` . Zgjerimi i Qeverisë, bisedimet vazhdojnë pas vizitës së Mogerinit dhe Hanit (Video) – TV-SHENJA

Zgjerimi i Qeverisë, bisedimet vazhdojnë pas vizitës së Mogerinit dhe Hanit (Video)

Bisedimet për zgjerimin e Qeverisë këtë javë mbesin në plan të dytë, për shkak se në plan të parë janë publikimi i Raportit të Progresit nga Komisioni Evropian dhe vizita e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini dhe eurokomisarit Johanes Hann. Kështu deklaroi zëdhënësi i Lëvizjes BESA, Orhan Murtezani, i cili nuk përjashton mundësinë që edhe këto ditë të ketë bisedime për hyrje të BESËS në Qeveri, por thekson se këto bisedime do të intensifikohen pas përfundimit të këtyre ngjarjeve.

Orhan Murtezani, zëdhënës i Lëvizjes BESA
“Siç dihet këtë javë pritet raporti i progresit të Komisionit Evropian, dhe vizita të emisarëve të lartë të BE-së, përfshirë këtu edhe vet zotëri Hanin, andaj këtë javë jemi të fokusuar në këtë çështje, pasiqë pritet edhe vlerësimi i raportit të Qeverisë, të ashtuquajtur 3,6,9, dhe negociatat për hyrje në Qeveri janë në plan të dytë”

Murtezani theksoi se për Lëvizjen BESA nuk është me rëndësi çështja e pozicioneve ndërkaq nënvizoi se për këtë parti më me rëndësi është programi qeveritar dhe parimet mbi të cilat do të ndërtohej bashkëqeverisja.

Orhan Murtezani, zëdhënës i Lëvizjes BESA
“Disa herë e kemi thënë për opinionin se ajo që është parësore për ne si Lëvizje BESA është programi qeveritar dhe parimet  mbi të cilat do të ndërtohej bashkëqeverisja në Qeverinë e ardhëshme. Ndërsa, çështja e pozicioneve dhe gjërave të tjera teknike janë në plan të dytë. Andaj nuk përjashtohet edhe këto ditë të ketë bisedime të tilla, por të njejtat do të intensifikohen pas përfundimit të kësaj çështjeje”

Kryeministri Zoran Zaev edhe sot ka deklaruar se procesi për zgjerimin e Qeverisë do të rrjedh deri në fund të muajit prill. Lidhur me ndarjet kadrovike Zaev tha se është shumë herët që të bisedohet, pasi që fillimisht do të duhet të shihet se për sa do të rritet shumica parlamentare. Ai nënvizoi se është në bisedime me të gjitha partitë opozitare. Ditë më parë nga Qeveria konfirmuan se tashmë ka marrëveshje me Partinë Demokratike Turke për koalicion dhe ata në njëfarë mënyre tashmë janë pjesë e koalicionit Qeverisës. Ajnur Bafqari /SHENJA/