` . Zorani dhe Tahiri – TV-SHENJA

Zorani dhe Tahiri

Shkruan: Lindita Kadriu 

Lajmi i ditës: Në Gjykatën Penale sot duhet të mbahet seancë për rastin “Ryshfet” ku i akuzuar është Zoran Zaev…

Sikur mos mjaftonte një president si Ivanov që ia merr fytyrën Maqedonisë kudo që shkon dhe saherë që e çel gojën, ndërkohë fituam edhe kryeministër për t’u turpëruar.

Unë turpërohem!

Nuk dua t’kem një kryeministër që ulet në bankën e të akuzuarëve. Ia kanë kurdisur rastin?? Sa njerëz të ndershëm me vertikalë morale njohim që kanë në CV raste të kurdisura?

Unë nuk njoh. Të paktën nuk më kujtohet ndonjë rast i tillë.

Zoran Zaev duhej të kandidohej në lista zgjedhore pasi të ishte zbardhur rasti. Njerëzit naivë dhe jonaivët, por klientistë i besuan Z para se gjykata të thotë se është i pafajshëm.

Larg nga ajo që u besoj gjykatave, si çdo qytetar/e e di se ata ndajnë padrejtësi dhe burgjet janë plot të pafajshëm, sidomos shqiptarë.

Por, refuzoj të më përfaqësojë njeriu i zënë ngusht nga incizime ku dëgjohet zëri i tij në atë muhabet neveritës.

Që paradoksi të jetë më i madh ai erdhi në pushtet me parullën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Sa e lufton këtë krim, shihet nga fakti që është në koalicion me partinë shqiptare tekstualisht të korruptuar, me dëshmi të incizuara për prekje në xhepat tonë (siç e përshkoi bukur një analist krimin e organizuar).

Sa e ka për nime luftimin e vjedhjes masovike në këtë shtet pa shtet, shihet nga fakti që në zgjedhjet lokale bukvalisht u pozicionua në anën e BDI-së. Pa fytyrë, pa peshojë, pa gajle!

…Trashëgimia më e çmuar që një prind ia le fëmijes së vet është modeli personal dhe emri i mirë, ose thënë ndryshe autoriteti, ihtibari.

Kur flitet për politikë në tavolina kafenesh apo publikisht, unë këmbëngul se politika, si çdo profesion tjetër, mund të bëhet me apo pa moral me apo pa nder. Ashtu si edhe mjekësia, gazetaria, ekonomia, tregëtia, as politika nuk bën përjashtim nga shkaku i thjeshtë se njerëzit e bëjne politikën, ajo nuk është kategori abstrakte. Dhe kur njerëzit thonë se politika hallall nuk bëhet, unë them BËHET, SI S’BËHESHKA!? Garant po, se u rrita në shtëpinë e atij që e bënte, dhe jo vetëm ai, por edhe shumë të tjerë të atyre brezave e të asaj kohe komuniste e cila qe më e shëndoshë se kjo kohë gjoja demokratike, kiç demokratike.

Desha të them, trashëgimia të cilën na e la neve T – ai muhabet që ndonjëherë e bëj, besa, me krenari, nuk ka çmim! Mua më vlen miliona euro, ose edhe më shumë, dhe sigurisht më shumë se çdo pasuri e patundshme qe ai mundeshte të ma mundësonte, po të deshte.

Por, nuk deshte. FALEMNDERIT!