` . Zgjedhjet që mund të shkaktojnë tërmete - TV-SHENJA

Zgjedhjet që mund të shkaktojnë tërmete

BE-ja për popujt e Ballkanit është kuptuar edhe si zëvendësim për projektet e tyre për shtete të mëdha etnike. Shqiptarët, kroatët, serbët, boshnjakët dhe maqedonasit janë etni që shtrihen në më shumë se një shtet. Ëndrrat për rrënimin e kufijve midis tyre i kanë të lidhura me integrimin në BE. Rrjedhimisht, rrezikimi i projektit evropian rikthen në tavolinë hartat e vjetra ballkanike bashkë me rrezikun për një luftë të re në gadishull.

Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë

Bashkimi Evropian (BE) gjendet para një rreziku që të shpërbëhet si asnjëherë më parë. As kriza financiare e as dalja e Britanisë së Madhe nuk e kanë kërcënuar projektin e një Evrope të bashkuar sa përhapja e frymës nacionaliste në vendet anëtare të saj. Si reaksion ndaj globalizimit të hovshëm dhe si rezultat i përhapjes së frikës nga refugjatët dhe emigrantët që vërshuan BE-në, në tre vitet e fundit është shënuar një rritje e konsiderueshme e forcave politike që propagandojnë mbyllje në guacat kombëtare dhe fund për vizionin e një Evrope të bashkuar e njësuar.

Ky proces ka marrë hov sidomos pas vendosjes së sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë, për shkak të aneksimit të Krimesë nga Ukraina, gjë që ka shtuar shqetësimet në kryeqendrat evropiane se është pikërisht Kremlini ai që investon në shpërbërjen e Unionit. Në fakt, Rusia tenton që sanksioneve të BE-së t’u përgjigjet nëpërmjet rindërtimit të marrëdhënieve dypalëshe me shtetet anëtare të saj, duke luhatur kështu shtyllat e politikës së jashtme të përbashkët të unionit. Përveç kësaj tenton të interferojë në politikat e brendshme të këtyre shteteve, duke përkrahur opsionet që propagandojnë braktisjen e Unionit.

Ndërkohë që BE-ja bëhej gati të amortizojë daljen e Britanisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) fitoi republikani Donald Trump, një president që nuk pritet të jetë miqësor ndaj trendëve globalizuese dhe finalizimit të projektit evropian. Deklaratat e tij të para lidhur me “fatin jo të mirë që e pret BE-në pas daljes së Britanisë” kanë rritur shqetësimet te liderët e vendeve evropiane lidhur me qasjen që do të ketë administrata e re amerikane kundrejt Unionit. Frika se Trump-i me deklaratat e tij ndihmon forcat politike anti-BE brenda shteteve anëtare bëhet edhe më e dukshme në fillim të këtij viti, kur 21 shtete evropiane përgatiten të zbatojnë zgjedhje presidenciale, parlamentare ose referendume.

Përveç Rusisë në Lindje, BE-ja tani sheh rrezik edhe në Perëndim pikërisht nga administrata e re amerikane. Përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Frederika Mogerini, në fillim të shkurtit takoi në Uashington Sekretarin Amerikan të Shtetit, Reks Tillerson, me ç‘rast, midis tjerash, kërkoi nga SHBA-të të mos interferojnë në zgjedhjet e vendeve anëtare të BE-së. Ndërkohë, Gjermania është duke punuar intensivisht që të parandalojë interferimet eventuale të Rusisë në zgjedhjet federale, duke tentuar ta ruajë sistemin nga sulmet kibernetike dhe hapësirën mediale nga lajme dhe portale të rreme. Vlerësohet se nëpërmjet sulmeve kibernetike dhe faqeve të rrejshme të Internetit Moska ka ndikuar që zgjedhjet në SHBA të rezultojnë në favor të Trump-it.

Fati i Evropës

Kancelarja Gjermane dhe liderja e partisë së djathtë CDU, Angela Merkel, shihet si shtylla kryesore që mban të gjallë jo vetëm idenë evropiane, por edhe demokracinë liberale në rrafshin global. Me procesin e Ballkanit Merkel-i duket të jetë një nga liderët e vetëm të BE-së që mbetet e fokusuar në stabilizimin dhe progresin e këtij rajoni, pavarësisht sfidave të brendshme me të cilat ballafaqohet Unioni. Mbështetja stabile për Merkelin është vënë në rrezik nga partia Alternativa për Gjermaninë (AFD), një parti ultranacionaliste, e formuar në vitin 2013, e cila paraqitet si e djathtë ekstreme që shërbehet me politikë populiste dhe nacionaliste për të promovuar euro-skepticizmin në Gjermani. Në zgjedhjet federale para katër viteve AFD fitoi 4.7 për qind të votave, përderisa në zgjedhjet parlamentare evropiane mori 7.1 për qind të votave gjermane ose 7 nga 96 deputetët gjermanë në Parlamentin Evropian. Rritja e kësaj partie vjen si rezultat i kritikave ndaj BE-së, e sidomos ndaj politikës së Merkelit për të mbajtur dyert e hapura për refugjatët nga Siria dhe Iraku. Edhe pse ka rënie, koalicioni që udhëheq Merkel ende ka besueshmëri më të lartë në prag të zgjedhjeve që janë caktuar të mbahen më 24 shtator të këtij viti, e ndjekur nga e majta SPD, por një rritje të konsiderueshme ka shënuar edhe AFD-ja. Rastet eventuale terroriste që do të ndërlidheshin me refugjatët mund t’i kushtojnë shtrenjtë partisë së Merkel-it, por mund të rezultojnë me një ngritje të menjëhershme të rejtingut të AFD-së dhe partive të tjera populiste. Kjo do të ishte një goditje në zemër për BE-në, gjë që do të fundoste të gjitha shpresat për rimëkëmbje të projektit evropian.

Jo vetëm Gjermania, por edhe shtetet tjera evropiane, që pritet të organizojnë zgjedhje këtë vit, kanë rritur vigjilencën përballë rreziqeve që vijnë nga Rusia, por edhe nga paqartësitë e politikës së jashtme të administratës së re në SHBA. Shqetësimi është më i madh në Holandë, ku opsioni ultra-nacionalist Partia e Lirisë (PVV) e Gert Vilders-it ka shënuar një rritje të konsiderueshme të besueshmërisë në prag të zgjedhjeve të 15 marsit të këtij viti. Në vitin 2010 kjo parti fiton 24 nga gjithsej 150 ulëset në Parlament, duke u bërë forca e tretë politike në Holandë. Në rast se i fiton zgjedhjet dhe formon qeverinë e ardhshme, kjo parti ka paralajmëruar daljen e Holandës nga BE-ja dhe një politikë më restriktive ndaj të huajve dhe emigrantëve. Një opsion populist që paraqet kërcënim për BE-në është në rritje edhe në Itali. Bëhet fjalë për Lëvizjen “5 Yje”, të udhëhequr nga lideri anti-establishment Bepe Grillo. Dështimi i referendumit për ndryshime kushtetuese në Itali ishte një fitore e madhe për opsionet radikale, në veçanti për Grillo-n.

Por, para Italisë BE-ja duhet të kalojë testin elektoral të Francës. Zgjedhjet presidenciale, që janë paraparë për 24 prill të këtij viti, mund ta çojnë Francën rrugës së Britanisë së Madhe – jashtë BE-së. Kjo, në fakt, do të ishte edhe fundi i vetë Unionit. Shkaku i mbështetjes së ulët, presidenti aktual – socialisti Fransoa Holland – nuk do të kërkojë edhe një mandat. Shanse për fitore ka edhe Mari Le Pen nga Fronti Nacional, një ultra-nacionaliste, që gjithashtu kërkon daljen e Francës nga BE-ja. Një epërsi të lehtë në anketa ka kandidati i Republikanëve të Francës, Fransoa Fillon, i cili në presidencën e Nikola Sarkozi-t ka qenë në pozitën e kryeministrit të këtij vendi. Zgjedhje parlamentare gjatë vitit 2017 do të mbajnë edhe Bullgaria dhe Çekia, ku forcat politike nacionaliste po ashtu janë në rritje, ndërkohë që Sllovenia do të organizojë zgjedhje presidenciale.

Luftë në Ballkan?

Një Evropë pa kufi, e prosperuar dhe me zhvillim ekonomik, është shpërblimi që presin të marrin vendet e Ballkanit Perëndimor, pasi të zbatojnë reformat e vështira dhe të bëjnë kompromiset e dhimbshme për çështjet e hapura me fqinjët. Bashkimi Evropian (BE) për popujt e Ballkanit është kuptuar edhe si zëvendësim për projektet e tyre për shtete të mëdha etnike. Shqiptarët, kroatët, serbët, boshnjakët dhe maqedonasit janë etni që shtrihen në më shumë se një shtet. Ëndrrat për rrënimin e kufijve midis tyre i kanë të lidhura me integrimin në BE. Rrjedhimisht, rrezikimi i projektit evropian rikthen në tavolinë hartat e vjetra ballkanike bashkë me rrezikun për një luftë të re në Gadishull.

Ndërkohë, zgjedhjet presidenciale në Serbi më 14 maj, ato parlamentare në Shqipëri më 18 qershor dhe kriza në Maqedoni, mund të jenë faktorë shtesë në këtë drejtim. Ngërçi politik në Kosovë po ashtu mund të rezultojë me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Letra e nacionalizmit, që e përdorin kandidatët për president të Serbisë, rrezikon të hapë konflikte me Kosovën dhe me Bosnjë e Hercegovinën (BeH). Gara e ashpër parazgjedhore midis kryeministrit Aleksandar Vuçiq dhe presidentit aktual të shtetit, Tomisllav Nikoliq, duket ta ketë përfshirë edhe Kosovën me trenin provokues, që u nis drejt Mitrovicës në fund të janarit të këtij viti. Me mbishkrimin në disa gjuhë “Kosova është Serbi”, ky tren, që ishte dhuratë nga Rusia, thuhet të ishte planifikuar nga Nikoliqi të futet triumfalisht në Kosovë, me atë që ai si kandidat do ta rikthente përkrahjen e dikurshme, të mjaftueshme për t’i fituar zgjedhjet. Treni u ndal nga Vuçiqi para hyrjes në territorin e Kosovës, gjë që e turpëroi Nikoliqin. Interferimi i Rusisë në zgjedhjet e Serbisë mund të sjellë komplikimi shtesë të situatës. Nikoliqi njihet si i preferuari i Moskës, ndërkohë Vuçiqi duket të jetë më i afërt me Brukselin ose Berlinin. Përfshirja e BeH-së bëhet me aktivizimin e presidentit të Republika Sërpska-s në promovimin e ideve ndarëse nga ky shtet dhe bashkëngjitjes së Serbisë.

Nëse kjo garë elektorale prodhon incidente në dy shtetet fqinje të Serbisë, atëherë të njëjtat do të kishin një efekt domino edhe në vendet e tjera të Ballkanit. Një ashpërsim fjalori me tone nacionaliste vjen edhe nga dy partitë rivale në Shqipëri – PS-ja në pushtet dhe PD-ja në opozitë. Veriu i Kosovës, si pikë e nxehtë me Serbinë, shqiptarët e Luginës se Preshevës dhe ato të Maqedonisë, janë pjesë e garës parazgjedhore. Kjo përfshirje mund të prodhojë përkeqësim plotësues të marrëdhënieve midis popujve të rajonit, ku opsionet radikale politike kërkojnë ta marrin primatin. Nacionalizmi ekstrem gjithsesi do të shfaqet si opsion nëse BE-ja nuk do të arrijë të mbijetojë. Pa një perspektivë evropiane, Ballkani shumë lehtë do të mund të rrëshqasë drejt një lufte të re.

Postime të Ngjajshme