` . Zgjedhjet studentore, Plenumi kërkon anulimin e zgjedhjeve - TV SHENJA

Zgjedhjet studentore, Plenumi kërkon anulimin e zgjedhjeve

Plenumi Studentor kërkon anulimin e zgjedhjeve për kryetar të Parlamentit Studentor dhe përjashtimin e anëtarëve të këtij trupi që e quajnë jolegjitim nga postet vendimmarrëse të Rektoratit. Plenumi denoncoi edhe dhunën e ushtruar mbrëmë nga policia ndaj tyre në momentin që kanë dashur të pengojnë zgjedhjet, dhe kërkuan llogari nga policia se kush ua ka dhënë urdhrin për intervenim, dhe me çfarë baze ligjore është ndërmarrë aksioni në objekt të një organizate joqeveritare.

“Parlamenti Studentor dje bëri vjedhje të kutive të votimit. Ne kemi denoncuar vjedhjen e kutive dhe materialeve zgjedhore. Kërkojmë që të gjithë anëtarët e Parlamentit Studentor të largohen nga organet dhe degët e universitetit. Do të ngremë procedura disiplinore kundër të gjithë studentëve që kanë ushtruar dhunë. Nga Universiteti kërkojmë që të mos e pranojë këtë rezultat të turpshëm dhe të falsifikuar të zgjedhjeve. Tu dalë në krah studentëve. Prania e njësitit special dhe dhuna e tyre ndaj nesh është kulmi i sjelljes që universiteti nuk guxon ta lejojë”, tha Ivana Tufegxhiç nga Plenumi Studentor.

Studentët u kërcënuan me padi penale ndaj kryetarit të ri jolegjitim nëse fillon me punë.

“Kërkojmë nga Davori i cili u vetëshpall si fitues që t’i anulojë zgjedhjet dhe të mos nënshkruaj asnjë dokument pasi në të kundërtën do të kemi bazë për përgjegjësi penale. Nëse nuk ka pranohen kërkesat, ne do të pengojmë punën e Parlamentit Studentor dhe nuk do ti pranojmë vendimet e tij”, theksoi Tufegxhiç, e cila bëri thirrje për protesta në orën 19:00 tek selia e Parlamentit Studentor.

Davor Popovski u zgjodh kryetar i Parlamentit Studentor në një atmosferë të tensionuar me protesta të Plenumit Studetor dhe përleshje me policinë. Edhe pse shumica e studentëve i kundërshtojnë zgjedhjet e më pas edhe zgjedhjen e Davor Popovskit, Parlamenti Studentor i vlerësoi zgjedhjet si legjitime dhe të rregullta ku Popovski u zgjodh me 3851 vota, prej gjithsej 5264. Plenumi Studentor që në shpalljen e zgjedhjeve studentore insistonte se zgjedhjet janë jolegjitime dhe anti ligjore, dhe është shumë dyshuese përse janë organizuar në periudhë vere kur shumica e studentëve nuk gjenden në fakultet.

Problemet filluan pak para se të mbylleshin kutitë e votimit kur në fakultetin e drejtësisë arritën një grup personash për të cilët Plenumi pohonte se nuk janë studentë, ndërsa i merrnin kutitë e votimit dhe i dërgonin në zyrat e Parlamentit Studentor.  Studentët e Plenumit tentuan të ndalojnë marrjen e kutive të votimit, dhe dërgimin e tyre në zyrat e Parlamentit Studentor, por njësitet speciale intervenuan menjëherë dhe i zmbrapsën studentët me dhunë.

Plenumi studentor për më shumë se gjashtë orë qëndroi para hyrjes së Parlamentit Studentor me ultimatum deri tek Kirill Spirovski, kryetari i vjetër që të anulojë zgjedhjet. Por më kot, të nesërmen Parlamenti Studentor doli me njoftimin se zgjedhjet ishin zhvilluar në mënyrë të drejtë dhe në frymë demokratike dhe se Davor Popovski është kryetari i ri studentor.

Ferikan Iljazi /SHENJA/


Plenumi kërkon anulimin e zgjedhjeve by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme