` . Zjarret në Amazona, Evropa kundër Bolsonaros - TV-SHENJA

Zjarret në Amazona, Evropa kundër Bolsonaros

Bota s’është në gjendje të reagojë ndaj zjarrreve në pyjet e Amazonës në Brazil. Por në BE po krijohet rezistencë. Leva mund të jetë Marrëveshja e Tregtisë së Lirë arritur së fundi si dhe biftekët brazilianë të viçit.

“Mushkëria e gjelbër e botës”, sikurse quhet territori i Amazonës, është përfshirë nga flakët: Tani në grindjen me Brazilin për djegiet e pyjeve në territorin e Amazonës krahas Francës, Irlandës dhe Finlandës tani edhe Komisioni i BE-së ka kërcënuar me pasoja. Djegiet në pyllin më të madh tropikal të botës po i ndjekim me shqetësim dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë, tha zëdhënësja e Komisionit Mina Andreeva. Instrumenti më i mirë i BE-së është influenca ndaj qeverisë braziliane, duke i bërë asaj presion përmes Marrëveshjes së fundit Mercosur për Tregtinë e Lirë. Kjo marrëveshje i detyron palet kontraktuese, ndër to Brazilin, që të respektojnë standardet e mjedisit dhe ato të Marrëveshjes së Parisit për Klimën të vitit 2015.
Me Marrëveshjen Mercosur BE dhe katër vende amerikano-jugore synojnë të krijojnë zonën më të madhe të tregtisë së lirë në botë. Kjo do t’i kursejë çdo vit sipërmarrjeve të BE-së katër miliardë Euro dogana dhe do të nxisë eksportet. Në Marrëveshjen Mercosur bëjnë pjesë Argjentina, Brazili, Paraguaji dhe Uruguaji.

Marrëveshja e arritur në fund të qershorit megjithatë ende nuk është ratifikuar nga të gjitha vendet e BE-së. Ekologjistët në Gjermani kanë kritikuar, që BE-ja i ka besuar premtimit të presidentit brazilian Jair Bolsonaro, por nuk ka vendosur rregulla efektive për zbatimin e mbrojtjes së klimës dhe të të drejtave të njeriut. Edhe partia E Majta kërkon ndalimin e marrëveshjes.

Komisioni i BE-së përshëndeti që zjarret në pyjet tropiakle, me kërkesën e presidentit francez, Emmanuel Macron, do të jenë temë në takimin e grupit G7 në fundjavë në Biarritz të Francës. Edhe kancelarja Angela Merkel u shpreh, për këtë sikurse njoftoi zëdhënësi i saj Steffen Seibert në Berlin. Në sfondin e rëndësisë globale dhe “situatës tronditëse me mijëra zjarre” është e udhës që të flitet për këtë çështje në samitin e G7.