` . Zhvillohen garat me makina të shpejta në Shkup – TV-SHENJA

Zhvillohen garat me makina të shpejta në Shkup

Gjatë ditës së sotme në rrugët e Shkupit janë zhvilluar garat me makina të shpejta të organizuar nga klubi i makinave Primo në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit, Agjencionin për Rini dhe Sport si dhe Federatën e Automobileve në Maqedoni. Në këtë garë morën pjesë 35 garues nga vendi dhe 10-të tjerë që nga shtete të ndryshme. Garën finale të divizionit të tretë e fitoi Nenislav Petkoviq që me makinën e Honda-s e mbylli garën i pari me kohën e 30 minutave 42 sekondave e 967 të mijtat, ndërsa pas tij u renditën Daniel Simiq dhe Mile Todorov. Në këtë divizion ishte i paraparë të garojë edhe shqiptari Ekrem Memishi, por që për defekte të makinës nuk arriti të konkurojë. Garat u zhvilluan në rrugën e Ndërtesës së Gjyqit dhe objektit të panairit të Shkupit, ndërsa fituesit u dekoruan me medalje dhe trofe.

“Gara ishte deri më tash e organizuar në nivel më të lart sigurie dhe mjaft mirë. Unë në prova kisha një defekt në makinë dhe sot për fat të keq nuk munda të garojë. Por gjithsesi gara shkoj gjithçka në rregull, kishte konkurencë të madhe, pasi kishim edhe mysafir nga Serbia e Kosova, ndërsa kishim edhe pulbik të mjaftueshëm. Të shpresojmë që pas 2 ose 3 javëve të ketë sërish këtu gara dhe presim që të ketë sa më shumë publik që të më përkrahin mua dhe gjithë të tjerët”, tha garuesi Ekrem Memishi.

“Klubi i makinave Primo është organizator i këtyre garave prej 15 viteve. Secilin vit mundohemi që nivelin e garës ta ngritim edhe në aspektin e vozitësve por edhe të sigurisë. Këtë vit u munduam që të bëjmë diçka që është në nivelin më të lartë dhe jemi shumë të kënaqur nga pjesëmarrësit dhe publikut. Presim që ky nivel do të mbahet edhe në vitet e ardhshme, me 36 garues në 7 kategori të ndryshme dhe mendojë që treguam se edhe ne në Maqedoni mund të organizojmë gara europiane”, tha organizatori Aleksandar Dimuçevski. /SHENJA/