` . Zjarret në Shqipëri, vazhdon angazhimi i forcave ushtarake – TV-SHENJA

Zjarret në Shqipëri, vazhdon angazhimi i forcave ushtarake

Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë shënuar 19 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Dibër, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa për shuarjen e tyre janë angazhuar edhe forcat ushtarake, transmeton AA.

Një ushtar mësohet se është lënduar, ndërsa edhe disa banesa rrezikohen nga zjarret.

Në një njoftim nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, thuhet se në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 124 punonjës zjarrfikës, 22 automjete zjarrfikëse, dhjetëra persona nga Forcat të Armatosura të Shqipërisë, dhjetëra vullnetarë banorë të zonave të prekura, të mbështetur edhe nga helikopterë.

Ndërkohë edhe Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka konfirmuar nëpërmjet një njoftimi zyrtar të publikuar sot se Forcat e Armatosura të Shqipërisë vijojnë angazhimin në shuarjen e zjarreve që kanë përfshirë disa qarqe të vendit, për shkak temperaturave të larta.

“Vetëm gjatë ditës së djeshme janë angazhuar 236 forca të Forcave të Armatosura, pjesë e Komandës Mbështetëse dhe Forcës Tokësore, 15 automjete, 3 autoambulanca në operacionet për shuarjen e zjarreve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.