaje për reshjet e shiut – TV-SHENJA

Zyrtarët japin detaje për reshjet e shiut

Drejtoria për Punë Hidrometrologjike (DPHM) ka dhënë detaje për sasinë e shiut që ka rënë orëve të fundit. Në 24 orët e fundit më shumë  reshje shiu kanë rënë në Kumanovë, ku sipas matjeve të DPHM-së janë regjistruar 22 litra në një metër katror.

Sasi më të madhe të reshjeve ka pasur edhe në Shkup-Zajçev Rid 19 litra, në Shkup-Petrovec 11, në Berovë 8, në Kriva Pallankë 7, në Vinicë 5, në Dibër 3, në Gjurishte 2 dhe në Lazaropole 1 litër në një metër katror.

Nga DPHM informojnë se moti sot pritet të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe më i freskët me reshje të kohëpaskohshme lokale të shiut, veçanërisht në pjesën veriore të vendit.

Në disa vende do të ketë kushte për vranësira jostabile me shi të dendur dhe bubullima. Vonë pasdite vranësira do të zvogëlohet dhe reshjet do të ndalojnë gjithandej. Do të fryjë erë mesatare deri në të përforcuar veriore.

Temperatura maksimale do të jetë në interval prej 21 deri në 30 gradë. UV indeksi do të ketë vlerën 6.

Prej nesër vijon periudhë e motit stabil dhe më të ngrohtë. Temperatura e ditës do të jetë nën rritje graduale, por do të mbahet në kuadër të mesatares për këtë periudhë të vitit.